Home KRYESORE Pas vizitës së Spartak Brahos në burg, zbulohet urdhri i ri kundër...

Pas vizitës së Spartak Brahos në burg, zbulohet urdhri i ri kundër deputetëve

Të gjithë deputetët të cilët duan të hyjnë në ambjentet e burgjeve në vend për të takuar persona të dënuar apo të paraburgosur, duhet të marrin më parë miratimin e Ministrit të Drejtësisë, pasi ta informojnë këtë të fundit për arsyet dhe qëllimin e vizitës. News 24 ka siguruar urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Miklovan Kopani, drejtuar vartësve të tij, që të mos lejojnë asnjë deputet apo funksionar të lartë që të kryejnë vizita apo takime në burgje, pa qenë të pajisur me leje nga Ministri i Drejtësisë. Vetëm nëse ligjvënësit, kanë marrë më parë miratimin nga ministri, atëherë mund të realizojnë vizitën dhe takimin.

Në fonogramin e siguruar nga News 24 , i cili iu është dërguar institucioneve thuhet se “Nuk do të lejohen të kryejnë vizita e takime deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionarë të lartë publikë, pa paraqitur më parë arsyen dhe qëllimin e vizitës te Ministri i Drejtësisë për miratim. Pas miratimit, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të krijojë kushtet e nevojshme me qëllim zhvillimin e takimeve”, – citojmë nga fonogrami i siguruar nga ‘BalkanWeb’

Urdhri iu është bërë me dije gjithë drejtuesve të Burgjeve e paraburgimeve në vend, të cilët tashmë kanë vetëm detyrën që t’iu mundësojnë deputetëve kushtet për të kryer vizita apo takime në ambientet e vuajtjes së dënimit.

Urdhri vjen menjëherë pasi kreu i Komisionit të sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, zhvilloi një takim me një të paraburgosur që ndodhet i izoluar në burgun Mine Peza. Vizita e deputetit ngjalli jo pak reagime, ndonëse zyrtarisht drejtoria e Burgjeve konfirmoi se Spartak Braho takoi në burg Iljas Labin, ish-drejtues i lartë në burgje, i cili dyshohet për akuzën e korrupsionit./Bw

urdhri-2-e1475148507100

Share: