Home KRYESORE AKIP i përgjigjet me ironi Kryeministrit Rama: Plehrat janë plehra dhe ndosin

AKIP i përgjigjet me ironi Kryeministrit Rama: Plehrat janë plehra dhe ndosin

Aleanca Kundër Importit të Plehrave denoncon fushatën dizinformuese të kryeministrit Edi Rama dhe të segmenteve mediatike ndaj tij mbi çështjen e ligjit për lejimin e importit të plehrave dhe dëshiron të sqarojë opinionin publik se i konsideron deklaratat e kryeministrit gënjeshtra.

Pretendimi i Kryeministrit, i shprehur në disa postime të tij në Facebook gjatë 24 orëve të fundit, se plehrat që do të importohen, nuk ndosin, bie ndesh me bazat e kimisë dhe fizikës. Çdo industri, ricikluese apo jo, kryen procese të cilat shkaktojnë ndotje të ajrit, ujit e tokës ndërsa nuk ekziston sot asnjë lloj industrie që të mos shkaktojë mbeturina të papërdorshme, të cilat do të përfundojnë në tokën tonë përgjithmonë, në rast se ligji i miratuar të enjten në Kuvendin e Shqipërisë, nuk rrëzohet. Industria e çelikut, ajo e ambalazheve të letrës dhe ajo e plastikës, që të gjitha shkaktojnë ndotje.

AKIP i sugjeron kryeministrit Rama të vizitojë ndonjë nga fabrikat e riciklimit të plastikës për të parë nëse aty ka apo jo ndotje. I sugjerojmë gjithashtu që të njohë protokollet e punës në impjante të tilla për të mësuar se të gjithë punonjësit aty duhet të punojnë me maska, se si ajri në këto fabrika duhet të monitorohet në vijimësi për të matur elementët helmues dhe kancerogjenë.

AKIP i sugjeron gjithashtu kryeministrit që, pasi të shohë dhe të ndjejë vetë ndotjen e shkaktuar në secilën nga këto fabrika, të gjykojë nëse ia vlen apo jo për Shqipërinë, që të importojë dhe përpunojë më shumë plehra nga sa përpunon aktualisht dhe nëse këto plehra shtesë do ta shtojnë apo do ta ulin nivelin e ndotjes.

Sa i përket plehrave të krijuara nga riciklimi i plehrave të importuara, AKIP i sugjeron kryeministrit Rama të vizitojë brigjet e lumit Shkumbin për të parë malin me plehra të lëna pas nga kompania Kurum, e cila prej vitesh vijon të importojë skrap për të lënë pas ndotje dhe plehra.

AKIP hedh poshtë gjithashtu pretendimin e Kryeministrit se ligji i miratuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë “është ndryshe” nga ligji i vitit 2011. Në fakt, ligji është po i njëjtë.

Në lidhje me pretendimin e kryeministrit se ligji është kërkesë e BE-së, AKIP thekson se nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë ndonjë kërkesë speficike nga ana e Bashkimit Europian për të detyruar Shqipërinë të importojë plehra. Në të gjitha raportet e progresit, të cilat përgatiten çdo vit nga ana e Komisionit Europian, çështja e ndalimit të importit të plehrave nuk është ngritur kurrë si shqetësim nga ana e Komisionit dhe për rrjedhojë, ky argument nuk vlen. Rregullat e Bashkimit Europian me të vërtetë lejojnë importin apo eksportin e lirë të mbetjeve, por lejojnë gjithashtu dhe nxisin të gjitha vendet anëtare që të menaxhojnë mbetjet e tyre sa më pranë vendit ku krijohen dhe lejojnë çdo vend anëtar që për shkak të kushteve të caktuara teknologjike të ndalojnë importin e mbetjeve apo të nxisin importin e tyre sipas nevojës dhe interesit.

AKIP këshillon kryeministrin të mos fyejë kritikët dhe kundërshtarët e importit të plehrave, pasi fyerje të tilla vështirë se do t’i bëjnë plehrat që ai ka vendosur të importojë, më të pastra dhe më pak ndotëse.

Grupimi AKIP

Share: