Përfaqësuesja e Bankës Botërore Tahseen Sayed e ka cilësuar si ngjarja fatkeqe rrahjen e biznesmenit libanez në Shqipëri si dhe ka bërë thirrje që Shqipëria duhet të sigurojë një klimë biznesi të rangut botëror.
“Incidenti me biznesmenin libanez, një ngjarje fatkeqe. Shqipëria duhet të sigurojë një klimë biznesi të rangut botëror’ deklaroi ajo.
Më pas përfaqësuesja e Bankës Botërore është ndalur te rritja ekonomike e Shqipërisë, kriza e vendeve fqinje dhe rritja e pagave dhe pensioneve.
“Përsa i përket rritjes së pagave dhe pensioneve vitin e ardhshëm, qeveria të gjejë mundësinë përmes administrimit fiskal e rritjes së të ardhurave.
Ekonomia shqiptare performancë pozitive, por rrezikohet nga klima politike. Paqëndrueshmëria politike mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë. Ekonomia shqiptare mund të ndikohet nga situata në vendet fqinje. Shqetësimet mund të vijnë edhe nga Turqia për shkak të lidhjeve tregtare” deklaroi ajo.
Tahseen Sayed ka komentuar edhe debatin e fortë për koncesionin e Rrugës së Kombit duke deklaruar se nuk mund të ndërhyjë mes institucioneve shqiptare.
“Nuk mund të ndërhyjmë mes institucioneve shqiptare për përplasjen mbi koncesionin e Rrugës së Kombit.
I takon ta zgjidhin ministria e Transporteve dhe komisioni i prokurimeve publike. Presim përfundimin e procedurës së apelimit nga ministria”, u shpreh Sayed.