Home KRYESORE Papa: Bota e lodhur nga meshtarët Kisha të “destabilizohet” nga Zoti

Papa: Bota e lodhur nga meshtarët Kisha të “destabilizohet” nga Zoti

“Bota është e lodhur nga meshtarët dhe ipeshkvijtë e modës. Kisha duhet të “destabilizohet” nga Zoti e duhet të jetë gjithnjë pranë njerëzve për t’u transmetuar mëshirën e Hyjit”.

Si zakonisht, Papa Françesku u foli pa doreza ipeshkvijve të rinj, që po marrin pjesë në një kurs formimi në Vatikan. Të shoqëruar nga prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Marc Oullet dhe nga kreu i dikasterit për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, ipeshkvijtë e rinj, ndër të cilët edhe kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj, u takuan me Atin e Shenjtë në Sallën Klementine në Vatikan.

Ta kthejnë mëshirën e Zotit në veprimtari baritore. Ky është misioni i ipeshkvijve, në veçanti i prelatëve të rinj, sipas Papës Françesku. Detyrë jo e lehtë, pranoi Ati i Shenjtë, por është e domosdoshme, që në grigjën ku shërbejnë ipeshkvijtë, të mbretërojnë shenjtëria, e vërteta dhe dashuria. Mëshira e Zotit, vërejti Papa, i duhet dhuruar kësaj bote të etur për të, por pa u përpjekur të vendosim vetveten në qendër të vëmendjes:

“Bota është e lodhur nga magjistarët gënjeshtarë. E më lejoni të them: edhe nga meshtarët apo ipeshkvijtë ‘sipas modës’. Njerëzit ‘i nuhasin’ – populli i Zotit e ndjen Zotin – pra, njerëzit ‘i nuhasin’ dhe largohen kur shohin narcizë, mashtrues, mbrojtës të punëve të veta, tellallë kryqëzatash të kota. Përpiquni t’i bindeni Zotit, i cili është aty para mbërritjes suaj”.

Njerëzit, vërejti Papa, kanë nevojë për mëshirë, sepse janë të vetëdijshëm për plagët e mëkatet e tyre. Shtrijnë dorën për ta lypur këtë mëshirë, të tërhequr nga aftësia e Hyjit për t’u përkulur mbi këto plagë, edhe kur shpirti i tyre është i sëmurë nga një lloj reumatizmi, tha Ati i Shenjtë figurativisht. Prandaj, kemi nevojë për njerëz që të dinë të nxjerrin “nga zemrat belbacuke të sotme” vullnetin për ta dëgjuar Zotin, duke favorizuar atë “heshtje” që e mundëson këtë:

“Zoti nuk dorëzohet kurrë! Jemi ne që, të mësuar me dështime, shpesh ngremë duart duke preferuar të bindemi se vërtet kanë arritur ta zhdukin e kështu, shpikim fjalë të hidhura për të justifikuar dembelinë, që na bllokon në tingujt e palëvizshëm të ankimeve të kota. Ankimet e ipeshkvit janë gjë e shëmtuar”.

Duhet ta lejoni Zotin t’ju shkundë nga apatia, nënvizoi Papa. Mëshira e Tij nuk ju lë ta humbni rrugën, prandaj, i këshilloi ipeshkvijtë, mos lini gjë pa provuar për të arritur tek besimtarët e për t’i kthyer në grigjën e Hyjit. Rruga për këtë është fillimi i një udhe dashurie në çdo Kishë:

“Mendoni për emergjencën edukative, për transmetimin e njohurive, por edhe të vlerave, mendoni për analfabetizmin e emocioneve, për thirrjet meshtarake, për shoshitjen në familje, për udhët e paqes: gjithçka e kërkon një fillim e pastaj një drejtim, një udhëheqje, duke përdorur këmbënguljen, durimin e vendosmërinë, të cilat e dallojnë bariun e mirë nga mercenari”.

Strukturat e fillimit të jetës së krishterë në Kishat lokale, shpjegoi Ati i Shenjtë, janë seminaret:

“Mos u tundoni nga numrat e nga sasia e thirrjeve, por kërkoni cilësinë e dishepujve të Krishtit. As numra, as sasi: vetëm cilësi. Mos i privoni seminaristët nga prania juaj atërore, e rreptë, por edhe e butë”.

Ipeshkvijtë, sipas Papës, duhet t’i ndihmojnë seminaristët të fitojnë lirinë për të qenë njerëz të qetë të Zotit e jo pre e tekave dhe e brishtësisë personale. Duhet edhe të jenë të kujdesshëm që seminaristët të mos mbyllen në ngurtësi, sepse nën to, fshihet gjithnjë “diçka e keqe”. Ata duhen shoqëruar me durim, ashtu si i gjithë kleri:

“Ju lutem edhe të veproni me kujdes e përgjegjësi kur pranoni kandidatë, ose kur merrni meshtarë në Kishat tuaja lokale. Mbajeni mend se që në fillesa, marrëdhëniet ndërmjet Kishës lokale dhe meshtarëve të saj kanë qenë të pazgjidhshme e nuk është pranuar kurrë një kler, që lëviz andej-këndej, ose një kler tranzit nga një vend në tjetrin. Kjo është sëmundje e kohëve të sotme”.

Njëkohësisht, Papa Françesku i këshilloi ipeshkvijtë t’i shoqërojnë familjet, duke i inkurajuar për të mirat e mëdha, që sjellin në shoqëri e, duke ndjekur ato më të plagosurat, përmes shqyrtimit të çështjeve me empati:

“Mos ‘kaloni përtej’ para brishtësive të tyre. Ndaluni, që zemra juaj prej bariu të shporohet nga vizioni i plagës së tyre; afrohuni me delikatesë e pa frikë. Bëjeni të dukshme para syve të tyre gëzimin e dashurisë së vërtetë dhe hirin me të cilin Zoti e larton atë, që të marrë pjesë në Dashurinë e vet”./ Radio Vatikani d.b/shqiptraja.com

Share: