Nga Edlira Gjoni
Është e diel, dita e familjes, dhe zakonisht nuk e përziej me tjetër gjë. Por një tufë e vogël mendimesh më rrahin si çekan e s’ma lenë të dielën të qetë, duke më thënë:
1) Pse kryeministri im mendon se unë jam e trashë a e vonuar e nuk kuptoj dot vendimet e tij të mëdha për të më mbytur me plehra? Pse ka frikë të më informojë hapur e pa u nxehur?
2) Pse kryeministrit nuk i lëviz qerpiku e nuk reagon, por rehat fare më le të vdes nëse shkoj të lind në maternitet, e më thotë që e kam fajin unë dhe vetëm unë, e asesi ndonjë nga armata e njerëzve afër tij që milionerizohen me shëndetësinë?
3) Pse del kryeministri im në facebook e twitter e tallet me aftësinë time e të ca milionë të tjerëve për të kuptuar se llogaritjet e këtij viti për të çuar ujë në mullirin e disa interesave private për universitetet, dolën gabim e zbuluar?
4) Si ta shpjegoj mënyrën e largimit nga puna të një kolegu gazetar fort të aftë nga një individ e kundërta e tij profesionalisht, që duhet të mos ishte kthyer më kurrë në ekran, e jo më të kishte në dorë aftësinë e të tjerëve?
5) Pse nuk arrij të bind veten se edhe po ta kisha shkruar me dorën time listën e të 140 deputetëve në kazanët e plehrave, veprimi nuk do sillte asnjë ndryshim? Na është tharë shpresa. Po po. Ajo që vdes e fundit.
6) Një mik i imi, shqiptar i mençur e aktiv sa shumë shqiptarë bashkë, pozitiv e i kthyer në vendlindje për të ndenjur, shkruan një status që thënë prej tij, tremb shumë të tjerë: kushdo që mundet, po përpiqet me çdo formë të iki nga ky vend 🙁
7) Ikja e shqiptarëve. Jo vetëm e “azilantëve”, por edhe e studentëve, familjeve të reja, individëve me pak ide e mend në kokë, e vrasin kaq shumë Shqipërinë. Të lumtë, kryeministri im. Kjo është arritja jote më e madhe. E bëre Shqipërinë të pajetueshme.
8) Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur fatura të çmendura si 6 mijë euro një darkë e 100 mijë euro bileta avioni e dieta për ca ministra. Dhe unë, si grua, të vdes në maternitet se nuk ka çfarë?