Home KRYESORE Nëna prostitutë: Vajza të mos denoncojë përdhunimin, do harrohet!

Nëna prostitutë: Vajza të mos denoncojë përdhunimin, do harrohet!

Nëna që shfrytëzonte vajzën 12 vjeçe për prostitucion e ka përdorur këtë të fundit edhe për të lehtësuar pozitën e saj në gjykatë.

Rezulton se Selvie Yzeiraj është arrestuar në muajin janar të këtij viti së bashku me gjashtë të tjera gjatë një operacioni për shkatërrimin e një baze prostitucioni.

Por ajo ka qenë mohuese gjatë marrjes në pyetje në lidhje me këtë aktivitet, duke pretenduar se nuk kishte lidhje me këtë rrjet prostitucioni dhe se ajo është ndodhur në aty, pasi kishte shkuar për të filluar punë si kameriere.

Por e gjendur përballë provave të organit të akuzës, gruaja ka kërkuar mëshirë në Gjykatë. Ajo kërkoi ta lironin pasi kishte një vajzë në moshë të mitur, të cilën po e rriste e vetme, pa baba, dhe se nuk kishte kush të kujdesej për të, në rast se ajo do të lihej në burg, shkruan “Panorama”.

“Ju lutem më lini të lirë. Unë kam një vajzë të vogël (asokohe 11 vjeçe), e cila as nuk ha, po të mos më ketë mua afër. Ajo vuan edhe nga një sëmundje. Humb herë pas here ndjenjat dhe duhet të kujdesem për të. I duhet kujdesi im. Është fëmijë pa baba”.

Kjo ka qenë deklarata e dhënë pas arrestimit nga ana e Selvie Yzeirajt. Me të njëjtin argument ajo ka kërkuar lirimin edhe në gjykatë. Alibia e gruas për sëmundjen e vajzës dhe përkujdesin që i duhej dhënë, duket se ka prekur edhe ndjeshmërinë e trupit gjykues.

Me argumentin se e arrestuara ishte nënë e një vajze të mitur, e cila ishte e vetme dhe pa baba, për të cilën nevojitej përkujdesi i një personi të rritur, gjykata ka vendosur të linte të lirë 40- vjeçaren.

Ajo rezulton të jetë arrestuar edhe në Durrës për ushtrim prostitucioni, rreth 1 vit më parë. Por dyshohet se edhe gjykata e këtij rrethi e ka liruar atë duke argumentuar domosdoshmërinë e përkujdesjes së vajzës së mitur, që në rast burgimi të së ëmës, mbetej e vetme.

Sipas të dhënave, në seancën gjyqësore në Fier, 40-vjeçarja ka pasur karakteristikat e një nëne të përgjegjshme dhe që i përgjigjej interesit të fëmijës së saj.

Ndërkaq, lidhur me përfshirjen e nënës në skandalin e përdhunimit, hetimi ka siguruar edhe prova të tjera që vërtetojnë se ajo ka qenë në dijeni të gjithçkaje. Në bazë të përgjimeve të telefonit një ditë para arrestimit, Selvia u është përgjigjur disa telefonatave të bëra nga familjarët e saj, të cilët ishin vënë në dijeni nga mbesa e tyre për abuzimin seksual nga njerku. Vëllezërit i kanë kërkuar llogari të motrës se pse ajo nuk u kishte treguar lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Por ajo u është lutur të mos e bënin fajtore, pasi kishte frikën e daljes publike të skandalit. Madje ajo u ka kërkuar vëllezërve të saj që “mos e shtyni vajzën të denoncojë, se ky muhabet do të harrohet”. Dy ditë më parë, në dosjen e hetimit u shtua edhe përgjigjja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Tiranës, që vërtetoi se në trupin e të miturës kishte lëndë nga Ilmi Hoxha, duke e fundosur këtë të fundit në pretendimin mohues./360grade.al

Share: