Home KRYESORE Letër e një 6-vjeçari drejtuar Ramës për importin e plehrave!

Letër e një 6-vjeçari drejtuar Ramës për importin e plehrave!

Sot, para klasës, Beni kërceu mbi tavolinën e mësueses pa filluar mësimi dhe gërthiti me të madhe: “Do na shtohet një lëndë tjetër… do mësojmë për plehrat dhe mësuesi që do zgjidhet dikush që është marrë me plehrat gjithë jetën… do mbajmë erë e do qelbemi në atë orë”. Ne nuk para e besojmë shumë Benin se ai sa herë që mësuesja e ve në bankë të fundit ankohet dhe sa herë që e ve në bankë të parë sillet mirë. Por këtë herë u shqetësuam se ne kemi shumë lëndë për të mësuar dhe kjo e plehrave na u duk e tepërt. U mblodhëm disa shokë dhe menduam ti ankoheshim dikujt dhe unë hodha mendimin të të shkruajmë ty.

Në klasën e parë kemi mësuar se ti je si babai i shtëpisë, që kujdeset për ne për të na ushqyer, rritur dhe edukuar sa më shëndetshëm. Toma është nga Shkodra dhe ka pak kohë në Tiranë. E kam shok banke. Kur e pyeta ç’farë është kryeministri më tha unë kryeministër kam babën tim. U konfuzova dhe vajta të pyes Mimin. Ajo shpesh na ve stërkëmbësha kur luajmë me top. Ajo pa u menduar fare më tha kryeministri është sispiderman që kujdeset për hallet e njerëzve. Arbeni që sapo ka ardhur nga Lezha e kundërshton dhe thotë që spiderman-ë janë ministrat që luftojnë të këqinjtë. Është ai që erdhi na bëri një shfaqje në shkollë. E mbani mend?

Pastaj hidhet Koço. Ky është nga Saranda, dhe e filloi klasën e parë këtë vit me ne. Ai thotë se kryeministri është si Ben 10. Ai gjen zgjidhje magjike për çdo gjë dhe na mbron nga alienët. Po kush janë alienet e pyesim ne? Janë ata që mblidhen në parlament, – thotë. E pyesim: Po sikur s’e kemi parë kryeministrin të ketë një orë siomnitrix. Qesh Koço: Nuk ja keni vënë re orën që ka? Ajo duket si orë normale, por është magjike. Nëpërmjet saj ai thërret alienët e mirë që janë ministrat dhe fap e fap zgjidh problemet.

Saliu, i cili ka ngelur në klasë për shumë vite, kërcen dhe thotë: Ç’farë thoni? Ministrat janë si Pokemon go,duhet ti kërkosh se vetëm në ekran i shikon. Ata janë alienët më të këqij, por që kryeministri i ka zbutur dhe i ka futur në orën e tij omnistrix si xhindi Aladinit në shishe. Saliu i ka shumë qejf përrallat dhe ne nuk para e dëgjojmë. Është bërë dhe shumë i bezdisur se ka zënë bankën e parë dhe nuk e lëshon që kur ka filluar shkollën. Lulin që e ka shok pallati për shembull sa herë i thotë që t’ia lëshojë vendin të paktën në orën edukatës, Saliu nuk pranon.

Debati vazhdoi, dhe andej nga fundi hidhet Erioni, nxënësi më i shkathët i klasës. Paçka që mëson shumë pak merr gjithmonë 10-ta. Erioni i bashkohet mendimit tim dhe thotë që vetëm kryeministri mund ta zgjidhi këtë punë. Ai është më shumë se spiderman, ai është si Captain America.

Pasi i dëgjova shokët e klasës u çorodita edhe më shumë dhe në fund jam ende i paqartë se kush është kryeministri dhe alienët e tij. Megjithatë vendosa të të shkruaj për plehrat.

downloadI dashur Kryeministër!

Të lutem mos lejo që të na shtohet edhe një lëndë për plehrat në shkollë. Ne dimë shumë për to. Kur mami më thotë ti derdh plehrat më ze tmerri pasi më duhet 15min të eci deri sa të mbërrij te koshi. Rreth 10 minuta para koshit zë hundën dhe sapo afrohem aty më duhet ta hedh qesen sa më lartë pasi plehrat janë si kodra të vogla në mes të lagjes. Shalsi, një komshi, në katin e katërt, më tall sa herë që më sheh. Ai thotë që plehrat mund ti mbash në shtëpi dhe ti bësh pleh për lulet. Kur unë i thashë që nuk kam lule, xhaxhi Xhemali dhe xhaxhi Sazani që po luanin domino aty pranë, më thanë se nuk ka problem, e rëndësishme është të mësosh se si bëhet plehu nga plehrat pastaj se ku e përdor nuk rëndësi.

Xhaxhi Iliri nga Skrapari duke lexuar gazetën Tema, më tha që lëndën e plehrave e ka kërkuar Evropa që ta mësojmë në shkollë. Ai thotë se këtë e di nga fjalët e tua: “Ne kemi nevojë për Evropën por dhe Evropa ka nevojë për ne’.

I dashurKryeministër!

Nëse të gjithë të kthejnë krahët e të lënë vetëm në këtë çështjen e lëndës së plehrave hajde tek shtëpia ime. Motra ime Vasilika ka një papagall që quhet Taulant dhe sa herë që mërzitet me dikë i mëson emrin tij dhe Taulanti fillon dhe këndon. Unë fola me Vasilikën dhe ajo është e gatshme të ta japi ty papagallin nëse ndihesh i vetmuar. Kam dhe një biçikletë blu. Nëse t’i nuk e merr dot biçikletën tënde rozë, mund të ndajmë së bashku timen. Ajo ka zgarë mbrapa dhe mund t’i hipim të dy.

Po e mbyll letrën time duke shpresuar se nuk do të lejosh që plehrat të mësohen edhe në shkollë.

Të përshëndet nga shkolla fillore e fshatit Ishëm.

Vogëlushi Mero/post bllok

Share: