Nga Gavrosh Levonja
Që institucione të shtetit shqiptar administrojnë të paktën një linjë të trafikut të drogës, nuk e ve aspak në dyshim.
Lidhur me këtë nuk nisem aspak nga ngjarje të tilla si “Piper-ët” në Divjakë e së fundi në Ishëm, nuk nisem gjithashtu as nga guximi jo normal që kanë njerëzit, të cilët blejnë farë kanabisi, mbjellin e kultivojnë pa I u trembur fare syri nga fushatat masive të policisë në asgjësimin e plantacioneve të mbjella me këtë bimë ilegale, e aq më pak nuk ndikohem nga sinjalizimet e “qytetarit digital” të Berishës, që për hir të së vërtetës të gjithë sinjalizimet kanë rezultuar realitet.
Konkluzionin në fjalë e bazoj vetëm në faktin që Shqipëria me gjithë burimet që ka, me gjithë “pasuritë” mbitokësore e nëntokësore, ka qenë është dhe do të jetë një shtet insuficient, me fjalë të tjera nuk mund të mbjetojë pa ndihmën e një shteti të huaj apo një grupimi shtetesh.
Historikisht Shqipëria mbijetesën e saj e ka siguruar falë ndihmave të shteteve që kanë pasur interesa në Shqipëri.
Duke filluar nga viti 1925 kur filloi të funksiononte si një shtet normal e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore Ahmet Zogu arriti të realizonte një zhvillim edhe pse modest të vendit në sajë të ndihmave të Italisë së Mussolinit.
Pas luftës shteti komunist I Enver Hoxhës mbijetoi falë kontributeve të Bashkmit Sovjetik dhe ingranimit të ekonomisë shqiptare në strukturat e KNER (Keshilli I Ndihmës ekonomike Reciproke), një organizëm I krijuar nga BS me qëllim koordinimin e aktivitetit ekonomik të shteteve të kampit socialist për të plotësuar nevojat e njëri tjetrit si dhe për të mbështetur aleatët e pazhvilluar sic ishte dhe Shqipëria.
Pas divorcit me sovjetikët ishte Kina ajo që do të mbante gjallë Shqipërinë komuniste duke ndërtuar një numër rekord fabrikash e uzinash, duke siguruar dhe lëndën e parë për to, pa përmendur “paratë e thata” “cash” që Mao Ce Duni jepte për të mbajtur në kufij normalë nivelin e jetesës së popullit shqiptar.
E megjithatë duke qenë se prodhimet “Made in Albania” gjenin treg vetëm në Lindje duke u shkëmbyer mall me mall ose sic njihej athere “klering”, shteti shqiptar nuk ishte në gjendje të siguronte valutë perëndimore për të cilën kishte tepër nevojë.
Pikërisht, në këtë periudhë, diku nga gjysma e parë e viteve 60-të filloi kontrabanda e cigareve në drejtim të Italisë duke bashkëpunuar me organizata mafioze italiane. Kjo kontrabandë siguronte disa herë më tepër dollarë, marka e lireta se sa gjithë eksportet shqiptare të marra së bashku.
Që athere në Tiranë filluan të binin në sy veturat luksoze të Qazim Myftiut, një kuadër I Sigurimit të Shtetit I cili drejtonte këtë kontrabandë, kontrabandë që do të vazhdonte deri në rënien e sistemit komunist, ndërkohë që Myftiun e kishin spostuar duke e zevendësuar me Lorenc Nënshatin.
Pas ndryshimit të sistemit nuk ka njeri që të mos e dijë që shqiptarët edhe pse u mbyllën pothuajse gjithë fabrikat e uzinat edhe pse rendimenti në bujqësi e miniera ra pothuajsë në zero, shqiptarët pa mohuar problemet që ishin normale dhe për vende të tjerë mbijetuan falë parave të emigrantëve, por kryesisht falë kontrabandës në drejtim të ish-Jugosllavisë si dhe aktiviteteve të tjera ilegale si ishte dhe pastrimi I parave. Më vonë do të vazhdohej me trafik armësh, droge që vinte nga vende të Azisë, apo prostitutash.
Sot një pjesë e madhe e kësaj “industrie” ilegale është zevendësuar nga kultivimi I kanabisit shqiptar, pa përjashtuar dhe përpunimin e drogave të forta sic bëhej në “laboratorin” e zbuluar në Labinot.
Të gjitha këto nuk e kam për gjë t’I marr mbrapsht nëse del kryeministri, një ministër ose ekspert I ekonomisë që të publikojë shifra konkrete ama jo me përqindje, me të cilat të tregojë se Shqipëria është me një buxhet të balancuar…