Home KRYESORE Kozara Kati: 12 vite betejë me… plehrat

Kozara Kati: 12 vite betejë me… plehrat

Entela Resuli – DITA

Qysh nga viti 2004 kur ka nisur historia e ardhjes së plehrave në Shqipëri, Kozara Kati, aktiviste e shoqërisë civile ka qenë kundra dhe në ballë të protestave. I është dashur që gjatë këtyre viteve, sëbashku me kolegët e saj të luftojë kundra çdo qeverie e cila ka qenë pro importit të mbetjeve nga jashtë. Edhe pse kanë kaluar 12 vite, përsëri Kozara është aty, duke diskutuar dhe duke u përpjekur të bind ligjvënësit se përse nuk duhen sjell mbetjet e shteteve të tjera në vendin tonë. Shqyrtimi i këtij ligji nuk ndodh për herë të parë. Një ligj i ngjashëm u miratua më 2011-ën propozuar nga qeveria Berisha, i cili u shfuqizua më 2013-ën në mënyrë simbolike si akti i parë i qeverisë së Kryeministrit Rama pas ardhjes së tij në pushtet.

Një ditë pas miratimit të ligjit ne biseduam me Katin, e cila është përfaqësuese e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Në minutat e para të intervistës bisedën na e ndërpret një telefonatë e Eduard Shalsit në telefonin e Kozarës. Përpos sqarimeve që i bënë Kozara, me një ton bindës i drejtohet se protesta e saj dhe e anuarve të tjerë të AKIP nuk ka lidhje me politikën.

“Unë nuk i jam dorëzuar Enver Hoxhës që më kishte në dorë e jo më këtyre politikanëve të tanishëm. Nuk manipulohem unë nga politika, o Shals”- shprehet ajo në telefon. Nënkuptojmë se Shalsi thotë se lëvizjet e shoqërisë civile këto ditë kundër importit të mbetjeve janë të nxitura nga opozita.

Kozara Kati në një bisedë për Dita-n na sqaron këtë moment dhe çfarë fshihet pas ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

-Zonja Kozara, prej vitesh ju mbajmë mend në krye të një grupi kundërshtues për importin e mbetjeve në vendin tonë, ju është dashur që këtë gjë ta bëni edhe këto ditë…

Që në fillim unë do të doja të shprehesha si qytetare. Çdo njeri plehrat i hedh. Çdo familje, plehrat nuk i mban në shtëpi, atëherë i hedhin në kosh. E njëjta gjë ndodh edhe në një familje shtetesh, të cilat kërkojnë gjithmonë t’i largojnë nga vetja e tyre. Po e bëj këtë krahasim për të treguar që, plehrat janë të padëshiruara.

Kjo bën që për shumë kënd një vend si Shqipëria, e cila vinte nga një periudhë e vështirë diktatoriale, u bë një vend ideal për të qenë një kosh plehrash.

Lëvizja ku unë bëj pjesë ka filluar në vitin 2004. Në atë kohë, një marrëveshje koncesionare nëpërmjet qeverisë shqiptare dhe një kompanie italiane ishte në diskutim për t’u miratuar. Kjo marrëveshje parashikonte ndërtimin e një impianti djegieje në Kashar të Tiranës dhe do të digjte mbetje për qytetin e Tiranës dhe Durrësit. Do t’i digjte këto mbetje rifuxho, pa i ndarë. E gjithë kjo do të ishte një rrezik shumë i madh për kryeqytetin.

Në dolëm kundër saj, por për ta kthyer këtë projekt-marrëveshje në marrëveshje do të duheshin të ishin firmat e tri dikastereve, që ishte Ministria e Mjedisit në atë kohë (Et’hem Ruka), Ministria e Pushtetit Lokal (Ben Blushi) dhe Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit (Bashkim Fino).

Firma e titullarëve të këtyre dikastereve do të vazhdonte me firmën e kryeministrit të asaj kohe, që ishte Fatos Nano dhe pas kësaj kjo marrëveshje hynte në fuqi.

Qeveria e pa të vështirë, pasi dy ministra e firmosën, që ishin Et’hem Ruka dhe Ben Blushi, ndërsa ministri i tretë, Bashkim Fino nuk e firmosi. Dua të theksoj që ne takuam edhe Presidentin e asaj kohe, Alfred Moisiu i cili u bë palë me ne.

Në atë kohë qeveria Nano e pa reagimin tonë dhe ngriti një komision ad hock qeveritar, 2 javor, për të bindur ministrin e tretë por edhe për të qetësuar masën e ngritur kundër kësaj nisme. Në fund, nuk shkuam më, e shpallëm në media dhe u larguam në mënyrë të njëanshme nga komisioni. Një protestë e madhe e detyroi kryeministrin e asaj kohe të tërhiqej nga kjo marrëveshje.

-Kjo ishte beteja e parë. Po e dyta?

Në 2011, qeveria Berisha e ringjalli diskutimin për import mbetjesh. Kjo erdhi si një nismë që në Shqipëri do të hyjnë një kategori mbetjesh që i futëm në një listë të gjelbër. Domethënë gjetën një emër shumë të bukur, “Listë e gjelbër”, ku futeshin 250 e ca mbetje plehra, të cilat ishin mbetje të mbetjeve të ndryshme. Kjo na ringjalli nervin e kundërshtimit dhe aktivizimit kundër importit të këtyre mbetjeve. Arritëm që edhe me aktivizim qytetar, intelektual dhe shkencor të bindnim qeverinë që kjo ishte një nismë jo në interes të zhvillimit të Shqipërisë. Kjo shkatërronte edhe mundësinë që mund të kishte Shqipëria për të zhvilluar turizmin dhe për të konkurruar në aspektin e bio-diversitetit.

Ky ishte një proces jo i shkurtër. Në vitin 2012 doli një projektligj i cili do të lejonte importin e mbetjeve. Përsëri në këtu reaguam dhe themeluam AKIP-in (Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve). Është një organizatë jo fitimprurëse, jo qeveritare dhe është e hapur për këdo që ka dëshirë të hyjë në këtë grup për të reaguar kundër këtyre nismave.

Kozara Kati në protestë

Kozara Kati në protestë

Atëherë ne iu drejtuam KQZ për referendum. E bindëm KQZ e cila na dha formularët, duke na e bërë edhe më të vështirë pasi nuk mjaftoheshin vetëm me emër mbiemër, por donin dhe fotokopjen e kartave të identitetit. Ishte pak e vështirë por ja dolëm të mblidhnim firmat për referendum.

Meqenëse Partia Socialiste në atë kohë u bë me ne dhe erdhi në krahun tonë duke qenë kundër importit të plehrave, ne nuk e refuzuam dhe mbledhja e 65 mijë firmave të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, natyrisht që u bë edhe me kontributin e Partisë Socialiste, aso kohe.

Kjo nuk u mbajt asnjëherë fshehur. U bë publike në një takim te Hotel Tirana, ku ishin të ftuar përfaqësues të të gjitha ambasadave, madje këtu doja të kujtoja që, ishte mes nesh edhe Ardian Klosi, si një nga nismëtarët dhe flamurtarët e lëvizjes kundër ndotjes dhe importit të plehrave, që fatkeqësisht sot nuk është më, por që ndihet mungesa dhe ajo forca që na jepte vazhdimisht.

Arritëm ta fitonim të drejtën për referendum dhe Presidenti i Republikës z.Nishani dekretoi datën e referendumit që do të ishte data 14 dhjetor 2013. Referendumi kishte si objekt heqjen e tre ligjeve që lejonin importin e mbetjeve. Por me ndërrimin e pushteteve, vendimi i parë që mori qeveria ishte pezullimi i këtyre tre neneve, pra ra objekti për të organizuar këtë referendum.

Ndoshta, nëse ne do të kishim mbajtur referendum, çështja e importit të mbetjeve do të ishte përjetësisht e pakthyeshme.

-Po çfarë ka ndodhur tani?

Sipas nesh, rikthimi i këtyre amendamenteve është kthim përsëri në situatën ku ishim. Pra importi i mbetjeve është i lejuar tashmë, jo në atë spektrin e pakontrolluar apo në ato dimensionet e mëdha, të paktën kështu thotë amendamenti, por do të jetë një prurje e kontrolluar, e përcaktuar mirë në detaje. Madje u tha se do t’i lejohet shoqërisë civile për t’i monitoruar dhe kontrolluar mbetjet në doganë.

-Kur është kështu, që do të ketë kaq kontroll dhe këto mbetje janë të parrezikshme, ju pse jeni kundra?

Tani, problemi qëndron se ligji quhet “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Pra qysh në kokë të ligjit pretendohet që do të merret me menaxhimin e integruar të mbetjeve brenda vendit, pra nuk thuhet për menaxhimin e mbetjeve në Evropë.

Nuk jemi absolutisht kundra industrisë së riciklimit. Industria e riciklimit është domosdoshmëri, sidomos sot kur konsumi është shumë i madh. Kjo është shumë e qartë, të gjithë ne jemi pro riciklimit, por jo pro riciklimit të mbetjeve që vijnë nga jashtë, qoftë edhe si lëndë e parë.

Sepse neni 1 thotë se: Ky ligj ka për qëllim të mbrojë mjedisin e shëndetin e njeriut dhe të sigurojë menaxhimin e duhur mjedisor të mbetjeve nëpërmjet: a) parandalimit e minimizimit të mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve; b) përmirësimit të efiçencës së përdorimit të tyre; c) pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve.

Qëllimi i ligjit është të pastrohet ambienti në Shqipëri dhe jeta e njerëzve e qytetarëve të këtij vendi të jetë më e mirë.

Dokumenti Blushi-Becchetti

Dokumenti Blushi-Becchetti

Në gjithë këtë zallamahi që po bëhet, pse nuk doli një njeri të thotë: ore ky ligj a do të zbatohet për mbetjet në Shqipëri, apo do të vazhdojë të mos zbatohet siç nuk është zbatuar këto katër vite?

Industria e riciklimit është industri fitimprurëse. Është një biznes që ka gjithmonë kërkesa për t’u zhvilluar, por këto amendamente që hynë dje në parlament dhe u miratuan nuk e garantojnë nenin 1. Për të garantuar zbatimin e këtij ligji, qeveria nuk duhet të fillojë sot, por duhet të kishte filluar që në 2011. Duhet të fillojë qysh me edukimin nëpër shkolla. Ne jemi pro industrisë së riciklimit, por brenda vendit.

-Cili është problemi i këtij ligji, konkretisht?

Ne e shohim që nuk diskutohet fare çështja se si do të pastrohet vendi ynë. Ne jemi të mbushur kryekëput me plehra. Duhet të zgjidhim problemin e mbetjeve tona, të cilat janë gjithandej, në rrugë, në kanale, lumenj. Duhet të diskutohet se si do të menaxhohen në mënyrë të integruar mbetjet në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu, unë jam shumë skeptike edhe për cilësinë e atyre impianteve dhe fabrikave që mund të instalohen në Shqipëri. Ka ardhur një kohë që shumë pak besim kemi dhe te ndërkombëtarët. Një impiant i përdorur 20 apo 30 vjet jashtë dhe vjen këtu, e ndot më shumë ambientin se sa vetë plehrat, ndaj, unë këtu jam shumë skeptike.

-Se herë që ju jeni kundër importit të plehrave ata që janë në pushtet ju akuzojnë sikur jeni nxitur nga opozita… Po ndodh edhe këtë herë?

Të paktën në këtë aksion ku unë kam 13 vite që jam e angazhuar, gjithmonë politikanët janë munduar të na rreshtojnë përkrah, ose edhe të fitojnë kredite në kauzat tona. Por kjo nuk na shqetëson fare, pasi mund t’ju them me përgjegjësi që, lëvizja e cila ka filluar në 2004 dhe vazhdon edhe sot, është totalisht apolitike. Nuk mund të vihet në funksion të asnjë interesi politik. Kjo është një lëvizje qytetare, e hapur. Madje mund t’ju them që, shoqëria civile është një lëvizje, e cila funksionon totalisht vullnetare. Kemi investuar shumë mund, lodhje, madje kemi mbajtur edhe akuza nga të gjitha forcat politike që kanë qenë në pushtet.

-Ju vjen keq që këta njerëz që ju mbështetën në nismën tuaj të 2011-ës për të dalë kundër importit të mbetjeve, këtë herë janë pro?

Më vjen më shumë keq sepse nuk na u dha mundësia për shkak të këtij vendimi të shtatorit të 2013 që nuk realizuam dot referendumin i cili do të ishte një finish përfundimtar të çdo qeverie në vazhdim për të hapur dyert e importit të mbetjeve.

-Çfarë do të bëni tani?

Ne do të vazhdojmë betejën që na jep hapësira demokratike. Ne jemi një vend që tashmë i njohim mirë rrugën dhe mënyrën se si kërkohet e drejta qytetare./Dita.al

land-1

Share: