Nga Denion Mejdani
Portalet po ziejnë e zhurmojnë se qenka zbuluar lobuesi dhe fatura e paguar për shërbime nga fondet e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim lidhur me dy vizitat e fundit në ShBA të kryetarit të partisë dhe njëkohësisht kryetar i parlamentit.
Por, ky është problem i partisë që aktivizon fondet e ligjshme të saj dhe jo si në rastin e financimit të paligjshëm të fushatës nga persona të huaj thjesht për një fotografi manipuluese “ekspozimi”!…
Në ShBA, për sa kohë dihet burimi i të ardhurave dhe ato janë të ligjshme, atëherë lejohet lobimi përkundrejt faturave konkrete për shërbime të kryera.
Po ashtu, pavarësisht vërtetësisë ose jo të këtij lajmi, në një lobim të tillë nuk ka asgjë për t’u qortuar.
Nëse z.Meta dhe partia, që ai udhëheq prej shumë vitesh, paskan përdorur fonde e kontribute të partisë për të lobuar në favor të zgjidhjeve konsensuale, në mënyrë të veçantë për të kaluar me mirëkuptim ndërpartiak, reformën në drejtësi, atëherë, në mendimin tim, një angazhim i tillë është sa i përgjegjshëm për një kryetar kuvendi, po aq dhe një akt qytetar e patriotik për një politikan karriere.
Në rastin konkret ata janë lekë të mirë-shpenzuara për Shqipërinë dhe shqiptarët, sidomos ku trysni kundërshtuese synonin një përplasje e përçarje nga brenda e jashtë!
Uroj që dhe parti e individë të tjerë, qofshin në politikë ose jo, nëse kanë mundësi, të vazhdojnë në këtë udhë, të japin kontributet e tyre vetëm në mënyrë të ligjshme, në të mirë të vendit tonë dhe proceseve integruese të tij!