Home KRYESORE Më shumë transparence ne fushën e sigurimeve.

Më shumë transparence ne fushën e sigurimeve.

Nga Nik Neçaj

Duket se dyshja “ AMF-Kompani sigurimi “ mori një krisje të lëhtë. AMF pezulloi zbatimin e vendimit për rritjen e tarifave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve. Kush ndikoi në këtë pezullim ? Zemërgjerësia e kompanive siguruese dhe e vetë AMF si organ mbikëqyrës e rregullator i tregut financiar jo banker ? Absolutisht jo. A mos ndikoi kush nga Qeveria ? Nuk jam i informuar.Më së shumti ishte revolta e qytetarëve,një revoltë e heshtur ndaj një trysnimi të gjithanshëm.

Në atë vendim që ngjalli pakënaqësi në opinion, parashikoheshin rritjet e tarifave për 25-30 % me argumentin : “për të paguar detyrimin e kompanive siguruese ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve prej 14 milion dollar “, i krijuar që nga viti 2004 ( Fondi i kompensimit për pagimin e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara )

Pezullimi i këtij vendimi nga AMF është vetem një reflektim fare i vogël i këtij institucioni ndaj detyrave të shumta që ka, për rregullimin e tregut e mbrojtjen e qytetarit.Që nga viti 2004 e ne vijim kompanitë siguruese kanë rritur të ardhurat,është rritur tregu i sigurimeve, është shtuar numri i produkteve,janë shtuar rezervat teknike dhe fondi i garancisë.Borxhi i pa paguar ndaj Byrosë së Sigurimeve mund te ishte paguar në mbi 70 % te tij,por është lënë për të rritur presionin mbi institucionet që të rriten tarifat e sigurimeve. Ky presion ka patur ndikim jo vetem tek AMF, por edhe institucionet e tjera.

Kjo që thashë argumentohet lehtësisht nga mikroanaliza e shifrave të bëra publike nga vetë AMF. Krahasuar me një vit më parë,në vitin e fundit kalendarik,tregu i sigurimeve u rrit 21,17 %,duke arritur vlerën sa 1,9 % e Produktit të Brendshëm Bruto.Në totalin e të ardhurave nga sigurimet, sigurimet e jetes zënë vetëm 7,3 %,kurse ato të jo jetës ( sigurimet e mjeteve motorike,sigurimi i pasurisë nga rreziqet e ndryshime, sigurimi i përgjegjësive publike etje ) zënë 92,61 %. Rritja e tregut të sigurimeve ka çuar në rritjen e dendësisë së sigurimit ( primet e sigurimeve për frymë të popullsisë ) .

Ky tregues krahasuar me një vit më parë është rritur 21,37 %.Fondi i garancisë është në përputhje me ligjin ,dhe mbi 70 % e tij është depozitë pranë bankave të nivelit të dytë dhe pjesa tjetër është investim në bono thesari të emetuara nga Banka e Shqipërisë. Për vitin e fundit provigjionet teknike ( rezervat per primet e pafituara si dhe për dëmet u rritën në masën 25,3 %. Provigjionet teknike mbi kapitalin janë 34,62 %, kur standardet janë 10-30 %.Këta tregues flasin për garancitë dhe gjëndjen e mirë financiare të këtyre kompanive.Atëhere pse të rriteshin tarifat ?!

Ne totalin e te ardhurave nga sigurimet , sigurimet e detyrueshme zënë 60,24 % kurse sigurimet vullnetare zënë 39,76 % të tyre.Me këto dy tregues nxjerrim dy konkluzione :

Së pari; kompanitë e sigurimeve edhe pse tregu është rritur,kanë dështuar në bindjen e qytetarëve për të bërë sigurimin e pasurisë,të përgjegjësive individuale e publike, sigurimin e aksidenteve në punë,sigurimin e bizneseve,sigurimin e banesave, të jetës etje.Për këtë arsye ato po i lyhen e po i bejne furçe AMF-së e Qeverisë për të rritur gamën e sigurimeve të detyrueshme.Pra për të fituar pa mund,për të fituar me ligje e vendime të pa arsyeshme. Me sa duket o nga padija e institucioneve o nga korupimi i tyre ja kanë arritur në një farë mase këtij qëllimi.Këtë e dëshmojnë edhe mendimet e vendimet për detyrimin e sigurimit të shtëpive, përgjegjësive publike, përgjegjësive të tjera etje.

Së dyti,shteti me ligj i pasuron disa individ ( pronar të kompanive ) dhe fare pak nëpërmjet institucioneve të caktuara prej tij ( një prej tyre AMF ), kontrollon përdorimin e parave të thithura për kontratat e sigurimit. Një gjë e tillë formon dyshimin e një trinomi zhvatës Shtet-AMF-Kompani sigurimi. A e din AMF dhe Qeveria se në kontratat e sigurimeve shënohen njëmijë lehtësira që joshin klientët,dhe fshehurazi,tinëzërisht futen paragrafe që nuk bjenë lehtë në sy,sipas të cilave i dëmtuari nuk mund të paguhet ? Pse AMF dhe Kontrolli i Larte i Shtetit nuk kontrollojnë transparencën e këtij procesi ?

Të bësh rritje tarifash e të shtosh gamën e sigurimeve të detyrueshme pa analizuar plotësimin e standarteve ndërkombëtare të kompanive siguruese është jo vetëm gabim por përgjegjësi për krijim e forcim të oligarkisë së pa merituar.

Nga AMF e institucionet e këtij shteti që miratojnë ligje e marrin vendime për sigurimet duhet të shofin e analizojnë disa faktorë :

Së pari; raporti dëme/prime tek ne është 38,75 %, kur standardet ndërkombëtare janë 50-80 %.Kjo nuk do të thotë se tek ne nuk ndodhin dëme ( jemi ndër vendet me më shumë dëme motorike në Evropë ),por dëmet tek ne paguhen keq.AMF dhe Qeveria duhet ta dinë se Kompanitë e sigurimeve angazhojnë avokatët më të dredhur ( zhargoni i këtij procesi ) për të shmangur pagesat.Këta avokat i paguajnë me 20-30 % të shumës së dëmit të pa paguar ndaj të dëmtuarit.

Së dyti :për vitin e fundit primi i sigurimit ( tarifa ) u rrit 23,4 %, kur standartet nderkombetare jane nga – 40 deri në + 40 % ( mesatarja shifet se është zero ) Pra rritja është më e madhe se ajo ndërkombëtare.

Së treti : rritja e të ardhurave nuk ka shkuar në drejtimin e duhur siç janë; pagesa më e mirë e dëmeve,shtrirja e aktivitetit dhe bindja e qytetarëve për të shtuar gamën e sigurimeve. AMF e Qeveria duhet ta dinë se deri para një viti shpenzimet e marrjes në sigurim ishin rreth 60 % e totalit të shpenzimeve,kur mesatarja e standardeve ndërkombëtare është 38 %.Kjo tregon faktin që kompanitë e sigurimeve bëjnë shpenzime luksi që stonojnë me aktualitetin në të cilin ushtrojnë aktivitetin.Këto institucione duhet ta dinë se kompanitë e sigurimeve shuma të mëdha parashë nga sigurimet i çojnë në veprimtari tregtare,ndërtuese ,blerje e ngritje komplekse turistike e argetuese etje. Të lejohen këto veprime në një kohë kur ato nuk respektojnë standardet është anormale.

Së katërti; Qeveria gabon kur mendon se sigurimi i detyrueshëm i shtëpive,fermave etje do të lehtësojë barrën e saj për dëmtimet që ndodhin jo rrallë nga vërshimet e lumenjëve.Qytetarët me zor mund t’i sigurojnë,por asgjë nuk marrin në rast dëmi,pasi kompanitë e sigurimeve nuk rriskojnë atje ku rreziku është permanent. AMF e Qeveria duhet t’I detyrojë kompanitë që të realizojnë standardet.Pse të mos vendoset qe nje pjese e te ardhurave neto nga sigurimet e detyrueshme,bje fjala 30 % e tyre; te shkojnë ne buxhetin e shtetit për infrastrukturën rrugore e atë kulluese ? Këtë praktikë e kanë disa vende në zhvillim.

Shteti behet duke miratuar ligje të arsyeshme e duke detyruar jo vetëm të urtët,më të shumtët,më nevojçarët për zbatimin e tyre; por të gjithë pa përjashtim.Shteti ligjor bëhet edhe me dhunë e ligje të paarsyeshme, kurse shteti i së drejtës bëhet me ligje të arsyeshme e zbatim korekt të tyre.

Nik Neçaj, Sekretar i Ceshtjeve Ekonomike i PKD-se

Share: