Home KRYESORE Burri…!

Burri…!

Nga Pastor Akil Pano

(Një ndihmë e vogël për të dalluar burrin nga mashkulli. Jo vetëm për gratë dhe vajzat!)

Çfarë në të vërtetë është burri?

Nëse pyetja do të ishte: çfarë është një mashkull? Përgjigja është më e thjeshtë, por çfarë është një burrë? Pikërisht këtu çështja komplikohet.

Ju ka rastisur ndonjëherë të dëgjoni ato të seksit më të brishtë të cilat të tërhequra nga silueta e një të riu shtatlartë, të thonë:

“Çfarë mashkulli!?”

Nuk është e vështirë të gjendet një mashkull. Dhe speciet për nga natyra me një inteligjencë më të ulët nga ajo e njeriut janë në gjendje të sjellin në jetë meshkuj, madje meshkuj cilësor. Por mashkulli i këtij lloji mund të jetë mbështetje e mirë në një, mbase dy fusha; jeta ka shumë të tilla.

Meshkujt prej natyre mendojnë që mund të shkëlqejnë në çdo fushë të jetës.

Këtu ngatërrohen punët në lëmin tonë…

Shumë meshkuj i kanë hyrë politikës, por burrat mungojnë. Meshkujt na qeverisin prej dekadash, burrat janë në mungesë. Nëse ndonjëherë ju ka ndodhur të jeni zhgënjyer prej një burri, përshkak se nuk ju ka mbajtur premtimin, mos e bëni me faj… në fakt jeni ju ata që keni gabuar në vlerësimin tuaj. Ata që ju kanë zhgënjyer në mosmbajtjen e premtimeve, thyerjen e besës, shkaktarët e lotëve, janë meshkujt, burrat s’janë të tillë.

Ndaj mos u a llogaritni fajin arsyes së trishtë të lotëve tuaj, thjesht mendoni se janë meshkuj dhe se këta mund t’i lindë çdo specie prej natyre inferiore nga ajo e njeriut.

Rraca e meshkujve që prej padijes sillen superior rritet me një shpejtësi marramendëse. Njëlloj si grami në fushë… Kulti i tyre është ‘Vetja,’ e para dhe e fundit në të vetmen gjuhë që zotërojnë.

Modeli që i frymëzon është suksesi, shkalla për të ngjitur, pragmatizmi. Oksigjeni i tyre është egoizmi, pasioni i tyre, aktrimi.

Mbase mendimi se mjaft të jesh mashkull dhe i bën të gjitha, e ka pikënisjen në pritjen plot ankth të baballarëve në oborrin e maternitetit. Gëzimi i ardhjes në jetë të një fëmije mashkull eklipson çdo gëzim tjetër familjar për një kohë të gjatë.

Por vështirë se mendohet nëse një ditë ky mashkull do të arrijë të bëhet burrë.

Makineria e fabrikës tonë socio-kulturore e ka pothuajse të pamundur të prodhojë një stof të tillë. Burri është ai i cili duhet kërkuar më shumë se çdo gjë tjetër në shoqërinë tonë.

Më shumë se profesionisti. Më shumë se intelektuali. Më shumë se akademiku. Më shumë se politikani. Më shumë se biznesmeni punëdhënës. Më shumë se qytetari aktiv i kauzave shoqërore. Sot në kërkim duhet të jetë burri.

Por çfarë është burri?

Ai dallon lehtë nga meshkujt, pasi nënën, djepin dhe shtëpinë e ka ndryshe nga ata. Gjinjtë që e kanë mëndur burrin janë ndershmëria dhe besnikëria. Djepi që e ka përkundur është integriteti. Shtëpia që e ka rritur është virtyti.

Burri lufton për të drejtën pa dhunuar inferiorin e tij.

Ai nuk tërhiqet nga fjala, nuk refuzon të bëjë të mirën dhe nuk hesht përballë së keqes.

Nuk e kënaqin padrejtësitë, por e drejta. Nuk përdor gjuhën e mashtrimit, por armë ka të vërtetën. Nuk përfiton nga pafuqia e të dobëtit, por e ngre atë nga pluhuri ku ndodhet.

Burri fal, toleron, sakrifikon. Ai dashuron, ëndërron, përkushtohet. Mbulon, kërkon dhe pret me durim.

Në martesë ai është sinteza e së fortës dhe së butës. Forca që udhëheq dhe butësia që mbështjell shkrihen brenda tij. Në familje ai është ati i dhembshur dhe njeriu që punon deri në vetëmohim për të siguruar.

Ai është një mik tek i cili mund të mbështetesh.
Burri, ai është esenca, etaloni matës i munguar, kurora e gjithë krijimit. Ai është shëmbëllimi i hyjnores prej nga jemi krijuar.

Ps: burri nuk mund të jetë prodhim i momentit, e as një dëshire çasti. Rrugëtimi i tij nis me nënën, djepin, shtëpinë, ndërsa vazhdon me modelin që e frymëzon dhe betejat e çdo dite.

Uroj që në vatrat tona të rriten burrat e shumëkërkuar.

Miqësisht, A.P

Share: