Home KRYESORE Shqiptarja.com: Ja platforma për PS që ndau Kokëdhimën nga Rama

Shqiptarja.com: Ja platforma për PS që ndau Kokëdhimën nga Rama

Dorëzohet më në fund Koço Kokëdhima. Pranon përmes gazetës së tij fundin e marrëdhënieve me kryeministrin Edi Rama. Se sa i gjatë ishte rrugëtimi nga krisja e parë tek ndarja finale, këtë nuk mund ta themi me siguri, ama ka prova se arsyeja publike me të cilën Kokëdhima përpiqet të justifikojë ndarjen, nuk ka aspak të bëjë me rolin e heretikut të djegur në turrën e druve që ai kërkon t’i japë vetes.

Në fillim të këtij viti, Shqiptarja.com botoi dy dokumente kofidenciale të përgatitura nga Koço Kokëdhima, asokohe deputet social, ku propozohej një platformë për reformën brenda Partisë Socialiste.

Platforma e titulluar si “Stina e re e PS-së” e hartuar nga Koordinatori i Rajonit Vlorë-Gjirokastër kishte synimin të shtrihej në të gjithë vendin, duke hedhur teza të forta strukturore dhe plane veprimi të ndryshme e aspak të ngjashme, e herë pas here të kundërta me ato të miratuara nga organet kolegjiale, si Asambleja Kombëtare e PS-që prevalon mbi idetë dhe projektet e çdo individi.

Asambletë e PS-së në çdo radhë janë kthyer në arena debati brenda partisë, siç ishte dhe debati Rama-Blushi për çështjen e kryetarit, por Kokëdhima nuk mori asnjëherë guximin të hapte një debat brenda partisë, qoftë në Asamble për këtë platformë të tijën. Ai zgjodhi një tjetër mënyrë.

As forumet vendimmarrëse, as debatet e hapura që thotë se i dashuron aq shumë. Ai hartoi dy dokumente, një 46 faqe e një 33 faqe dhe jua shpërndau ato me email disa deputetëve dhe njerëzve me ndikim në PS duke tentuar të trafikojë influencë ndër ta, një qasje kjo “tinëzare” për të bërë një oponencë jo sy më sy, me strategun e organizimit strukturor të PS-së, Gramoz Ruçi.

Pretendimi i Kokëdhimës/ Debati i hapur

Në një kryeartikull të ditës së djeshme, gazeta Shekulli shkruan se “Reformimi i PS-së në bazë ishte divergjenca e radhës me Ramën”. Shkruesi i artikullit pretendon se platforma e Kokëdhimës parashikonte këto zhvillime në parti: “Drejtuesit e lartë të PS-së nuk i debatuan asnjëherë haptazi idetë e platformës së Kokëdhimës, që konsistojnë në reformimin e strukturës politike të PS-së dhe në demokratizimin e saj.

Minimalja do të kishte qenë që në parti të diskutohej gjerësisht kjo “përplasje”. Në mungesë debati dhe interesit nga lart, Kokëdhima e zbatoi modelin e tij reformues në Vlorë, domethënë në bazë. Gjë që krijoi në mënyrë të paevitueshme përplasje.

Por përplasja Kokëdhima-Ruçi më kot u interpretua si një ambicie e supozuar e Kokëdhimës për postin e Ruçit. Në thelb, nuk ishte një garë për një post, por një debat i mirëfilltë politik, ideologjik dhe organizativ për rivitalizimin e PS-së duke e pajtuar atë me bazën.

Lidershipi i PS-së mendoi ta likuidonte platformën dhe reformën e Kokëdhimës, pa bërë zhurmë, pa bërë transparencë, domethënë pa debat në parti që mos t’u bëheshin “reklamë” tezave të Kokëdhimës. Teza vërtet “subversive””-shkruante gazeta Shekulli.

E vërteta e platformës/ Debati i hapur

Kokëdhima ankohet se drejtuesit e lartë të PS-së nuk i debatuan asnjëherë haptazi idetë e platformës së tij. E vërteta është se Kokëdhima nuk merrte pjesë në mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë për të ushtruar kompetencat e tij të ndikimit në qeverisje, gjë për të cilën Erjon Braçe është ankuar jo pak.

Për më tepër, Kokëdhima nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së, përjashtuar me dy mbledhje ku erdhi dhe foli për një problem krejtësisht personal pasi kërkoi mbrojtje politike që mandati i tij të mos shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese.

Koço Kokëdhima, nuk e parashtroi platformën e tij të shkruar në letër që në 21 tetor 2015, në asnjë prej mbledhjeve të Asamblesë, Kongresit apo Kryesisë së PS-së, mbledhje të cilat gjatë kësaj periudhe kanë qenë jo të pakta. A qëndron pretendimi se platforma e Kokëdhimës nuk u diskutua, kur ai vetë nuk e solli atë në tryezën e debatit të brendshëm?

Pretendimi i Kokëdhimës/ Demokratizimi

Gazeta e ish-deputetit Kokëdhima shkruan se platforma e tij kishte në thelb demokratizimin e brendshëm të partisë. “Në fakt, platforma e Kokëdhimës s’kishte asgjë “revolucionare”. Thjesht ai thoshte se nuk mund t’i rifitojmë më zgjedhjet duke vazhduar me korrupsion dhe shitje të posteve të punës, me sekserë kullotash, legalizimesh e shërbimesh të tjera, që janë detyrë e organeve publike dhe jo treg për ndërmjetës të paskrupullt.

Kokëdhima kërkonte po ashtu hapje, gjithëpërfshirje dhe zgjerim të PS-së, përtëritje dhe demokratizim në radhët e saj. Andaj Kokëdhima insistonte për çlirimin e strukturave dhe organeve drejtuese të partisë nga fiktiviteti, kalbëzimi, arbitrariteti, atrofizimi. Ishte arritur në një marrje safi peng të partisë nga disa drejtues të saj që e trajtonin PS-në si ta kishin pronë private. Ishte ky model sa i “thjeshtë”, por aq novator që Kokëdhima ngriti vetë pa ndihmën e askujt në Qarkun e Vlorës. Kjo i kushtoi shumë mund e sakrifica, por dhe shumë luftë nga lidershipi i PS-së, i cili nuk e donte absolutisht këtë reformë”-shkruan gazeta.

E vërteta e platformës/ Demokratizimi

A u soll Kokëdhima si në një pronë private me PS-në e qarkut Vlorë dhe Gjirokastër kur zbatoi në të një reformë që nuk ju miratua asnjëherë nga drejtuesit e partisë dhe organet vendimmarrëse? A kërkonte vërtet demokratizim të brendshëm apo një sistem të centralizuar ku ai vetë të komandonte kur shkruante këto radhë ndër të tjera në platformën e tij për ristrukturimin e PS-së?

“Në të kaluarën janë verifikuar shumë problematika të cilat kanë një ndikim negativ në reputacionin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Këtu më poshtë po paraqesim disa nga këto problematike që kanë nevojë për trajtim: Rezultojnë shumë të emëruar pa rekomandimin e strukturave të partisë.

Rezultojnë shkelje thelbësore të marrëveshjeve PS – Aleatë për ndarjen e pushtetit në dëm të PS-së, e shprehur kjo veçanërisht në punësime të shumta të Aleatëve me qëllim përfitimesh elektorale duke kanibalizuar mbështetjen dhe anëtarësinë e Partisë Socialiste.

Në të gjitha nivelet e strukturave të PS në nivel vendor kryhet punë dhe angazhim i pakualifikuar, pa ekspertizë, pa standarde dhe pa asnjë manual apo udhëzues të miratuar nga Partia Socialiste”,-shkruante Kokëdhima në dokumentin e tij të platformës.

Është demokratizim kur punësimet i kontrollon partia dhe kur për emërimet duhet të merrje rekomandim prej saj? Për kë dhe mbi ç’baza partiake Kokëdhima ka dhënë rekomandime për emërimet në jug? A u soll ai si Pashai i Jugut (siç e quajti kolegu dhe oponenti i tij kryesor Fatmir Toçi) duke bërë emërime dhe punësime mbi rekomandime partie, duke shkelur ligjin që përcakton rekrutimet në administratë përmes konkursit?

E vërteta e platformës/ Emërimet

Ja çfarë shkruante platforma “Kokëdhima” për marrëdhëniet e partisë me institucionet dhe emërimet e shkarkimet: “Sektorët e burimeve njerëzore në rajon grumbullojnë informacionet dhe ankesat e qytetarëve për të punësuarit në institucionet publike dhe shtetërore, që janë ose rekrutohen në kundërshtim me ligjet e shtetit. Këto u përcillen institucioneve kompetente për trajtim dhe zgjidhje.

Struktura rajonale e Partisë Socialiste evidenton të gjitha vendet e lira, konkurset dhe aplikimet që hapin institucionet e ndryshme private, shtetërore dhe publike, si dhe organizon punën për njoftimin e kandidatëve të interesuar nga radhët e mbështetësve të PS-së, bën renditjen e tyre në një toplistë sipas të gjitha prioriteteve dhe ndjeshmërive profesionale, ligjore, qytetare dhe politike të vendosura.

Kryesuesit e toplistës i asiston me këshilla dhe trajnim dhe i mbështet me të gjitha mjetet dhe rrugët ligjore për të bërë hapin e radhës në karrierë”. A e ka shkelur ligjin Kokëdhima kur i ka kryer emërimet sipas skemës që vetë e shkroi dhe e zbatoi? Me çfarë përgjegjësie ai anashkalon institucionet përgjegjëse dhe grumbullon vetë ankesa ndaj punonjësve të administratës?

A nuk duhet që këto ankesa të orientohen tek eprorët e institucionit, inspektoratet, ministritë përgjegjëse apo në polici a prokurori? Pse në një institucion partiak të kontrolluar nga koordinatori i partisë? Nëse ka grumbulluar ankesa, si ka vepruar Kokëdhima? Ka propozuar sipas skemës së tij shkarkimin dhe ka aplikuar zëvendësimin? Me çfarë instrumentesh dhe bazash ligjore ai ka verifikuar informacionet e ardhura nga denoncimet qytetare? Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk gjenden as në platformën e Koço Kokëdhimës, e as në shkrimin “e zbardhjes së të vërtetës” së ndarjes së tij me Edi Ramën.

Pretendimi i Kokëdhimës/ Ministrat

Në platformën e tij, Kokëdhima parashikonte rolin specifik të të deleguarve të kryesisë për qëllime të caktuara në bazë, duke parashikuar futjen e tyre në drejtimin e rajonit. “Grupi i Drejtimit të Rajonit do të ketë në përbërje: deputetët përfaqësues të PS në territorin e Rajonit (deputetët e qarqeve përbërëse); kryetarët e Qarqeve përbërëse përfaqësues të PS; prefektët përfaqësues të PS në territorin e Rajonit; kryetarët e Bashkive përbërëse përfaqësues të PS;

ministra, zv.ministra, dhe/ose drejtorë të përgjithshëm të cilët caktohen në mënyrë të posaçme”-thuhet në platformë. Po ashtu, në grupin e kritikave për situatën aktuale, ai thotë se ministrat dhe pushtetarët nuk mbajnë marrëdhënie korrekte me bazën. “Interesat politike dhe elektorale të PS-së nuk kanë qenë gjithmonë prioritet për njerëzit tanë që ushtrojnë pushtet, qofshin këta deputetë, kryetarë bashkie, funksionarë partie, etj.

Shpesh herë këta kanë vepruar larg pritshmërive të publikut, pa standarde profesionale dhe pa politika të shëndetshme. Nuk mund të fitojmë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 duke vazhduar akoma të shiten poste pune, duke bërë emërime nepotike apo me lidhje interesi, apo nëse vazhdojmë akoma me sekserë kullotash, legalizimesh, hipotekash, etj”-thuhet në platformë.

Sjellja e vërtetë/ Kodheli

Por çfarë bëri Kokëdhima kur Mimi Kodheli, ministre në qeverinë Rama, u delegua nga kryesia si koordinatore për rajonin Vlorë-Gjirokastër sapo super-deputeti humbi mandatin? E refuzoi atë dhe i bëri rezistencë, gjë të cilën e pranon edhe vetë gazeta e tij në shkrimin e djeshëm. “Rama de facto e zëvendësoi Kokëdhimën si drejtues në qarkun e Vlorës me Mimi Kodhelin vetëm 24 orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Zëvendësim që përballë peshës reale të Kokëdhimës në qark u anulua, megjithëse me vonesë, gati katër javë më vonë. Janë gjithë këto elemente divergjencash të njëpasnjëshme që e bënë çdo ditë e më të dukshëm hendekun ideologjik midis kryetarit të PS-së, Rama, dhe Kokëdhimës”,-pranon gazeta. Edhe pse Kodheli nuk e tha publikisht, Kokëdhima në gërhimën e fundit të pushtetit të tij në Vlorë, e refuzoi dhe e dëboi Kodhelin, teksa në shkrimin e gazetës pretendohet anulimi i komandimit të saj.

Pjesë nga platforma “Kokëdhima”

Optimizimi i funksionimit dhe rritja e efektivitetit të punës së strukturave të Partisë Socialiste në nivel vendor kërkon tejkalimin e disa hendeqeve objektive të cilat janë verifikuar në të kaluarën. Këtu më poshtë mund të përmendim disa prej hendeqeve kryesore që cënojnë mirëfunksionimin e strukturave të partisë në nivel vendor:

Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara;

Mos fokusimi me kohë të plotë i burimeve njerëzore të angazhuara në strukturat e partisë në nivel vendor;

Mos ekzistenca e strukturave ekzekutive optimale në parti;

Mungesa e sistemi të besueshëm të planifikimit dhe raportimit të objektivave;

Ushtrimi i pushtetit dhe kompetencave në jo pak raste pa parime, pa transparencë, pa kontroll dhe pa raportim;

Gjithashtu, në të kaluarën janë verifikuar shumë problematika të cilat kanë një ndikim negativ në reputacionin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Këtu më poshtë po paraqesim disa nga këto problematike që kanë nevojë për trajtim:

Rezultojnë shumë të emëruar pa rekomandimin e strukturave të partisë.

Rezultojnë shkelje thelbësore të marrëveshjeve PS – Aleatë për ndarjen e pushtetit në dëm të PS-së, e shprehur kjo veçanërisht në punësime të shumta të Aleatëve me qëllim përfitimesh elektorale duke kanibalizuar mbështetjen dhe anëtarësinë e Partisë Socialiste.

Në të gjitha nivelet e strukturave të PS në nivel vendor kryhet punë dhe angazhim i pakualifikuar, pa ekspertizë, pa standarde dhe pa asnjë manual apo udhëzues të miratuar nga Partia Socialiste.

Partia Socialiste e rajonit ndërton një databazë të plotë për të gjitha burimet njerëzore në rajon për të gjitha institucionet publike shtetërore, si dhe ndërmarrjet private, qendrat e banuara dhe partitë politike.

Sektorët e burimeve njerëzore në rajon grumbullojnë informacionet dhe ankesat e qytetarëve për të punësuarit në institucionet publike dhe shtetërore, që janë ose rekrutohen në kundërshtim me ligjet e shtetit. Këto u përcillen institucioneve kompetente për trajtim dhe zgjidhje.

Struktura rajonale e Partisë Socialiste evidenton të gjitha vendet e lira, konkurset dhe aplikimet që hapin institucionet e ndryshme private, shtetërore dhe publike, si dhe organizon punën për njoftimin e kandidatëve të interesuar nga radhët e mbështetësve të PS-së, bën renditjen e tyre në një toplistë sipas të gjitha prioriteteve dhe ndjeshmërive profesionale, ligjore, qytetare dhe politike të vendosura.

Kryesuesit e toplistës i asiston me këshilla dhe trajnim dhe i mbështet me të gjitha mjetet dhe rrugët ligjore për të bërë hapin e radhës në karrierë.
Anëtarët e strukturës rajonale të PS-së mbështetjen për punësim nuk duhet ta përdorin për të privilegjuar familje apo fise të caktuara.

Arsyeja e vërtetë e ndarjes së Ramës me Kokëdhimën

Ndryshe nga qëndrimet parimore të cilat Kokëdhima pretendon se e ndanë me Edi Ramën, e vërteta rezulton ndryshe. Arsyet private duket se janë realet. Krisja e madhe ndodhi kur kryeministri e zhgënjeu superdeputetin Kokëdhima.

Edi Rama nuk e mbrojti atë në betejën me Gjykatën Kushtetuese, duke lënë drejtësinë të veprojë e pavarur, gjë që solli humbjen e mandatit të Kokëdhimës. Kjo gjë duket se i ka dhembur shumë deputetit, aq sa të jetë përcaktues për vijimin e marrëdhënieve mes tyre.

Menjëherë pas heqjes së mandatit, Kokëdhima nisi një gjueti brenda të majtës për të gjetur fajtorin e penalizmit të tij. Fillimisht, ai akuzoi Ilir Metën si faktor ndikues, prej të cilit kërkoi sqarime. Vetë kreu i kuvendit pranoi në media se i ka dhënë shpjegimet përkatëse Kokëdhimës për këtë rast. Kjo ka qenë pika e kthesës, ku Koçoja u afrua shumë me Metën dhe orientoi aksionin e tij duke kërkuar fajtorin e shkarkimit në kupolën socialiste dhe tek Edi Rama.

Këtë e pranon edhe në shkrim gazeta “Shekulli”: “Nuk është sekret se mandati i Kokëdhimës u godit politikisht dhe aspak juridikisht. Në këtë goditje pas shpine që iu bë atij, nuk është e ndaluar të mendohet se rolin kryesor mund ta ketë luajtur lidershipi i PS-së. Kur e gjithë Shqipëria e pranon sot se e gjithë drejtësia është nën influencë politike, përsa Gjykata Kushtetuese do t’i kish shpëtuar një mëkati të tillë?”

Por më herët, ushtrimi i pushtetit të ekzagjeruar e hera herës i kundraligjshëm nga Kokëdhima me investimet dhe emërimet në jug ka sosur durimin e kryeministrit. Marrja e dijenisë se çfarë bënte në të vërtetë superdeputeti, ka sjellë reflektimin e Edi Ramës i cili i ka treguar kufirin Kokëdhimës.

Po ashtu, ankesat e vazhdueshme të socialistëve besnikë e historikë në parti, që kishin derdhur vite kontribute partiake, por që u spastruan nga Kokëdhima në emër të reformës, ishin një arsye jo e vogël që Kryeministri të frenonte revanshin e Koço Kokëdhimës. Këto arsye duket se nuk kanë të bëjnë me parimet, se sa me interesat vetjake të ish-deputetit të Vlorës./shqiptarja.com

Share: