Tashmë është e qartë se ajo që i ndodhi investitorit libanez në autostradën Tiranë-Durrës nuk ishte një sherr banal. Aksidenti kishte qenë preteksti për të kaluar tek dhuna dhe kërcënimet.
Konflikti për pronën në Gjirin e Lalzit, ku po ndërtohet rezorti turistik, dyshohet se është pista kryesore e dhunimit të biznesmenit libanezo-amerikan Faad Mitri. I plagosuri ruhet 24 orë në 24 nga policia në spitalin privat ku po kurohet, për shkak të dëmtimeve të shumta që ka marrë. Ai është marrë në pyetje për të dytën herë nga oficerët e policisë gjyqësore. Kësaj radhe, Faad Mitri rrëfeu se dyshimi kryesor është konflikti që lidhet me çështjen e biznesit. Mitri pranoi se ka pasur kërcënime edhe më parë nga persona që nuk i njihte apo persona që nuk i kishte parë ndonjëhërë. “Gazeta shqiptare”, duke iu referuar burimeve të saj shkruan se dyshohet se pas dhunës barbare të ushtruar ndaj biznesmenit, fshihet një biznesmen nga qyteti i Durrësit.
“Nuk mund të japim asnjë emër konkret për shkak se çështja është ende nën hetim, por jemi duke hetuar mbi një biznesmen nga Durrësi,” thanë burimet. Aktualisht 54-vjeçari ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë./lapsi.al