Home KRYESORE Shkëlzen Maliqi: Ja përse në Serbi kërkuan përkthimin e “Kurbanit” të Edi...

Shkëlzen Maliqi: Ja përse në Serbi kërkuan përkthimin e “Kurbanit” të Edi Ramës

Shkëlzen Maliqi, këshilltar për rajonin i kryeministrit Edi Rama, tregon në një intervistë për “GSH” se si u arrit botimi i librit “Kurban” në Serbi. Libri që tashmë është në proces përkthimi, do të përurohet në mes të muajit tetor në Beograd. Maliqi tregon njohjen me botuesin serb të Ramës, që do të botojë edhe pesë vepra të Ismail Kadaresë, duke nisur nga “Pallati i ëndrrave”. “E kam njohur prej kohësh Veran Matiç” – thotë Maliqi, njëherësh përkthyes i Kadaresë në serbisht.

“Një shkas plus ka qenë edhe diskutimi i bërë nga premiera e shfaqjes teatrale “Romeo e Zhuljeta”, që është realizuar mes Prishtinës e Beogradit në dy gjuhë e që ka kushtuar 200-300 mijë euro. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, u mendua dhe u bisedua se me aq para mund të botohen 20 libra. Kjo ka qenë ideja. Kështu lindi. Disa gjëra kanë nisur dhe në kuadër të kësaj, ata do të përkthejnë 5-6 vepra të Kadaresë. Është bërë një propozim me të cilin Kadare është pajtuar. I pari në listë e që do botohet shumë shpejt është “Pallati i ëndrrave”. Është një lloj ribotimi i rishikuar dhe i përshtatur në variantin serb të gjuhës” – tha Maliqi.

“…gjatë këtyre negociatave, Veran Matiç kishte mësuar se Rama ka bërë një libër. Ai kish menduar se është ndonjë broshurë e vogël politike, ndonjë lloj platforme politike me diskursin e zakonshëm të politikanëve. Atëherë unë i shpjegova se nuk është ashtu, i thashë që është libër pak i madh dhe jo një broshurë politike e mirëfilltë. I tregova vëllimin, sa faqe është e çfarë karakteri ka dhe ca kohë hoqi dorë. Më pas, nuk e di, mbase gjeti mënyrën dhe tha do ta botojmë.

Kush është përkthyesi?

Ata e kanë përkthyesin, është një albanolog i ri, ka përkthyer edhe vepra të tjera të autorëve nga Kosova. Më duket se në fund të gushtit ai e mbaron librin së përkthyeri. Atëherë do të botohet dhe do të promovohet diku nga mesi i tetorit. Rama në atë kohë do të jetë në Forumin e Sigurisë që mbahet në Beograd, çka dihej më herët që Rama do merrte pjesë në këtë forum, ndaj kjo vizitë do të shfrytëzohet për promovimin e librit të tij” – tha Maliqi.

Share: