Home KRYESORE Leter e hapur e gazetarit qe shkruan edhe si djale i nje...

Leter e hapur e gazetarit qe shkruan edhe si djale i nje nene artiste te nderuar

Letër e hapur nga Aulon Kalaja!

Kam një luftë të brëndëshme, për ta shkruar apo për të mos e shkruar këtë. Por arrita në përfundimin se e vërteta do të më clirojë, qofte edhe ajo që bie ndesh me parimet e mia prej gazetari!

E vërteta është se sot, u shkarkua një artiste nga puna. Një artiste e vërtetë, që për fat të mirë qëllon të jetë nëna ime. Ajo quhet Rakipe Karaj. U shkarkua në mënyrën më primitive. Deri dje ajo drejtonte Qëndrën Kulturore të Fëmijëve Fushë-Krujë, duke nxjerrë që andej nëpër skenat më të frikshme dhe prestigjoze, talentë që kanë shënjuar dhe po shënjojnë në artin shqiptar dhe më gjërë. Por sot, ajo u pushua nga puna me arsyetimin e “shkurtimit të vëndit të punës”. Teksa kthehej nga Prizëreni, ku merte pjese ne Festivalin e Këngës Qytetare, “Zambaku i Prizrenit” dhe ku u nderua me certifikatë nderi, ajo mer lajmin e shkarkimit nga detyra. Disa miq më shkruajtën se kjo situatë është ironike, ndërsa unë i thashë se kjo situatë është qesharake.

Sepse ata nuk e njohin zonjën artiste, por sikur të mos mjaftonte kjo, ata nuk pyetën as Sherif Merdanin, Edit Mihalin, Tish Dainë, Limoz Dizdarin, Gazmend Mullain, David Tukicin, Gaqo Cakon, Alfons Ballicin, Aleksandër Pecin, Agim Krajkën, Aleksandër Lalon, Avni dhe Nina Mulën, doni më?! Sepse me këta kolosë zonja Karaj është formuar si këngëtare dhe bashkëpunon sot e kësaj dite. Por ndoshta ata, përvec se nuk njohin artisten e Fushë-Krujës, nuk njohin as emrat e tjerë që listova. Prandaj është qesharake…

Zonja Rakipe Karaj pra, që është nëna ime, ka përfunduar Shkollën e Mesme të Muzikës, më pas Akademinë e Arteve, dega kanto dhe u bë një nga sopranot më në zë në Shqipërinë tonë. Me qindra talente të dale nga duart e saj, me qindra cmime të para dhe cmime të ndryshme, në turnetë kombëtare dhe ndërkombëtarë. Me nje jetë artistike për t’u patur zili edhe nga Qendrat Kulturore per Fëmijë të qyteteve më të mëdha.

Po ju them disa:

Cmim i Parë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.

Cmim i Parë ne Festivalin e Këngës për Fëmijë në Shkodër.

Cmime të para, në Durrës, Tiranë, Prizëren, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Strugë, Ohër, Stamboll, Zvicër, Austri, Gjermani, Qipro dhe Maltë.

Cmime nëpër gjimastrada dhe spartakjada.
Për cdo vit fëmijët e Fushë-Krujës mbushin klasat e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Cdo vit studentët nga Fushë-Kruja, fitojnë Akademinë e Arteve duke zënë vendet e para.
Artistët që dalin nga duart e sopranos Karaj, i gjen kudo nga “Gjeniu i Vogël, The Voice of Albania, X Factor, Top Fest, Kënga Magjike, e deri tek Festivalet e RTSH”.

A i dini ju këto?!
Ky shkrim është i vogël dhe nuk mund të ketë vend për të gjithë trofetë.

Ndoshta për këto arsye soprano Rakipe Karaj nuk mund të punonte më, me “Rilindjen”. Sepse ajo ka 36 vite eksperiencë pune dhe është e vetmja me atë arsim dhe kualifikim në Rrethin e Krujës. Unë nuk besoj tek njerëzit e pazëvëndësueshëm, por ja që paska dhe të tillë për një vend, sidomos artistët…

E në fakt për mua nuk ishte hera e parë goditja që mora nga “Rilindja”. Sepse ka qënë po 1 shtator, por at’herë ishte viti 2013 dhe rilindasit ishin të sapoardhur dhe të uritur. Ata hoqën nga puna, kompozotorin e mirënjohur, zotin Ylli Kalaja, që qëllon të jetë edhe ky, babai im. Kompozitori ishte Drejtor i Pallatit të Kulturës Fushë-Krujë, por ata e hoqën me një të rënë të lapsit, duke i vënë drynin e madh këtij institucioni. I vetmi me atë kualifikim dhe shkollim në Rrethin e Krujës, i vetmi profesionist me eksperiencë 30 vjet punë, si artist i mirefilltë.

As këtë herë nuk pyetën Tonin Harapin, Cesk Zadenë, Ruzhdi Keraj, Ibrahim dhe Genc Tukici, apo më afër akoma Ardit Gjebrenë dhe Kujtim Alinë. Ndoshta nuk i njohin…

Këngët e tij janë prezente kudo, madje emri i tij është vendosur edhe në arkivën e Shoqatës Panshqiptare “Vatra”, ku iu bë nje pritje zyrtare ne SHBA në qershorin e këtij viti, sepse Kompozitori Kalaja ishte Kryetar Jurie, ne Festivalin për Fëmijë që shqiptarët organizojnë në Amerikë.

E dënuan një qytet të tërë. Arti vdiq. Hashashi lulëzoi, më shkruajti dikush që e kish marë vesh që prindërit e mi artistë, mbetën të papunë.

A do të ketë më aktivitete të përmuajshme në qytetin e Fushë-Krujës?!

Sigurisht që njerëzit janë të shqetësuar për këtë situatë, por janë të tjerë ata që në mënyrë primitive i japin fund ëndrrave për një qytet të mirëfilltë, me elementë artistik dhe modernë.

Në krye të herës shkruajta se jam në një pozicion të vështirë të bëja një shkrim të tillë, sepse kurrë nuk e kisha imagjinuar se situata do të degradonte deri në këtë pikë. Ja pra, u gjenda dhe unë këtë pozitë dhe mendoj se kjo situatë duhej të bëhej publike, pavarësisht se në këtë rast dy artistët e “dënuar” nga “Rilindja”, qëlluan të jenë prindërit e mi.

Ky cift artistësh që mbajti gjallë frymën e një qyteti që i degjohet emri vetëm për tritol, sot është i papunë, në një provincë të Shqipërisë të quajtur Fushë-Krujë. Një detyrë e vështirë të zëvëndësosh tritolin me nota muzikore, apo jo?! Ata mendojnë se artistët gjunjëzohen dhe dorëzohen, por ata harrojnë se profesionistët kudo që t’i hedhësh, bien në këmbë… Artistët rrëzohen, por shumë shpejt, shkundin gjunjët dhe vrapojnë!

Zoti Kryeministër kjo letër e hapur është edhe pë ju! Një rast domethënës për të parë ndjeshmërinë tuaj prej artisti, meqë ju i keni pasur shokë shkolle prindërit e mi, në Akademinë e Arteve.

Share: