“Tika” turke është ri-shfaqur në skenë. Ajo po vazhdon ta përdorë mundësinë e krijuar nga autoritetet kosovare për ta shtrirë ndikimin turk në vend. Të enjten, kjo organizatë ka vendosur orë me flamuj të Turqisë në Shkollën “Elena Gjika” në klasat e nxënësve, të cilat janë duke u ngjyrosur me shpenzime të saj. Nga aty janë hequr fotografitë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Por, cila është historia e kësaj organizate që madje edhe vetë mediat turke e lidhnin me terrorizmin islamik, Al’Kaidën e ISIS’in
Organizata shtetërore turke “Tika” që operon në Kosovë ka shkaktuar të ënjtën reagim edhe të institucioneve shtetërore kosovare pas një veprimi që kjo organizatë ka bërë në një shkollë në kryeqytet.
“Tika” që e ka rinovuar shkollën Elena Gjika” në Prishtinë kishte hequr fotografitë e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, njërit nga luftëtarët më të zëshëm kundër Perandorisë Osmane në Europë dhe duke i zëvendësuar ato fotografi me orë muri me flamuj turq.
Reagimi i dramaturgut Gani Mehmetaj në profilin e tij në Facebook për këtë veprim të “Tika’s” nxiti edhe reagimin edhe të pushtetit lokal, ku zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi ka thënë se Drejtoria e Arsimit i ka dhënë urdhër shkollës që të hiqet orët nga klasat dhe gjithçka të kthehet në normalitet.
Por, Vraniqi i partisë Vetëvendosje që mban pushtetin në Prishtinë tha që fotografitë e Skënderbeut nuk i ka hequr “Tika”, e megjithatë nuk ka thënë se kush i hoqi.
Por, kush në fakt është organizata shtetërore turke “Tika”, raportet e së cilës me Kosovën nuk kanë qenë gjithnjë të mira.
Gazeta Express vitin që shkoi kishte raportuar për veprimtarinë e kësaj organizate dhe nxiti debat e reagime edhe të përfaqësuesve të shtetit turk në Kosovë kur ri-botoi në artikull të gazetës “Zaman”.
Sipas editorialit të gazetës turke “Zaman” që e kishte publikuar Express, lidhja e TIKA’së e AKEA’së ishte jo vetëm ideologjike por edhe financiare, derisa, autori i editorialit pretendon se evidencat çojnë në konstatimin se “Historia e radikalëve në Kosovë që ngatërron tre shtete”.
Aty flitet për histori rekrutimi në rrymën e islamit ekstrem duke filluar nga viti 1999, që nga paslufta e Kosovës që lidhen me aksione policore të UNMIk’ut, me tendencën e ndikimit turk përmes organizatës IHH- e dyshuar si mbështetës e Al-Kaida’së e deri te aksionet e viti 2014 të prokurorisë kosovare që quan në burg mbi 10 imamë të BIK’ut.
“AKEA është një organizatë e mbyllur nga UNMIKu në Kosovë pas ngjarjeve të 11 shtatorit për shkak të lidhjeve të saj me Al Kaedën dhe mbështetjes së marrë nga sauditët. Me pak fjalë, organizatat e lidhura me Al Kaedën e kanë mbështetur AKEAn që në fillimet e saj. Në rastin e Turqisë, ajo është mbështetur nga Fondacioni i Ndihmës Humanitare (IHH)”, konstatohet në shkrim
Ish-zëvendëskryeministri turk Numan Kurtumlus pati reaguar më vonë duke mohuar pohimet që ndërlidhin me organizatën terroriste ISIS. Ai pati thënë se gjithçka është gënjeshtër dhe shpifje. Agjencia turke ndërkaq në një reagim të saj është distancuar nga Shefqet Krasniqi duke thënë se nuk mbanë përgjegjësi për të, pasi ai, është i emëruar nga Bashkësia BIK’ut.
Gazeta pati publikuar një shkrim të gjatë ku bëri një përshkrim të arrestimeve në Kosovë për mbështetje të grupeve radikale islamike dhe mbështetjen e tyre financiarisht nga qeveria turke me fonde. Shkrimi me titull: “Kë ndihmon me të vërtetë TIKA?” hedh dritë mbi aktivitetin e shoqatave të mbështetura nga TIKA dhe lidhjet e tyre me grupet xhihadiste duke akuzuar drejtpërdrejt këtë të fundit se ka mbështetur grupet xhihadiste në Kosovë.
“Kë ndihmon me të vërtetë TIKA? Përgjigja e kësaj pyetjeje i jepet drejtpërdrejtë nga aksioni kundër ISIS-it dhe Al Nusras në Kosovë. Një ndër shoqatat e mbështetura nga TIKA është edhe Asocacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsimim (AKEA), nën ndikimin e Ahmet Davutoglusë. Të gjithë drejtuesit e kësaj shoqate janë nën ndikimin e njerëzve të partisë AKP”, -shpjegohet në shkrim.
Më tej, gazeta turke vijon: “Këta njerëz vijnë shumë shpesh në Turqi duke u takuar me drejtuesit e tyre këtu. Lidhjet e kësaj shoqate me TIKA-n dhe Yunus Emren janë të dukshme. Personi kyç, Ilir Gashi do të deklaronte në 2012 se po i zhvillonin aktivitetet e tyre nëpërmjet mbështetjes së TIKA-s dhe shoqatës tjetër IHH. Jemi ndjerë të nderuar që na ka vizituar edhe Ahmet Davutoglu dhe personalitete të tjera”.
E fill pas publikimit të këtij shkrimi, në adresë të Gazetës Express kishte ardhur një reagim i ish ambasadores turke në Prishtinë, Songul Ozan që kundërshtonte artikullin.
Ajo në këtë artikull si fakt që këto pohime të “Zaman” ishte që ky medium ishte ballafaquar me padi dhe më pas ishte detyruar ti përgënjeshtrojë pohimet për TIKA’n turke.
Por tashmë pranohet botërisht që Ankaraja zyrtare më saktë, Presidenti Recep Tayyip Erdogan( më parë edhe Kryeministër), vazhdimisht në mediat ndërkombëtare është akuzuar se ushtron kontroll në Gjykata dhe në media. Ai madje njihet edhe për ndalimin e ëebsitet’it për shpërndarjen e videove You Tube, me pretekst të cenimit të sigurisë nacionale të Turqisë, e për burgosje dhe persekutim të gazetarëve dhe të aktivistëve të shoqërisë civile.
“Tika” turke në Kosovë është shumë e lidhur me organet shtetërore përmes projekteve si donacion që ajo jep në shumë fusha, por një fokusim i tyre ka qenë trashëgimia kulturore ku ata kanë kryer edhe restaurime, për cilësinë dhe ndërhyrjet eventuale në ndërrimin e fakteve historike në to nuk ka një raport ekspertësh./Ekspres