Nga Blendi Klosi
“Pushtimi i plehrave është i egër, shkatërrimtar i jetës së njerëzve, i çdo krijese të gjallë, degradues i mjedisit, poshtërim i dinjitetit dhe i imazhit të vendit, diskriminim, dhe çdo e keqe që ka një pushtim”, kështu ka shkruar një nga ambientalistët më të mirë të vendit, Profesor Lavdosh Ferunaj, i cili së bashku me pak intelektualë që kanë ngelur sot dhe që luftojnë shumë më tepër për interesin publik se atë privat, së bashku me Kozara Katin, Blendi Kajsiun, Lubonjën, Klosin dhe disa intelektualë të tjerë, ngritën një nga betejat më parimore në Shqipëri në këto vite të demokracisë.
Ngritën një aksion të madh qytetar, atë të luftës kundër importit të plehrave, për të cilin ne, PSja, dje në opozitë dhe sot në pushtet, jemi shumë krenarë që e mbështetëm, pasi ishte një aksion që s’kishte të bënte me interesa personale dhe me interesat e një brezi të caktuar, por kishte të bënte me interesin e brezave të tjerë që do të vijnë në Shqipëri, pasi mënyra se si qeveria e Sali Berishës, qeveri në ikje, por që akoma ka edhe shumë për të treguar që ka ikur, po bënte një aksion thellësisht antidemokratik, në kundërshtim të plotë me interesat e shqiptarëve, në kundërshtim të plotë me opinionin publik dje dhe me 75 mijë firma të mbledhura për referendumin “antiplehrë”. Më këtë referendum u tallën eksponentët e PDsë që në bërjen e tij, pasi u tha se ata nuk janë firmëtarë, por hilacakë, u tallën dhe numëruan fletët një e nga një, që nga Ristani, në atë kohë kryetar i KQZsë, ndërsa sot deputet i PDsë; u tall ishkryeministri Sali Berisha, i cili me vullnetin dhe urdhrin e tij politik e shtyu referendumin në kundërshtim të plotë me ligjin, të paraqitur që në fillim të vitit 2012 për në fund të vitit 2013. U tall edhe Presidenti aktual i Republikës, pasi u caktua data e referendumit 22 dhjetori, datë e përshtatshme vetëm për të festuar Krishtlindjet dhe jo për të thirrur njerëzit në një votim plebishitar; u tall në mënyrë të plotë ky referendum edhe nga këta pushtetarë, që morën një goditje të fortë me votën e qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 23 qershorit. Sjellja ishte krejtësisht antishqiptare, pasi kërkonte ngritjen (dhe u ngrit në Shqipëri) e një industrie të tmerrshme, të importit barbar të plehrave, import i cili tejkalonte në masa shumë të mëdha atë çka vendi prodhonte si mbetje urbane. Sot ka kaluar kohë nga ai miratim, por ne mund të themi se ka kaluar pak kohë parlamentare dhe shumë kohë për mafien e plehrave, që sot ka ngritur një industri të caktuar. Të nderuar kolegë deputetë, Të nderuar përfaqësues të opinionit publik, kam këtu një sërë lejesh të dhëna nga Ministria e Mjedisit të asaj kohe, në përputhje me ligjin dhe në kundërshtim të plotë me interesat e qytetarëve shqiptarë dhe në kundërshtim të plotë me atë çka vendi ka nevojë. Plehrat do të vinin sipas lejeve të dhëna dhe të firmosura nga qeveria e asaj kohe nga e gjithë bota. Do të vinin nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Turqia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Britania e Madhe, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Afrika etj. Dhe e thonë të shkruar: nga toka dhe nga ajri, ngado që të jetë më e leverdishme për ne.
E dini, të nderur kolegë, se sa kompanive u janë dhënë leje vetëm pas miratimit të ligjit? Ja lista e tyre, bërë vetëm në pak muaj të vitit 2012, të regjistruara vetëm për riciklimin e plastikës, për riciklim materialesh të gomuara, skrape dhe riciklim nga të gjitha llojet e mbeturinave. Të gjitha këto, në kundërshtim të plotë me interesat e opinionit publik shqiptar. Kjo ishte një paaftësi totale e qeverisë së kaluar, e cila synonte gjoja përmirësimin e situatës në vend, ndërkohë që ajo keqësohej përditë e më shumë. Ajo çfarë ndodhi me lumenjtë shqiptarë në qeverinë e Sali Berishës, me gjithë pikat e nxehta të mjedisit të vendit, ka qenë një tragjedi më vete, pasi jo vetëm që s’u pastruan mbetjet e vendit, por ardhja e atyre me shumicë nga jashtë ndikoi shumë më tepër në shtimin e tyre. Ka qenë korrupsion i pastër ajo që ndodhi me gjithë sistemin e menaxhimit të mbetjeve urbane në vend, pasi jo vetëm që nuk u ndihmua industria e vendit, por kudo dhe ngado po vinin plehra nga jashtë.
Lejet e dhëna nuk ishin më për të luftuar menaxhimin e plehrave urbane, por ato u kthyen në vende ku administratorë të niveleve të ndryshme filluan të merrnin përfitimet e tyre të para, jo vetëm për ministrin që jepte lejen, por po të shohësh një lejë, ajo përmban mbi 50 pika ku do të kontrollohet kompania. Më thoni, të nderuar miq, si do të mund të kontrolloheshin ato, si do të vendosej sinjalistika e duhur, të zbatoheshin normat dhe të funksionon rregullat e agregateve teknologjikë të mjedisit, të ndërtohej sistemi i drenazhimit të lëvizjes së ujërave të shiut, të sistemohej gjelbërimi i ambientit, pajisjet nga mbrojtja e zjarrit? Subjekti duhet të bëjë pastrimin e mjedisit në rast ndotjesh, të krijojë kushte për pastrimin e mjedisit dhe atë të pyllëzimit, të ketë mundësi për monitorimin dhe raportimin mjedisor, emërtimin e zhurmave në mjedis dhe një sërë kërkesash, të cilat ishin kthyer në hapësira të korrupsionit të mundshëm për funksionarët e lartë të asaj kohe.
Kam këtu shumë dokumente për dhënie lejesh: Firma EKSI sh.p.k. lejë administrative e dhënë për rrethin e Kavajës, qarku Durrës, komuna Helmës. Kompania tjetër, Shoqëria AnsaMuçaj, Vorë; kompania General Polimerum Recaycle in Albania, GjokajVorë, Recaycle Berat, Exis Polar, Kavajë, Shupenzë, Devoll, Xhafzotaj, Kurum, Elbasan etj. etj., të cilat janë ende të afishuar në siten e ministrisë. E gjithë kjo ishte një histori kriminale, sepse bashkë me plehrat ka pasur hapësira të pafundme për të futur edhe plehra të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë. Ka pasur hapësira të pafundme dhe zero kontroll nga administrata shtetërore. E pamundur në atë kohë dhe e vështirë sot për t’u realizuar kontrolli i mbetjeve radioaktive. Shqipëria ka të instaluar tre skanerë të mëdhenj, të tre jashtë funksionimit; në Durrës, Tiranë dhe Shkodër. Të tre bëjnë sot zero kontroll të lëndëve kriminale, ku mund të futen edhe lëndë të rrezikshme radioaktive. E gjithë kjo ka qenë politikë e antishqiptarizmës, ndërkohë që nga vetë Ministria e Mjedisit, në buxhetin e vitit 2013, u deklarua se për të bërë infrastrukturën e nevojshme të menaxhimit të plehrave do të duheshin rreth 200 milionë euro. Jemi të gjithë dëshmitarë që në buxhetin e fundit të qeverisë së Partisë Demokratike ka pasur zero investime për sa i përket landfillit.
Të nderuar kolegë deputetë, Të nderuar përfaqësues të opinionit publik, Nisur nga shqetësimi qytetar dhe nga fakti se sistemi i monitorimit dhe kontrolli i sistemit tonë doganor, si dhe institucionet e specializuara lënë për të dëshiruar, nisur nga fakti se, edhe pse kanë kaluar dy vjet nga hyrja në fuqi e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, ende nuk ka përmirësim të menaxhimit të mbetjeve në tërësi, qeveria vjen me propozimin për të ndaluar të gjitha llojet e importit të plehrave, përfshirë edhe ato të parrezikshmet. Kjo reflektohet në amendamentin që kërkon Këshilli i Ministrave nëpërmjet iniciativës ligjore me numër 831, datë 15.09.2013, ku propozohet të ndryshohet neni 22 në pikën 3, neni 48 në pikat 1 dhe 2 dhe të shfuqizohet neni famëkeq 49. Ky aksion do të ketë një impakt pozitiv, pasi i jep përgjigje shqetësimit qytetar për ndalimin e importit të plehrave; vë në lëvizje të gjithë mekanizmat dhe aktorët shoqërorë për të grumbulluar, ndarë dhe ricikluar mbetjet që mbulojnë territorin shqiptar; jep kohë të forcohet kontrolli, të rriten kapacitetet monitoruese të sistemit doganor, të aktiviteteve të subjekteve private, duke bindur opinionin publik në forcimin e kapacitetit monitorues që opinioni publik ka.
Pra, të nderuar kolegë deputetë, sot ne, deputetët e Parlamentit shqiptar, deputetët e maxhorancës, po i hapim rrugë një iniciative shumë të fortë të komunitetit civil shqiptar. Ne sot po miratojmë një ligj, që nuk është si ligjet e tjera, por është një nga të paktët ligje që shpreh dhe mbron opinionin publik, është nga të paktët ligje që shkon në interes të 95 për qind të opinionit publik dhe të qytetarëve shqiptarë, është nga ato ligje që nuk ka nevojë më vetëm për votat e 84 deputetëve të Aleancës për Shqipërinë Europiane, pasi ka një milion vota të shqiptarëve të 23 qershorit, është nga ato ligje që nuk ka nevojë të mbrohet vetëm nga ne, nuk ka nevojë të mbrohet nga një milion shqiptarë që votuan qeverinë e Partisë Socialiste, LSIsë dhe të gjithë aleatëve të saj në zgjedhjet e fundit, por është një ligj që shkon në opinionin publik, u shkon brezave shqiptarë, është një ligj që ka maxhorancën absolute të qytetarëve shqiptarë dhe ka kundërshtarë ata që sot mungojnë në këtë sallë.
*Fjala e deputetit socialist në seancën plenare, datë 3 tetor 2013, gjatë diskutimi të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”