Në një intervistë për radion gjermane, Deutschlandfunk, ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin deklaroi se reforma në drejtësi do të hetojë lidhjet e gjyqtarëve me krimin e organizuar.
“Tingëllon e çuditshme, por në fillim të viteve 1990, të gjithë gjyqtarët ishin të kohës së komunizmit. Më pas nisi një kurs gjashtëmujor për të formuar gjyqtarët e rinj. E gjitha kjo bëri që korrupsioni të jetë një problem i madh i drejtësisë. Me reformën në drejtësi, gjyqtarët do kalojnë në të ardhmen në një proces hetimi, për të zbuluar lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe për të mësuar për të ardhurat e tyre. Nuk është sekret, që disa gjyqtarë këtu janë ndër njerëzit më të pasur në vend- edhe pse marrin 800 euro në muaj”
– Tha ambasadorja Vllautin qe është vendosur në qendër të debatit në Shqipëri për shkak të një raportimi se ajo është hetuar për fshehje pasurie në vendin e saj, në Kroaci.