Nga Çapajev Gjokutaj
Të bën përshtypje se edhe në ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave kryesore, numri i lexuesve anonimë që reaguan përfund lajmit ishte i pakët, madje një pjesë e mirë e tyre nuk reagonin në mbrojtje të fesë dhe simboleve të saj, por bënin komente vulgare që lidhen me lakuriqësinë, organet gjenitale, aktin seksual etj.. Me fjalë të tjera, komentonin jo se ndiheshin të provokuar në identitetin fetar, por thjesht për të shkarkuar frustrime perverse.
Situata ngjan kafkiane, mediat kumtojnë një provokim të fortë publik, por të provokuarit janë kaq të pakët, sa që thuajse nuk duken.
2. Edhe lajmet për këtë nudo, si gjithë sensacionet, janë përzierje e asaj që ekziston realisht me atë që dëshiron apo pret gazetari. Piktura e Meri Files, prezantuar në ekspozitën ‘Realizëm ndryshe’, synon të provokojë dhe, mundësisht, të shkaktojë reagime të forta publike. Këtë e dëshmon më së pari fakti që struktura bazë e veprës sendërgjohet mbi pranëvënien ose, më saktë, përzierjen e dy të kundërtave: nudo dhe ferexhe, zhveshje dhe mbulim, ekspozim i formave femërore dhe sfumim e fshehje.
Ferexheja në këtë rast nuk shërben për të fshehur linjat femërore, por për të nxjerrë sheshit organet gjenitale. Piktorja deklaronte në një intervistë se mesazhi që ka dashur të përcjellë nuk ka të bëjë as me Islamin, as me qëndrimin ndaj femrës apo ndaj hireve të trupit femëror, por me faktin që çdo grua e ka ferexhenë, nënkupton ndalesën, në mendje. Në art ndodh jo rrallë që mesazhi i pretenduar nga autori nuk përputhet me mesazhin që përmban vepra dhe, aq më pak, me mesazhin që dekodon spektatori.
Duket si telefon i prishur, por këto mospërputhje përcaktohen nga natyra e kodeve estetike. Vepra e artit, në këtë rast piktura, është një tekst me jetë të mëvetësishme. Shenjat e përdorura në të i takojnë një kodi kolektiv dhe si të tilla, veç kuptimit që synon t’u japë krijuesi, mbartin edhe kuptime nga tekste apo përdorime të tjera.
Kështu p.sh., ferexheja para se të simbolizojë murin apo ndalesën që ekziston në kokën e çdo femre, siç synon autorja, shënon një veshje që ka marrë ngarkesa konotative dhe është kthyer në simbol. Në qasjet islame qëndron për modesti, përvuajturi, moralitet; kurse në qasjet feministe e liberale mishëron robërim, mungesë lirie, konceptimin e femrës si pronë, si diçka që ekziston jo për vete, por për burrin etj., etj..
Duke pasur ngarkesa të fuqishme historike e kulturore, ferexheja nuk është shenja më e përshtatshme për të marrë kuptime të reja, më të përgjithshme. Konteksti i sotëm, i shënjuar nga kriza e refugjatëve, ushtron trysni konservuese mbi gjithë simbolet e Islamit, nuk i lë ato të shkarkohen sadokudo nga ngarkesat që kanë marrë historikisht.
Është kjo arsyeja që thuajse gjithë lajmet për nudon e Files nuk gjenin femrën e vetëcensuruar, por myslimanen, luftëtaren e ISIS etj.. Me dashjen apo a dashjen e autores, vepra në fjalë ka në embrion mundësinë e një provokimi të fuqishëm: e prek besimtarin mysliman në diçka që për të është sa e shenjtë, se lidhet me porositë e Profetit; aq edhe personale, se prek një simbol identitar. Pavarësisht retorikës publike për tolerancën fetare, për prirjet pagane të shqiptarëve etj., etj., identiteti fetar mbetet tejet i fuqishëm, për një pjesë të konsiderueshme të bashkëkombësve.
3. Si ka mundësi që një provokim i tillë, tejet i fuqishëm në embrion, nuk krijoi reagimet publike që nxituan të parashikonin dhe, hera-herës, edhe të trillonin mediat? Duket se arsyet lidhen sa me natyrën racionale të kësaj nudoje, aq edhe me karakterin tejet tendencioz. Veprat e artit pamor, sidomos të atij klasik, veprojnë më së pari nëpërmjet imazhit dhe elementëve të tij si format, ngjyrat, dritë-hijet, linjat, ritmi etj., etj.
Para se t’i drejtohet intelektit, ky art u drejtohet shqisave. Nudoja për të cilën po flasim, bën pjesë në zhanret konceptuale, operon më së pari me simbole, koncepte, kuptime. Përjetimi i saj, më shumë sesa shqisat, vë në punë intelektin. Gjithsesi, kjo nuk duhet parë me doemos si dobësi.
Problemet gjenerohen nga fakti se ka tepri dhe stërhollim me elementët konceptualë. Si të mos mjaftonte simboli i ferexhesë, autorja ka shtuar edhe pushkën si simbol fallik. Këtij simboli i shton pastaj një penis që ngjan edhe si zgjatim i pushkës, edhe si plumb që del nga tyta e saj. Ngarkuar me simbole që i hyjnë në pjesë njeri-tjetrit, vepra fillon të bëhet deklarative e bërtitëse. Këtu nis problemi.
Provokimi artistik kërkon ndjenjë mase dhe shmangie sofistikimesh. Në këtë pikë i ngjan humorit. Prej shekujsh qarkullon aforizmi se humori është si fija e leshit, po qe se e tjerr gjatë, këputet. Këtë ka parasysh edhe Bernardo Bertolucci kur këshillon për ndjenjë mase në përdorimin e provokimeve. Sipas regjisorit të famshëm, provokimi artistik i ngjan koktejit Molotov, shpërthen vetëm një në dhjetë.
Gjithsesi, artisti është në të drejtën e vet të eksperimentojë me provokimin. Në rast dështimi, harxhet i paguan nga kuleta e reputacionit individual. Gazetari është diçka tjetër. Raportimi i lajmit kërkon medoemos vërtetësi. Të sajosh një ndeshje masive opinionesh për motive religjioze, ndeshje që ndodh vetëm në lajm, por jo në realitet, dëmton dukshëm interesin publik.