Intelektuali i shquar, shqiptar ortodoks Branisllav Sinadinovski thotë se në Maqedoni mungojnë kishat ortodokse shqiptare, ndërsa nga ana tjetër, nuk mungojnë, sipas tij, kërcënimet dhe sulmet për të penguar deklarimin e hapur dhe zyrtar të tyre si shqiptarë.“Mesazhi im është të festojmë edhe njëmijë vjet të tjera dhe të përparojmë edhe më shumë, të ndërtojmë jo një, po më shumë kisha, çdokënd ku do të kërkojë dhe do të jetë e nevojshme për popullin shqiptar ortodoks, meqenëse atë e ndërtojnë maqedonasit, nuk shoh arsye përse ne jo, nuk kërkojmë shumë financa nga shteti sepse kemi edhe përkrahje nga gurbetçarët dhe njerëzit tanë”, thotë Sinadinovski.
Ai për gjendjen e Rekës së Epërme, theksoi se duhet angazhim dhe ndihmë prej popullit shqiptar, pa dallim feje. Sipas tij, numri i shqiptarëve ortodoks arrin mbi 100 mijë, dhe ata shërbejnë nëpër funksione të ndryshme.
Çështja e ortodoksëve shqiptarë asnjëherë më parë nuk është hapur dhe studiuar në mënyrë shkencore. Kjo çështje kërkon një përkujdesje institucionale, për pasqyrimin e denjë të autoktonisë së shqiptarëve në këto treva, sidomos të periudhës mesjetare, e cila deri më tani shumëherë është keqpërdorur, madje ende po keqpërdoret për çështje politike nga qarqet e ndryshme serbe, greke, bullgare e maqedonase.
Gjatë shekullit XIX dhe në dekaden e parë të shekullit XX, shqiptarët ortodoksë të trevave lindore shqiptare, ishin nën presionin e vazhdueshëm nga Ekzarkia Bullgare për t’u asimiluar. Faktikisht, aty ku e kishte jurisdiksionin kjo kishë, të gjithë besimtarët ortodoks ishin të detyruar të deklaroheshin si bullgarë. Këtu qëndron edhe kurthi i manipulimeve statistikore të historianëve bullgarë, të cilët në raportet e tyre, shqiptarët ortodoks nga rajonet kompakte të shqiptarëve ortodoks, i paraqesin si bullgarë. vlerëson Skender Asani.
Asani thotë se kjo golgotë e shqiptarëve ortodoksë në trevat lindore, vazhdoi edhe pas krijimit të Federates Jugosllave, përkatësisht me themelimin e Republikës së Maqedonisë dhe themelimin e Kishës Autoqefale Maqedonase, e cila duke e përdorur fenë, arriti që me mjete të ndryshme të pushtetit dhe dhunës institucionale, të asimilojë gati se në tërësi popullatën ortodokse shqiptare. /malesia.org