Nga Edison Ypi
Kur në televizion nuk ka tjetër gjë për të parë veçse shkuma party ku bibat e mamit budallaqe shpenzojnë paret e vjedhura nga babi hajdut, ku me u fsheh nga këto hajvanllëqe, ku me u arratis nga këto çmenduri ?
Falë Allahut, tanipërtani Shqipëria ka më pak shkuma party se atraksione turistike.
Në perëndim të Baldushkut, veri të Peqinit, lindje të Kavajës, jug të Ndroqit, ndodhet një Parajsë e tërë malore që pret të eksplorohet.
Baldushku është fare afër, shkohet më këmbë dhe me biçikletë. Cecebeci, Shën Kolli, dhe ca të tjerë, ta djegin friksionin e makinës. Një nga katundet ku mund të marrësh frymë lirisht duke thithur ajër pagan, është Vrapi.
Rruga për në Vrap kthen drejt perëndimit në skajin jugor të luginës së Baldushkut.
Dikush thotë se Vrapi është 2 orë larg. Tjetri gjysëm ore. E kështu me rradhë, njëri kaq e tjetri aq, disa me tahmin, disa me të dëgjuar, secili të jep kohën që i është dashur mjetit me të cilin e ka kapur Vrapin ku ndoshta ka qënë ndonjëherë.
Sapo lë asfaltin, brenda pak minutash, nuk të mbetet asnjë dyshim se rruga për në Vrap është e tëra një hukubet me mijëra kthesa dhe miliona gropa mbi tabanin e fortë të një ish kalldrëmi dhe ish asfalti nbetur vetëm copat kalimi mbi të cilat kërkon veshka të forta.
Një Golf nuk ka rezistuar dot. Sapo ka thyer trasmisionin, ka djegur motorrin, diçka e tillë ose të dyja bashkë, dhe ka lënë më këmbë ca dasmorë që s’dihet se çfarë do bëjnë, do vazhdojnë drejt dasmës apo do kthehen nga u nisën me dhurata në duar.
Furgoni i vetëm “i linjës”, me 7 vende por 27 pasagjerë, zvarritet nëpër kthesa duke u kollitur si Djall i plevitosur.
Kthesat e pafundme dhe gropat e panumurta të ngjisin në një lartësi prejnga lugina e Baldushkut fanepset më e bukur se prej çdo këndi tjetër.
Përpara një kamion që ecën me ngadalësi rrënqethëse nuk e hap krahun për qamet. Karroceria mbuluar me mushama, duket si ai kamjoni i filmit “Pagesa e Frikës” që transportonte Nitroglicerinë që mund të shpërthente nga çasti në çast nga përplasja më e vogël po të ecte pak më shpejt. Pas nja njëzet minutash, në një vend disi të gjërë, më së fundi kamioni e hap rrugën. Kaloj. Sipas një kodi të pashkruar mirsjelljeje mes shoferash, e falenderoj me një buri. Nuk përgjigjet. Vështirë të besohet, por meqënse pak konspiracion shqiptarit nuk i bën keq, në mos Dinamit, Tritol. E përforcon këtë hamendje peisazhi malor dhe i gjelbër tamam si ato vendet ku Hollivudi xhiron filmat e makthit.
Golfi i shkalavarur, furgoni i mbingarkuar, kamioni me tritol të hamendësuar, ishin të vetmet mjete me rrota në këtë udhëtim.
Ja, më së fundi, qafa e shumpritur që dukej nga larg. Deri te kjo qafë mund të shihje pak përpëra dhe, po të ktheje kokën, shumë prapa. Këtu e tutje, si pas çdo qafe, mund të shohësh vetëm përpara.
Të tjera kilometra me po ato kthesa që ndjekin përpikmërisht terrenin. Është e qartë se rrugën pa asnjë gërmim dhe asnjë mbushje, pra me shpenzime minimale dhe vuajtje maksimale, e ka projektuar një inxhinier kursimtar.
Pas qafës, pamja është shumë më magjike se lugina e Baldushkut që le pas. Aq e bukur, e butë, e begatë, sa sdi me çfarë ta krahasosh.
Gjatë atyre kthesave, ngaqë sa të ha syri nuk duket as Vrapi as ndonjë katund tjetër, nis e dyshon mos ke gabuar rrugën. Sheh me merak sa naftë të ka mbetur. Sigurohesh për dy batanije që i mban në bagazh për kësi rastesh po të zuri nata ku kalimtarë dhe makina nuk ka, nafta po të mbarohet, celulari të është shkarkuar.
Nuk e ke humbur rrugën. Gjurmët e gomave mbi ish rrugën e ish kalldrëmit të ish asfaltit, nuk të gabojnë. E merr veten. S’ke të ngopur me pamjet magjike që të dalin përpara që aq lehtë asociohen me ngjarje romanesh, ku janë bërë luftra, dashurira, duele, intriga.
Pas njërës prej kthesave, ja më së fundi Vrapi.
Vrapsit, vrapistët, vrapianët, vrapiotët, vrapalinjtë, quaji si të duash, të sjellshëm, të butë, të qetë, i ofrojnë udhëtarit të lodhur të gjitha të mirat e botës; ujë, kafe, cigare, muhabet. Gjatë muhabetit, fill një ftesë e sinqertë;
-Rrim sonte, therim pula, i pjekim, ja shtrojm me mish e pilaf e raki.
-Jo-jo, sjam i salltaneteve. Dua ta këpus me dorën time një fik nga dega, dhe një gotë ujë kroi, kaq dua.
-Mos luj venit. Nga dega, nga rrënja, këpusim ne për ty çfarë të duash ti; Fiq Vrapi, kumlla Vrapi, rrush Vrapi, mollë Vrapi, vetëm ulu pak, bëjmë pak muhabet.
-Për çfarë të bëjmë muhabet ?
Shohin njëritjetrin në sy.
-Për rrugën pra. Dum rrugë. Po fikemi, po ngordhim, po vdesim, për rrugë.
I hedh një sy fshatit.
Vrapi është ku qan qameti. Në grykën ku është strukur duket si ca rraqe të hedhura në kosh.
Asnjë shtëpi e re. Ambulanca, shkolla, për ibret.
Përveç furgonit gërrhitës të linjës, asnjë makinë tjetër nuk vjen këtu.
Në thellësi të mirditës, martaneshit, gramshit, labërisë, në asnjë vend të Shqipërisë nuk ka një fshat kaq të bukur dhe kaq të varfër.
Gur kilometrik ! 32 kilometra nga Tirana. Dikush thotë se nga asfalti i Baldushkut e deri këtu janë 11 kilometra. U dukën më tepër, shumë më tepër, por ja që aq janë.
Poshtë në luginën që lashë pas, si në gjithë fshatrat e Shqipërisë ka shtëpi dhe vila të reja me të ikë menia. Këtu asgjë e re. Këtu ora ka ngecur në vitet ’50. Tmerr e shkuarr tmerrit. Parajasën dhe Ferri janë me miliona kilometra larg njëritjetrit. Baldushku dhe Vrapi jo më tepër se 11.
Në horizont asnjë katund. Pyes dikend ku janë katundet e tjerë. Tregon me dorë dhe u thotë emrat katundeve që nuk duken.
Fukara, i izoluar, i mjerë, Vrapi duket si ato vendet e paarritshëm të Argjentinës ku janë fshehur nazistët pas luftës. Ndoshta Hitleri është fshehur këtu dhe ka vdekur këtu. I duhet kërkuar varri.
Më rrethojnë pesë a gjashtë adoleshentë tepër seriozë.
-Thuaju nuk duam Internet, nuk duam fejsbuk, nuk duam disko, nuk duam shkuma party.
-Po çfarë doni ?
-Duam rrugën. Duam vetëm rrugën. Bujqësinë, blegtorinë, dhe gjithçka tjetër i bëjmë vetë. Duam vetëm asfaltin e rrugës.
-Pa merak. Do ti them Skënderbeut, Gjon Buzukut, Ali Pashës, Fan Nolit, Ismail Qemalit, Lasgushit, Ahmet Zogut, Shekspirit, Çurçillit, Maksim Gorkit, Pushkinit, Çajupit, të gjithëve do tu them për 11 kilometrat e asfaltit të Vrapit.
-Harrove Obamën, Putinin…
-Edhe atyre do tu lutem për asfaltin tuaj, që sigurisht ju duhet, sigurisht e meritoni.
Qeshin. Më falenderojnë. Ndahemi.
Një mesoburrë më thotë një paradoks rrënqethës; Për shkak të mungesës së asfaltit, çmimi i transportit të materialeve të ndërtimit është aq i lartë sa ndërtimi i një shtëpie të re në Vrap kushton më tepër se në Tiranë.
Përballë kamioni i frikës duke u avitur ngadalë. S’dihet se ku do ndali e kur do shpërthejë, si në atë filmin.
Fare afër Tiranës, tek dera, te pragu, por që duket si në fund të botës, as mëndja smë vajti për të bërë foto në Vrapin që rënkon për 11 kilometra asfalt./mapo.al