Home KRYESORE Deputetët e PD-së shohin nga afër pistën e avionit të Ishmit

Deputetët e PD-së shohin nga afër pistën e avionit të Ishmit

Deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike denoncuan sot në terren pistën e avionëve të ngritur në mes të Shqipërisë, në fshatin Ishëm. Ata panë nga afër këtë pistë avionësh 1.8 kilometra e gjatë që sipas gjasave do të përdorej për transport ajror të drogës.

Demokratët thanë se ajo është ngritur me dijeninë e qeverisë dhe me mbështetjen e saj dhe se kjo është prova e radhës që tregon lidhjen e fortë të kartelit të drogës me Edi Ramën, provë që flet për lehtësitë që kanë trafikantët për të ndërtuar edhe pistë avionësh pa i shqetësuar njeri. Bashkë me deputetët, Edi Paloka, Arben Ristani, Alban Zeneli, Keltis Kruja dhe Flamur Noka, ishin nje grup gazetarësh të ftuar nga Partia Demokratike për të denoncuar shkallën esktremisht të lartë të mbulimit të vendit nga droga.

Nënkryertari i Komisionit të Sigurisë kombëtare në Kuvend, Flamur Noka tha se pista të tilla ndërtohen vetëm në Shqipëri, Kolumbi dhe Venezuele.

“Siç e shihni, pas nesh është një avion i rënë në tentativë për të bërë trafikun e drogës. 2.5 km, maksimumi 3 km larg aeroportit “Nënë Tereza”, karteli i drogës ka ndërtuar aeroportin e quajtur “Saje Qorri” . Qeveria e kartelit që pretendon dhe kontrollon gjithë territorin na demonstron sot këtu që qenka ndërtuar një pistë, sipas tyre jashtë dijenisë së tyre.

Në fakt kjo qeveri e kontrollon gjithë territorin e vendit dhe ky avion, kjo pistë e ndërtuar këtu, demonstron qartësisht që gjithçka është bërë me miratimin, nën kontrollin dhe nën mbikëqyerjen e kësaj qeverie. Pista të tilla të kartelit të drogës kanë ndërtuar dhe kanë mundur të ndërtojnë vetëm në Kolumbi dhe në Venezuelë.

Shqipëria është vendi i tretë në botë ku kartelet e drogës, përpos mbjelljes dhe trafikut të drogave, e kanë të gjithë komoditetin dhe mundësinë për të ndërtuar edhe pista”- tha Noka.

Share: