Nga Renato Shkulaku
Shqipëria, megjithëse është nje vend i vogël, ka mjaft njerëz të zgjuar dhe të talentuar, ku mund të përmendim shumë nxënës të cilët rezultojnë shkëlqyeshëm në mësime dhe aktivitete të ndryshme. Por kto talente dhe nxënës të suksesshëm janë akoma në hapat e fillimit dhe sigurisht kanë nevojë për kushte dhe mundësi që të ecin përpara. Por fatkeqësisht në vendin tonë, kto mundësi po zvogëlohen dhe nuk po ju kushtohet vëmendja e duhur të rinjve, por përkundrazi, vetëm po luhet me ta, me të ardhmen e tyre. Këtë e vërteton edhe planet e Ministrisë së arsimit për Maturën 2016, të cilët nuk zhvilluan një maturë të “bukur” siç deklaruan në fillim, por një maturë e shoqëruar nga paqartësitë dhe mëdyshjet e shumë maturantëve, të cilët nuk dinin , madje akoma se ç’farë hapash të hedhin për të vazhduar më tej pasi udhëzimet nuk ishin tepër të qarta. Madje në një udhëzim thuhej qe afati i plotesimit te notave mesatare ne sistem eshte nga data 29.07.2016 ora 08.30 deri 10.08.2015, ora 16.30.
Por si ka mundësi, në një gjendje kaq kritike për ne maturantët, të thuhet që afati për hedhjen e notave në sistem të jetë viti 2015? Pra nga këto gabime dhe paqartësi, shikojmë një paaftësi të drejtuesve, që siç duket po rendin pas pushimeve, në vend që të merren me hallet e mijëra maturantëve. Për shkak të këtyre problemeve, të cilat ndikojnë në vazhdimin e jetës sonë, une si maturant e ndjej të nevojshme që të ndaj disa këshilla me nxënësit që do bëhen maturantë vitet e ardhshme dhe me të rinjtë e talentuar.
Fatmirësisht shumë prej jush janë nxënës shumë të mirë në mësime, dhe shumë të tjerë ndriçojnë në fusha të ndryshme si muzikë, futboll etj. Por fatkeqësisht jemi në vendin e gabuar, jo se vendi ynë nuk na i plotëson kushtet, por për shkak të atyre që kanë drejtuar dhe drejtojnë këtë vend, pasi ata nuk ju vlerësojnë për aftësitë tuaja, por mendojnë vetëm për interesat vetjake.
Prandaj për shumë nxënës ,këshilla ime, është që përveçse të shkëlqejnë në mesime, ti përkushtohen sa më shumë anglishtes, pasi është mënyra dhe zgjidhja për të fituar një mundësi studimi në vendet e tjera, sidomos në Amerikë apo Europë. Pasi andej vërtet do vlerësoheni për atë çka jeni, dhe jo për atë që duan të tjerët të jeni. Edhe pse ju e dini këtë, që Amerika dhe Europa janë rruga që të bëheni dikush në jetë, ju nuk duhet të ndiheni të pafuqishëm për ti arritur ato vende.
Por vetëm me përkushtim dhe vullnet nga ana juaj, dhe sigurisht me kërkimin e informacioneve në intërnet apo diku tjetwr, mund tia arrini të fitoni bursa në këto vende, pasi vërtët ato japin mundësi për këdo, vetëm mjafton të jeni të shkëlqyer, e cila varet vetëm nga ju. Gjithashtu e njëjta gjë vlen edhe për të rinjtë e talentuar.
Imagjinoni një djalosh të varfër por të talentuar në futboll në Shqipëri dhe në Brazil. Djaloshi nga Brazili, duke shkëlqyer nga talenti i tij, do tërheqi me patjetër vemendjen e ndonjë talentzbuluesi dhe pak nga pak, ai do luajë për skuadrat braziliane dhe më vonë arrin kulmin, duke luajtur në Europë, në skuadrat më të mëdha të kontinentit. Ndërsa i riu shqiptar, pavarësisht talentit të tij, nuk do vlerësohet nga askush, por pak nga pak, ai do e harrojë talentin, dhe do përfundojë në të ardhmen duke bërë diçka tjetër, edhe pse pasion ka pasur futbollin.
Prandaj nga ky shembull, shohim se shumica e të rinjve ktu , zhgënjehen nga fati i tyre. Prandaj shfrytëzimi i mundësive jashtë shtetit nuk duhen neglizhuar por duhen marrë seriozisht sa jeni në kohë. Por nëse fatmirësisht arrini ta fitoni këtë mundësi fantastike, ju kurrë nuk duhet të harroni vendin tuaj, por përkundrazi ju duhet të luftoni, të luftoni për ta bërë një vend sa më të mirë, dhe të përshtatshëm për të ushtruar talentet tona.
Të luftoni për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian, ku të rinjtë Shqiptarë dhe talentet e tyre do vlerësohen në maksimum, pasi ata do jenë e ardhmja e Shqipërisë. Prandaj shqyrtojini me kujdes mundësitë tuaja për të studiuar, për të jetuar jashtë shtetit dhe të bëni diçka për vendin tuaj, sepse që këtu është shumë e vështirë, pasi shumë prej të rinjve, duke jetuar në Shqipëri bëhen “lodër” në duart e të tjerëve dhe do e kenë të pamunduar të bëjnë diçka për vendin.
Por nëse rinia,si ata që janë jashtë edhe brenda, bashkëpunojnë, vetëm për interesat e vendit tonë dhe jo vetjake, atehër mund të arrihet jo diça, por gjithçka. Fati, për ta bërë vendin tonë sa më të mirë, fati për të siguruar të ardhmen tonë dhe të familjeve tona, është në dorën e se cilit prej nesh. Prandaj ne duhet të bëjme zgjedhjet e duhuara në mënyrë që të zgjidhim problemet që na karakterizojnë sot. Kjo gjë arrihet vetëm duke ndihmuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin.