Home KRYESORE Verejtjet e demokratëve, Majko: Nuk lëvizim nga roli i të huajve!

Verejtjet e demokratëve, Majko: Nuk lëvizim nga roli i të huajve!

Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi është mbledhur sot rreth orës 10:20 për tu njohur me vërejtjet e misionit të EURALIUS për opinionet e PD­-së mbi ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Janë 10 çështje që Partia Demokratike kundërshton në ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të argumentuara në detaj në një material prej 55 faqesh.

Ndër të tjera, ekspertët demokratë i rikthehen sërish rolit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit, të cilin nuk e gjejnë të pasqyruar mirë në ligj.

Në përfundim të mbledhjes së sotme të komisionit për reformën në drejtësi, anëtari socialist i tij, Pandeli Majko tha se diskutimet u mbështetën mbi zbatimin e dispozitave të ndryshuara kushtetuese.

“Mendoj se kemi kaluar në një fazë ku më shumë se sa diskutimi i konsensusit, jemi duke diskutuar zbatimin e dispozitave të reja kushtetuese. Sot dëgjuam komentet e përfaqësuesit të BE dhe të OPDAT. E thashë këtë jo në gjuhën e ekspertizës, pasi përfaqësuesi i BE, EURALIUS­-it deklaroi se të gjitha opinionet që ai shprehu për vërejtjet që kanë shprehur kolegët e opozitës, ishin qëndrime të Komisionit Europian.

Ne kërkuam që këto tani të diskutohen me ekspertët dhe ata të na sjellin një material të përmbledhur të atyre që u ra dakord dhe atyre që nuk u ra dakord”,­ tha ai.

I pyetur për rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) Majko u përgjigj se do të jetë po ai rol i shkruar në aneksin kushtetues. “Është një rol që përcaktohet qartë në aneksin kushtetues dhe ne nuk do i lëvizim asnjë presje”, tha deputeti socialist.

Sa i takon procesit të verifikimit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, në kuadër të vetting-ut, Majko tha se ky proces do të bazohet në opinionin e Komisionit Europian dhe atë do ta kryejnë institucione që kanë një eksperiencë kushtetuese, që në këtë rast është Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Ndërsa përfaqësuesi i djathtë, Oerd Bylykbashi deklaroi në fund të mbledhjes se: “U prezantuan komentet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe do të ulen këto ditë ekspertët për të integruar dhe për të gjetur versionin përfundimtar të hartimeve. Është proces hartimi legjislativ, besoj që do mbyllet shpejt”. /BW

Share: