Nga Andrea Stefani
“By blood, I am albanian. By citizenship, an indian“- citohet së fundi edhe nga CNN të ketë thënë Nënë Tereza lidhur me biografinë e saj. Në përkthimet shqip këtë frazë e kam gjetur kështu: Për nga gjaku jam shqiptare. Për nga kombësia një indiane!
Shihet qartë që shtetësia “citizenship” merret për kombësi, një ngatërrim që vetë Nënë Tereza nuk e bën. Kuptohet qartë që me “gjak” shenjtorja nënkupton kombin dhe kombësinë e saj duke e diferencuar qartë nga shteti (India) pjesëtare e të cilit ajo vetë qe si shtetase apo qytetare.
Në gjuhën politike, por edhe përgjithësisht në literaturën shqiptare, mbizotëron opinioni se “kombi” dhe “shteti” janë një, domethënë, identikë. Një dukuri e habitshme kjo sepse shqiptarët, kanë edhe rastin e Kosovës që duhet t’ja bënte më lehtësisht të kuptueshëm dallimin mes këtyre dy realiteteve. Eshtë fakt që Shqipëria dhe Kosova i përkasin një kombi të vetëm, atij shqiptar, ndërsa si shtete janë të ndryshëm. Kemi rastin e një një kombi me dy shtete. Si për shembull, dikur kombi gjerman i ndarë në shtetin e Republikës Federale dhe në atë të Republikës Demokratike.
Barazimi i kombit me shtetin bëri që vite me parë, kur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kjo republikë duhej të kishte edhe flamurin e saj, lindi frika se mos në këtë rast, Shqipëria dhe Kosova shfaqeshin si dy kombe të ndryshme. I njëjti gabim është bërë burim edhe i akuzave deri për tradhëti kombëtare të futbollistëve shqiptarë që luajnë me përfaqësueset e shteteve ku janë shtetas dhe jo me përfaqësuesen e shtetit shqiptar që konceptohet si “kombëtarja”.
Në mendimin shqiptar këmbëngul koncepti francez që e barazon kombin me shtetin. Jo rastësisht, edhe në kartat e identitetit apo pasaportat shqiptare, të prodhuara po nga një kompani franceze, “shtetësia” përkthehet “nationality”. Ndërkaq, ekziston edhe një tjetër koncept, i njohur si gjerman, që e përkufizon kombin jo në bazë të lidhjes politike, shtetit, por të “gjakut” të të kaluarës, historisë, paraardhësve, tokës, traditave apo kulturës së përbashkët.
Debati mes dijetarëve të të dy linjave është i hershëm dhe në vazhdim. Kemi mendimin se këndvështrimi gjerman është më i saktë. Ndryshe nga shteti, kombi nuk është një lidhje politike, artificiale pavarësisht se në një stad të caktuar historik ai nuk mund të mos marrë mbi vete një veshje politike sikundër është shteti. Dhe është pikërisht kjo veshje politike që ka sjellë edhe gabimin duke bërë që kombi, kjo lidhje që (pavarësisht nga trazimet e deformimet e mëvonshme) në lindje të saj ka qenë biologjike dhe natyrore, të krijojë iluzionin e një lidhjeje politike.
Është ky iluzion dhe koncepti i gabuar që rrënjon prej tij, shkaku ideal i lloj-lloj politikash asimiluese në emër të shtetit komb. Madje, edhe sot e kësaj dite. Sepse edhe ai që rëndom quhet “natyralizim”, është një lloj asimilimi. Ngaqë për shembull, meqenëse shteti francez është kombi francez, që të jesh pjesëtar i tij duhet të bëhesh francez për nga nacionaliteti. Kështu emigrantë kinezë, indianë, afrikanë, shqiptarë etj., shpallen me kombësi franceze!
Politikisht, barazimi i “shtetit” me “kombin” është një hulli e gabuar që nuk çon, sikundër rëndom shpresohet, në fashitjen e ekseseve nacionaliste. Zgjidhja nuk është t’a trukosh kombin me shtet për t’i maskuar dallimet kombëtare por t’i superosh ato duke i lënë vendin që ju takon në identitetin e personave por jo më shumë vend se ju takon, në politikë. Dhe pikërisht, lidhja politike, shteti demokratik pluralist ofron zgjidhjen më ideale. Anëtarët e tij mund të jenë me kombësi të ndryshme por politikisht, ata janë të njëllojtë si shtetas dhe qytetarë. Prejardhja e tyre mund të jetë, pa problem, e ndryshme por ata ribashkohen në ato që janë bazike për shtetin, disa vlera politike dhe etike, në një mendësi tipike për qytetërimin Perëndimor. Dhe gjithkush mund të shprehet pa ndrojtje si Nënë Tereza: Për nga gjaku jam, sipas rastit, shqiptar, kinez, argjentinas, eskimez, por nga shtetësia jam, po sipas shtetit ku ndodhet, francez, italian apo norvegjez!/Dita.al