Deputeti i Partisë Socialiste, Dashamir Peza, një prej katër deputetëve të maxhorancës që votoi kundër ligjit për importin e mbetjeve dhe mik i vjeter i kryeministrit Edi Rama, sqaroi dje në një intervistë për “News 24” arsyet e këtij vendimi.
Sipas Pezës, Shqipëria, për shkak se nuk i ka kapacitetet monitoruese të kontrollit në dogana, i trembet përfshirjes së krimit të organizuar në fushën e mbetjeve.
Pse votuat kundër ligjit për mbetjet?
Një nga presidentet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (John Quincy Adams) ka thënë:
“Gjithmonë voto për një princip, edhe pse mund të jesh vetëm, që të provosh ndjenjën e ëmbël se vota jote nuk humbet kurrë”.
Për mua tema e ambientit është një çështje madhore, është çështje koshiencës personale përtej kufirit të partive. Unë kam qeneë vazhdimisht konsistent me këtë qëndrim timin dhe këtë e kam shprehur me votë edhe në tetor të 2013 por edhe në nëntor 2011.
Çfarë nuk ju bindi edhe me ndryshimet e bëra në ligj?
Unë nuk kam asnjë dyshim në vullnetin e mirë të kësaj maxhorance lidhur me ndryshimet e bëra por vazhdoj të ruaj bindjen e thellë se praktika e riciklimit të mbetjeve në mbare botën, përfshi këtu mbetjet e parrezikshme apo të rrezikshme, përmban në vetvete rrezikun e përfshirjes në këtë veprimtari të përpunuesve të paskrupullt të mbetjeve.
Problemi i tregtimit ilegal të mbetjeve të rrezikshme është gjerësisht i përhapur edhe në vetë vendet e Bashkimit Europian por dhe në mbarë botën, fatkeqësisht, vetë Bashkimi Evropian nuk ka gjetur ende mënyrat efikase për të luftuar krimin e organizuar në fushën e menaxhimit të mbetjeve, për këtë ndjehem i pasigurt për përfshirjen e Shqipërisë në këtë veprimtari.
Unë nuk besoj se ne i kemi kapacitetet e nevojshme monitoruese dhe aftësinë për të aplikuar një metodologji rigoroze në këtë aspekt. Ka edhe aspekte të tjera por besoj që edhe vetëm kjo mjafton për të votuar kundër këtij qëndrimi të ri.
A ju ka kontaktuar kush pas votimit?
E kuptoj konotacionin e pyetjes suaj. Partia Socialiste është provuar prej kohësh si forca politike më mendjehapur në drejtim të respektimit të opinionit ndryshe, nuk kam pasur as një “kontaktim” të kësaj natyre.
A do e mbështesni ju idenë e referendumit nga shoqëria civile?
Mekanizmi i demokracisë direkte, në kuptimin tim, është një procedurë që ka si qëllim t’ju lejojë qytetarëve të realizojnë vendimmarrje politike drejtpërsëdrejti nëpërmjet votës, pa përfshirjen e Parlamentit apo qeverisë.