Home KRYESORE Hipoteka për 5 mijë familje brenda 30 ditëve

Hipoteka për 5 mijë familje brenda 30 ditëve

Certifikata e pronësisë për ndërtimet pa leje dhe për tokën mbi të cilën është kryer ndërtimi do të jepen brenda 30 ditëve dhe qytetarët nuk do të shkojnë më në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por do të jetë vetë ALUIZNI, që do zgjidhë këtë proces. Përfituesit e parë nga lehtësimi i procedurave të reja do të jenë të gjitha ata qytetarë, të cilat kanë marrë lejen e legalizimit gjatë gjysmës së parë të muajit shtator, ndërsa nga udhëzimi që nis të zbatohet nga e hëna e në vijim, bien edhe kamatëvonesat, që deri më dje kanë penalizuar me qindra qytetarë.

Udhëzimi

Dy drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, Artan Lame dhe Ilirjan Muho kanë shpjeguar procesin që do të ndjekin zyrat e ALUIZNI-t dhe Hipotekës, duke e ilustruar këtë edhe me shembuj të thjeshtë. Për kreun e ALUIZNI-t ky është vendimi më i rëndësishëm i ndërmarrë gjatë 3 viteve të fundit, pasi eliminon shumë praktika burokratike. “Duke filluar nga e hëna, qytetarët të cilët legalizojnë banesat e tyre, nuk do të aplikojnë më pranë ZRPP-ve (zyrave të Hipotekës) për regjistrimin dhe marrjen e certifikatës së pronësisë. Këtë proces kompleks, që prej të hënës do ta kryejnë Drejtoritë përkatëse të ALUIZNI-t në bashkëpunim me zyrat e ZRPP-ve. Na u deshën disa muaj për të ndryshuar dhe përshtatur procedurat ligjore. Unifikuam sistemet e operimit për të mundësuar shkëmbimin dhe dërgimin e informacionit “on line” me ZRPP”, është shprehur Lame, duke shtuar, se me fillimin e zbatimit të udhëzimit, do të jenë fillimisht rreth 5000 familjet e para që do marrin lejen e legalizimit dhe nuk do kenë më nevojë të shkojnë në zyrat e Hipotekës, duke liruar sportelet për qytetarët që kanë probleme të tjera me këto zyra”.

Risitë

Dy janë risitë e marrëveshjes së lidhur për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve pa leje legalizimi dhe hipotekë për banesat që disponojnë. Ato i ka komunikuar drejtori i ZRPP-së, Ilirjan Muho. “Risia e parë tashmë është fakti se për qytetarët shmanget një sportel. Nëpërmjet tij, nuk është më e nevojshme që qytetarët të paraqiten pranë zyrave tona për të aplikuar, pasi këtë detyrim e marrin përsipër zyrat e ALUIZNI-t. Janë ato përgjegjëse tashmë që pas përfundimit të procedurave për dhënien e lejes së legalizimit kanë të drejtën të aplikojnë online në sistemin tone”, ka thënë kryeregjistruesi. Duke folur për afatet dhe rolin që do të kenë qytetarët në proces, Muho ka shtuar se do të mjaftojnë 10 ditë për dokumentin e fundit, dhe në rast se do të hasen paqartësi, sërish qytetarët nuk duhet të shqetësohen. “Brenda 10 ditëve specialistët duhet ta trajtojnë këtë aplikim dhe në rast se gjatë këtij trajtimi do të ketë nevojë të sqarohet një paqartësi ose situatë, ky komunikim do të kryhet vetëm me zyrat e ALUIZNI-t. Pra, qytetarët do të jenë plotësisht të çliruar nga kjo lloj përgjegjësie, pasi do të jenë zyrat e ALUIZNI-t përgjegjëse për komunikimin me qytetarët. Në momentin e përfundimit të shqyrtimit të kërkesës; pra në momentin që ajo trajtohet pozitivisht, atëherë qytetarët duhet të paraqiten në zyrat tona për të aplikuar dhe për të tërhequr dokumentin e pronë- sisë”, tha Muho. Pra, me rregulloren e re qytetarët do të paraqiten në zyrat e Hipotekës vetëm në momentin e aplikimit dhe tërheqjes së dokumentit të pronësisë.

Ndryshimet

Ndërkohë Muho ka folur edhe për një tjetër risi, e cila është parë e udhës të vihet në zbatim, për të hequr penalitetet ndaj familjeve, të cilat paguanin kamatëvonesa për shkak se për arsye të ndryshme nuk arrinin të merrnin shërbimin në kohë në ZRPP ose nuk paraqiteshin në sportel. “Shpesh gjatë trajtimit të kërkesave, të procedurave për qytetarët ishte aplikimi i kamatëvonesave që vinin për shkak të mosaplikimit brenda afatit. Dhe çfarë ndodhte konkretisht. Ndodhte që zyrat e ALUIZNI-t kishin dhënë lejen e legalizimit, dosja ishte dërguar pranë zyrave tona, por qytetarët për shkak të mungesës së informacionit aplikonin në zyrat tona përtej afatit ligjor, pra përtej afatit 30-ditor dhe në momentin që paraqiteshin në zyrat tona ishin të detyruar të aplikonin dhe kamatëvonesën”, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje kryeregjistruesi, duke shpjeguar më tej edhe procedurën e re. “Me këtë ndryshim të rëndësishëm tashmë ky problem nuk do të ekzistojë më, pasi e drejta për të aplikuar i ka kaluar zyrave të ALUIZNI-t dhe sistemi jonë është i gatshëm të pranojë aplikime nga të gjitha drejtoritë e ALUIZNI-t , në dispozicion të specialistëve të dy institucioneve, qoftë të ALUIZNI-t, qoftë të ZRPP-ve, tashmë është një manual përdorimi, i cili tregon në mënyrë shumë të thjeshtuar të gjithë procesin që do të ndodhë nga momenti i aplikimit deri në momentin e trajtimit të kërkesës së tyre”, ka përfunduar Muho.

Shqyrtimi, qytetari e ndjek nga shtëpia

Sipas marrëveshjes së re, drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t, do të paraqesin kërkesën për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes. Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t në një formular tip. Aplikimi nuk do të kushtojë dhe do të kryhet në formë elektronike, përmes sistemit dixhital. Në të dhënat që shënohen për regjistrim formulari përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital. Njëkohësisht, me aplikimin elektronik, Drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e plotë, i përcaktuar ky edhe në pikën 10 të VKMsë “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. Dokumentacionit, sipas kësaj pike, i bashkëlidhet edhe një kopje e printuar e formularit të aplikimit. Aplikimi kryhet vetëm një herë, ndërsa veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur “kërkesës për regjistrim”, kryhen nëpërmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve.

Afatet

Regjistruesi, brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë. Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, Zyra e Hipotekës i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP- së. Regjistruesi, në rast se konstaton që ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi, që e detyrojnë të mos kryejë regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t për plotësimin e tyre brenda afatit të përcaktuar në udhëzim. Regjistruesi është i detyruar të kryejë regjistrimin brenda 10 ditëve nga data e plotësimit dhe ridërgimit të dokumentacionit nga drejtoria e ALUIZNI-t. Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë.

Leja

Sipas udhëzimit, pas marrjes në shqyrtim të aplikimit, regjistruesi vijon me regjistrimin e lejes së legalizimit të ngritur mbi truallin e një objekti që rezulton i shembur, dhe për këtë mjafton që subjekti të depozitojë pranë ALUIZNI-t deklaratën noteriale të prishjes së objektit, shoqëruar me vërtetimin nga njësia administrative që ky objekt nuk ekziston më. Ky dokument përcillet pranë ZVRPP-së së bashku me dosjen e plotë të dokumentit për pronën. Regjistrimi i lejes së legalizimit të miratuar për objekte, të cilat nuk kanë të përcaktuara marrëdhëniet me parcelën ndërtimore (truallin), bëhet nga regjistruesi në një kartelë tjetër pasurie, duke bërë edhe shënimet përkatëse, brenda afateve të përcaktuara, sipas rastit në pikat 6 dhe 10 të këtij udhëzimi. Më pas regjistruesi është i detyruar të lëshojë certifikatë pronësie për objektin e legalizuar sipas radhës procedural./ Shekulli

Share: