Home KRYESORE Skandal/ Gjenocid në Onkologjik, shkurtohet numri i shtretërve, pacientët në rrugë

Skandal/ Gjenocid në Onkologjik, shkurtohet numri i shtretërve, pacientët në rrugë

Denisa Canameti, Elona Tereziu / Shëndet+

Shërbimi i Onkologjisë në Qendrën Spitalore Nënë Tereza është përballur me një urdhër të paprecedent dhe krejt arbitrar.

Ky urdhër ka shokuar mjekët dhe pacientët, të cilët duket se shumë prej tyre do përfundojnë në rrugë, edhe pse kanë nevojë për një shtrat pas ndërhyrjeve që u bëhen. “Nuk përballohet dot rruga nga Saranda në Tiranë për një të sëmurë, se është lodhje e madhe, përveç lekëve. Këtu vetëm për rrezet ke të drejtë të rrish në spital, për seancat e kimios pastaj do shkosh e do vish”, thotë pacientja Valentina.

E ndërsa mjekët kanë qenë gjithmonë përballë hallit të madh se nuk kanë kapacitete për të pritur pacientët, ata janë ndier të shokuar kur kanë parë se edhe ato pak shtretër që janë po u hiqen.

Shoqata “Together For Life” dhe gazeta “Shëndet+” kane ndjekur problematikat e shumta në shërbimin e Onkologjisë.

Urdhri i Drejtorisë

Drejtoria e QSUT-së ka urdhëruar të shkurtohen shtretërit duke e bërë atë vetëm me 64 shtretër. Gazeta “Shëndet+”, disponon urdhrin e  drejtorisë, edhe pse ky urdhër nuk është  bërë publik.

“Urdhëroj përcaktimin e  numrit total të shtretërve për hospitalizim me 64 shtretër“ nis shkresa e drejtorisë. Urdhri është ekzekutuar pa qenë prezent vetë shefi i shërbimit Agim Sollaku, çka e bën edhe me absurd këtë vendim.urdher1

Mjekët e shërbimit të onkologjikut shprehen se janë në dijeni të urdhrit për përgjysmimin e shtretërve në këtë shërbim. Ata shprehen të indinjuar, por jo në gjendje ta thonë fjalën e tyre me zë e me figurë, për shkak të frikës së ndonjë “hakmarrje” të mundshme nga firmëtarët e këtij urdhri.

“Jemi në dijeni, shprehet njëri nga mjekët, por sigurisht që nuk jemi dakord. Është një vendim jonormal. Si mund të rrijë rrugëve pacienti direkt sapo ka bërë kimioterapi apo rrezatime. Megjithatë, pyesni titullarët, ata që kanë marrë vendimin”.

Burime brenda QSUT-së bëjnë me dije se mjekët e këtij shërbimi kanë hyrë në një konflikt me drejtuesit e QSUT-së, pasi kanë kundërshtuar zbatimin e këtij vendimi.

Ndërkohë, e kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, Dhurata Tarifa ka shprehur pakënaqësinë e saj për çështjen në fjalë:

“Jemi në dijeni të urdhrit, por për këtë duhet të pyesni drejtuesit, jo mua. Puna është se kemi hyrë në një farë konflikti dhe nuk duam të hymë më shumë në konflikt. Pa ta thënë unë, besoj e kupton që përgjysmimi i shtretërve…  nuk është normal. Unë nuk kam asgjë tjetër për të shtuar” tha Dhurata Tarifa, shefe e shërbimit të kimioterapisë.

urdher2Ankesat e pacientëve

Më poshtë po paraqesim ankesat e disa pacientëve:

Agjile Ziu: (068 23 89 422)

Kisha seancën e tretë sot, por më thanë që nuk e bëj dot se nuk ka herceptinë. Ata të javës së kaluar i kanë shtyrë për këtë javë, neve na e shtynë për javën tjetër. Detyrohemi të vijmë edhe njëherë. Po ku t’i gjej unë 12.000 lekë që më bën rruga nga Lushnja në Tiranë. Po të kisha lekë nuk vija vetëm këtu sot, e me bukë e shishe uji me vete, që të mos blej asgjë këtu. Më tha burri në mëngjes të shoqëroj unë. Po me çfarë lekësh!!? Ne me një lopë jetojmë.

Edhe kur bëra rrezet kam ndenjur një muaj e gjysmë këtu në spital vetëm, se nuk kam të afërm këtej, të merrja shtëpi, me çfarë ta merrja. Po unë kam punuar 29 vite për këtë shtet, sot që kam nevojë nuk më nxjerrin as edhe një kemp. Me 6 tetor mbush vitin nga operimi. Heq lekët e bukës së kalamajve që të bëj seancat e kimios. Këta na sorollatin.

Ne e kemi jetën në rreth, punë muajsh e ditësh është, nuk është se do të jetojmë shumë, ndaj i lutemi  shtetit, Beqës, a kush e ka në dorë, që të mendoj për këta pacientë, të mendojë për ne që të mos u kërkojmë më lekë fëmijëve, se po vdesim e i kemi lënë të zhytur në borxhe.

Valentina:

Unë jam diagnostikuar me kancer të qafës së mitrës. Kam mbaruar rrezet dhe katër seanca kimio, kam dhe katër të tjera.  Për fat kam gocën të martuar këtu në Tiranë dhe sajohem tek ajo kur bëj rrezet. Fundjavave shkoja në shtëpi në Pogradec, se në spital shikojini kushtet vetë, këtu vetëm ambienti  t’i ‘’shkurton’’ ditët.

Hikja:

Kam kushërirën time këtu. Ka seancën e katër të kimios sot. Ka qenë me fat se qysh kur e filloi herceptinën e ka marrë rregullisht, se kjo është shumë problem këtu. Në fillim kur bëri rrezet (tek privatët) patën marrë shtëpi me qira, por nuk përballohet dot e po mundohemi t’i ndihmojmë të gjorët, por që është vërtet shumë shumë problem për këta që vijnë nga rrethet. Nuk përballohet dot rruga nga Saranda në Tiranë për një të sëmurë, se është lodhje e madhe, përveç lekëve. Këtu vetëm për rrezet ke të drejtë të rrish në spital, për seancat e kimios pastaj do shkosh e do vish.

Fatimja:

Jam nga Lushnja . Bëj kimioterapin, kam seancën e dytë sot. Shkoj e vij me makinë nga Lushnja në Tiranë sa herë kam seancën e kimios, dhe kur kisha rrezet kështu kam bërë. Më sjell djali me makinë.

QSUT raporton rritje drastike të të sëmurëve me kancer

Informacionet zyrtare nga drejtoria e QSUT-së pasqyrojnë një shifër të frikshme të kancerit. Ata kanë raportuar pak muaj më parë për gazetën “Shëndet+” rritje me shifra alarmante të sëmurëve, ndërkohë sot gjendemi përball shkurtimit të shtretërve duke e bërë më absurd këtë vendim. Tabela në vijim, e cila është zyrtare, flet për një rritje shumë të madhe të kancerit vitet e fundit. Ndërsa vitet 2011-2013 përfshijnë shifrat edhe të spitaleve të tjera të Tiranës, përveçse QSUT-së, vitet 2014 dhe 2015 tregojnë vetëm shifrat në Spitalin Onkologjik. Kështu, rezulton që nga viti 2014 në vitin 2015 ka një rritje prej 56,9% të të sëmurëve me kancer, ndërsa numri shkon nga 3286 në 5158, duke treguar kështu nevojën urgjente për shtimin e buxhetit për këtë kategori.”/Shendeti.com.al

Periudha kohore Nr i rasteve
2011 3317*
2012 3619*
2013 3936*
2014 3286
2015 5158

Onkologjiku-pergjigje-buxheti-fq-1

Share: