Home KRYESORE Reforma mbaroi, kush jane Pro dhe Antiamerikanet?

Reforma mbaroi, kush jane Pro dhe Antiamerikanet?

Nga Mal Berisha*

1.- PROAMERIKANËT DHE PSEUDO– PROAMERIKANËT.

Reforma kaloi. Përgjigjja e pyetjes: Kush janë proamerikanët dhe kush janë antiamerikanët e vërtetë në Shqipëri, mbetet. Ata që kanë rrënjë të thella antiamerikane deshën një reformë si të baballarëve të tyre: Një drejtësi politike të kapur nga një njeri ose të njëjtë me atë që ishte: Pa Ministri Drejtësie dhe pa avokaturë, siç e kishin baballarët e tyre. Baballarët që bërtisnin rroftë Tito, rroftë Stalini, rroftë Hrushovi, rroftë Mao Ce Duni, rroftë Zhao Amazonas, rroftë Fasko Dinuci, dhe… Poshtë Amerika!

Bijtë e tyre sot janë “zgjuar” dhe bërtasin “Rroftë Amerika!” dhe na hiqen më proamerikanë se tërë të persekutuarit e Shqipërisë që vuajtën thjesht pse njerëzit e tyre të afërt kishin ikur në Amerikë, ose pse kishin ideale proamerikane– perëndimore. Sot, proamerikanët e vërtetë, që nuk kanë nevojë të shtiren, janë ata që shpëtuan drejtësinë nga kapja e një njeriu. Për të qenë proamerikan i vërtetë, nuk ka nevojë të bërtasësh “Rroftë Amerika!”.

Në vend të kësaj, zbato parimet amerikane! Madje, bëj gjithçka, siç u bë, që të detyrosh pseudo–proamerikanët të pranojnë principet amerikane të drejtësisë, siç ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë, natën e 21 korrikut 2016.

2.- ÇIFUTI SABATTAI ZEVI -RREZIKU ANGLO-AMERIKAN NDAJ SHQIPËRISË, DÖNMEHËT DHE RILINDASIT.

Në historinë tonë aq të bollshme kanë zënë vend edhe figura më interesante, më mashtruese dhe më e besuar e një pjese të mirë të hebrenjve. Ai quhet Sabattai Zevi. Ky hebre kishte lindur në Izmir më datën 1 gusht të vitit 1626 dhe vdiq me datën 17 shtator 1676 në Berat, pasi kishte kaluar vitet e fundit të jetës në internim, në Ulqin.

Ai njihet si mashtruesi, i cili u premtoi hebrenjve Tokën e Shenjtë dhe kthimin atje. Ai pretendonte se Zoti e kishte pajisur me vullnetin e vet dhe e kishte dërguar në tokë si Messiah, ose zoti i izraelitëve, i cili do t’i udhëhiqte ata “një milion mbështetës”, duke vënë në rrezik edhe vetë Perandorinë Osmane.

Sulltan Mehmeti i Katërt e thirri Sabattain në Top Kapi dhe i tha: “Duhet të heqësh dorë nga mashtrimet tua ose ke dy zgjedhje: E para: “Ja ku është xhelati që do të heqë kokën tani në sytë e mi dhe e dyta: Do të shndërrohesh në Islam.” Mashtruesi çifut zgjodhi të shndërrohej në islam dhe t’i shpëtonte sëpatës së xhelatit. Kështu ai i shndërroi një million hebrenj, ashkinazë, sefardikë dhe romaniotë në tërë Europën në Denmeh, ose në të shndërruarit. Vitet e fundit të jetës ai i kaloi në internim, një pjesë të mirë të tyre në Ulqinin e atëhershëm shqiptar dhe ditët e fundit të jetës në Berat, buzë Lumit Osum.

Kur vdiq dhe vajtën ta marrin për ta varrosur, nën kokën e jastëkut të tij nuk gjetën Kuranin e Shenjtë të Islamit, të cilit i ishte betuar para Sulltanit, por Torahun, Librin e Shenjtë të hebrenjve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me komunistët shqiptarë: Në vitin 1990 ata u vunë përpara dy zgjedhjeve: O me Perëndimin, o me urinë masive që po pllakoste vendin dhe izolimin total.

Ata u bënë dönmeh, pra u shndërruan në të dashur të Euro-Amerikës dhe tani vonë sajuan edhe sektin e tyre me emër Rilindja, e cila po na vdes ndër duar me librin “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”, nën jastëk, duke bërtitur: “Rroftë Amerika!”.

3.- ARADHA E PARË ANTIAMERIKANE NË SHQIPËRI.

Por kush është pjesë e aradhës pseudoproamerikanëve sot? Janë dönmehët, rilindasit, antiamerikanët, që u shndërruan sa hap e mbyll sytë në dashnorët kodoshë të Amerikës. Dönmehët, që në dhjetorin e vitit 1990 ishin në anën antiamerikane të barrikadës së ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Tek i sheh ata të përgjërohen për Amerikën të vijnë ndër mend transmetimet televizive të fundvitit 1990: Byroja Politike, Ramizi më vemjet e tij, që mendonin se a duheshin përdorur armët apo jo që të mposhteshin ata, proamerikanët, “reaksionarët”, “agjentët e Amerikës”, fëmijët dhe të afërmit e të arratisurve në Amerikë!?

Sipas tyre, duheshin zhdukur tërë ata që kishin lidhje me Amerikën: Familje të intelektualëve që kishin punuar me amerikanët për ngritjen e shkollave shqipe gjatë viteve të Mbretërisë, familje të arratisurish nga regjimi komunist, ata që kishin përfunduar nëpër burgje politike dhe kampe internimi, familje properëndimorësh…

Duheshin vrarë tërë ata që i vunë gjoksin shembjes së diktaturës më antiamerikane në botë. Tani brezi tjetër i byroistëve na del më proamerikan se vetë ata që shembën diktaturën e tyre. Të shohësh në televizionin shqiptar djem anëtarësh të byrosë, djem të sekretarëve të Parë, madje edhe djalin e një nënkryetari të Komisionit të Dëbim Internimeve ndaj njerëzve që iu arratiseshin të afërmit në Amerikë, tek flet në emër të proamerikanizmit, është si të besosh Sabattai Zevin, duke kënduar sure islame në xhami.

Prandaj, shndërrimi pragmatist në proamerikan të këtij lloji, sot është si shndërrimi i çifutëve në dönmeh. Sabattai jetoi me Torahun e tij të shenjtë dhe u shtir si islam, këta jetojnë me “Rrezikun Anglo–Amerikan ndaj Shqipërisë” në zemër dhe shtihen si proamerikanë.

4.- TË JESH PROAMERIKAN, NUK DO TË THOTË THJESHT TË KESH NJË OSE DY MIQ AMERIKANË

Reforma kaloi. Ajo do të ishte njësoj si ajo e vitit 1976, nëse do t’i dorëzohej një njeriu në dorë. Por atë e shpëtuan proamerikanët. Reforma kaloi. Ajo do të sjellë një sistem gjyqësor me avokatë dhe të drejta njeriu dhe jo një sistem të kapur nga një individ, kushdo qoftë ai. Ajo do të ketë jetë të gjatë, shumë më të gjatë se ai që deshi ta kapte atë.

Në vend të tij do të jetë ai që e mbrojti nga kapja, për të mos e kapur as ai vetë. Sepse ky është standardi amerikan, jo standardi i pseudo–proamerikanëve. Reforma kaloi. Reforma shpëtoi nga dönmehët hipokritë, pseudoproamerikanë në gjenezë. Të jesh me Amerikën, nuk do të thotë thjesht të kesh një mik amerikan. Madje, as dy. Të jesh me Amerikën do të thotë të zbatosh standardet demokratike të këtij vendi të madh mik për Shqipërinë.

*Botuar në Gazetën Panorama

Share: