Home KRYESORE Dokle, Vargu dhe Cela për vdekjen e shtatzënës: Ministri Ilir Beqja eshtë...

Dokle, Vargu dhe Cela për vdekjen e shtatzënës: Ministri Ilir Beqja eshtë i paaftë!

Mjekët thonë se dy kolegët e tyre të arrestuar nuk janë fajtorë për vdekjen e gruas shtatzanë që humbi jetën në maternitetin Koço Glozheni. Përgjegjësia, sipas tyre, është e drejtuesve të sistemit të shthurur mjekësor. Kardiologu, Petrit Vargu e ka ngritur gishtin mbi drejtoreshën e QSUT-së, Ogerta Manastirliu si dhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Mjekja obstetre-gjinekologe në maternitetin “Koço Gliozheni”, Anika Dokle, në një reagim shprehet se në maternitetin e ri ka mangësi të theksuar të aparaturave dhe se mungon infrastruktura për kirurgji abdominale.

Mjeku imazherist, Maksim Çela, ngre si shqetësim edhe mungesën e profesionalizmit të mjekëve, dhe sidomos atyre në Urgjenca, ndaj kërkon ndryshimin e kurrikulave.

*PETRIT VARGU *

“Sistemi i urgjencës shëndetësore është totalisht i gabuar. Të gjithë i kemi parë rastet kur pacientët mjekohen nëpër stolat e urgjencave. Për tragjedinë e dyfishtë që ndodhi më 16 shtator, me vdekjen e nënës dhe foshnjës, nuk duhen fajësuar mjekët, por sistemi, i cili ka mangësi të mëdha. Mjekët janë heronjtë që u shërbejnë pacientëve në çdo moment. Kur ka sëmundje komplekse, gjithçka duhet të jetë e organizuar për të pasur ndërhyrje urgjente. Fatkeqësisht 70% e mjekëve roje në QSUT janë specializantë. Kjo tregon se urgjenca e spitalit universitar është nën nivelin e spitaleve rajonale. Pasi në spitalet rajonale rrinë mjekë seriozë dhe jo specializantë të vitit të dytë si ndodh rëndom në QSUT, kur ende nuk kanë hapur 30% të librave”, – tha mjeku kardiolog, Vargu.

Sipas tij, kjo ndodh sepse QSUT-ja konsiderohet ‘vilajet’ i disa profesorëve, të cilët e përdorin sipas interesave të tyre.

“QSUT-ja konsiderohet si ‘vilajet’ i disa profesorëve, që e trajtojnë këtë pronë publike që mbahet nga taksapaguesit, si pronë të tyren. Situatë e tillë është në Neurologji apo dhe në Kirurgji”, – sqaroi mjeku Petrit Vargu. Përgjegjësit kryesorë sipas tij janë drejtoresha e QSUTsë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pasi nuk janë të fushës së mjekësisë dhe janë të paaftë të menaxhojnë sistemin.

“Ka një shthurje totale të sistemit shëndetësor. Dhe, nuk duhet të kujtohemi vetëm kur vdesin njerëz. Duhet një riorganizim i gjithë urgjencave. Por drejtoresha e QSUT-së dhe ministri i Shëndetësisë janë të paaftë për ta bërë. Kjo ndodh kur nuk kanë parë stetoskop me sy. Nuk mund të përmirësosh sistemin nëse nuk ke veshur ndonjëherë përparëse të bardhë”, – shprehet Vargu për “GSH”.

*ANIKA DOKLE *

“Morti ka rënë jo vetëm në shtëpinë e Aidës, por në shtëpinë e të gjithëve. Në kushtet kur në maternitet mungojnë resurset imazherike të sofistikuara, mungon infrastruktura për kirurgji abdominale, në kushtet kur koordinimi i urgjencave nuk është në dorën e mjekut, por të një strukture tjetër larg maternitetit, në kushtet kur reanimacioni i maternitetit nuk funksionon si një njësi e vërtetë e terapisë intensive, çfarë duhet të bëjë një mjek obstetër para një diagnoze të vështirë në kushtet e shtatzënisë?! Nuk ka asnjë mundësi veçse ta përcjellë pacienten drejt spitaleve që përmbushin këto kushte”, shprehet Anika Dokle.

Më tej në reagimin e saj ajo thotë se, përgjegjësitë duhet të ndahen dhe se 35- vjeçarja Aida Çajka dhe Helidon Klosi janë viktima të sistemit shëndetësor tërësisht të kalbur. “Përgjegjësitë të proporcionohen! Në ketë histori ka përgjegjësi klinike dhe administrative. Të hetohet thellë, që të mos ketë Aida dhe Helidonë të tjerë në këtë vend, viktima të një sistemi tërësisht të kalbur”, thekson Anika Dokle, mjeke obstetre në maternitetin “Koço Gliozheni”.

*MAKSIM ÇELA *

“Sot dëgjova çudinë e radhës, ku ministri Beqaj tregoi se vdekja tragjike në maternitet ka ndodhur për arsye të ‘hemorragjisë në shpretkë’. Në fakt, gjatë praktikes sime si mjek, këtë sindrom nuk e kam hasur; hapa shumë libra, por nuk pashë hemorragji nga shpretka. Pra nuk e kuptoj ku e kanë psonisur ‘këtë diagnozë’. Sipas raportimeve të familjarëve, duke hequr pjesën subjektive (pritjes, barelave etj.), duket se ajo ka qenë një gjendje shoku hemorragjik, ku hemoglobina po binte me shpejtësi. Mendoj se është gabim të sorollatet 5.5 orë në QSUT, Sanatorium.

Mjekët që kanë pritur të sëmurën, duhej ta dinin se në tilla raste shoku, ka një protokoll në botë që quhet FAST (focused abdominal sonography technique), e cila për tre minuta të vë në dukje diagnozën e shokut hemorragjik, e cila bëhet vetëm me një EKO të abdomenit. Ky gabim ndodh sepse ata kanë mbaruar për obstetri dhe në kurrikulumin e tyre nuk e kanë bërë këtë lloj ekzaminimi. Mendoj se nga ky rast duhet të nxirren mësime që në kurrikulumin e mjekëve obstetër të Urgjencës duhet futur EKOGRAFIA E URGJENCES, e cila sot në botë është degë me vete”, thekson Çela, profesor në fakultetin e Mjekësisë./Gazeta shqiptare

Share: