Home KRYESORE Kokëdhima: Mafia e plehrave më kërkojnë 5 milion euro në Itali

Kokëdhima: Mafia e plehrave më kërkojnë 5 milion euro në Itali

Ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima ka deklaruar gjatë një interviste se ajo që bëri Edi Rama me ligjin për importin e mbetjeve do të ketë kosto shumë të larta për Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

Ndërkohë ai denoncoi përpjekjet e mafies ndërkombëtare për ta kthyer Shqipërinë në një kazan gjigant të plehrave të Evropës, përpjekje të cilat sipas tij vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

“Ka pasur projekte ndër vite për ta kthyer Shqipërinë në një vend depozitimi. Ka pasur një përpjekje në vitin 2004 për të ngritur një impiant në Kashar. Situata, niveli i institucioneve dhe aftësia e tyre i japin akoma më shumë të drejtë shqetësimit të shoqërisë civile”, u shpreh politikani Kokëdhima, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Turjan Hyskaj, për këtë çështje në emisionin “Oktopod”.

Më tej, ai vlerësoi se për mënyrën dhe kohën kur u bë, ligji që mundësoi importin e mbetjeve, është i panevojshëm. “Ky ligj është i panevojshëm për mënyrën dhe kohën si u bë. Është një kosto e pamerituar për PS¬-në dhe socialistët kalimi i këtij ligji. Unë e kam shpjeguar edhe këto ditë. Ligji për importin e mbetjeve nuk ka asnjë lidhje organike me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Nëse qeveria do të bëjë një ligj për importin e mbetjeve duhet ta bëjë të veçantë dhe jo ta përziejë me ligjin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, që është problem i shëndetit dhe i jetëve tona”, nënvizoi Kokëdhima.

Botuesi i Shekullit, gjithashtu përmendi gjatë kësaj interviste edhe faktin se ai ka qenë gjithmonë pjesë e luftës për të mos lejuar importin e mbetjeve, pavarësisht se nga cila qeveri është tentuar ai.

“Kam qenë gjithmonë pjesë e kësaj lufte, jam edhe sot në gjyqe, në shkallën e dytë në Romë, ku biznesi i dëmtuar nga mosimporti më ka paditur dhe kërkon 5 milionë euro. Sipas tyre ne nuk kishim të drejtë të mbronim të drejtën dhe tokën tonë. Nuk ka mbaruar përpjekja e mafias për të depozituar në Shqipëri mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”, tha eksponenti i lartë socialist dhe ish miku i ngushtë o kryeministrit i cili sot ndan një mendim krejtësisht të ndryshëm.

“Ligji kaloi, por kjo çështje nuk ka mbaruar. Shoqëria dhe ambientalistët nuk do të ndalojnë. Unë do t’i mbroj dhe gjithmonë kam dhënë mendimin për këtë çështje”, paralajmëroi Koço Kokëdhima.

Share: