Home KRYESORE Ringjallja e Nënë Terezës

Ringjallja e Nënë Terezës

Nga Enver Bytyçi

Nesër Nënë Tereza, bija dhe nëna më e madhe e kombit shqiptar, lavdia dhe krenaria jonë, imazhi dhe mbrojtësja e shqiptarëve dhe jo vetëm njerëzve të varfër, pasneser do të gëdhihet e shenjtë. Ndodh kjo vetëm 19 vite pas vdekjes së saj. Dmth 19 vite pas shkuarjes në amshim ajo ringjallet, si krishti, si vetë jeta, si feniksi e na vjen ne shqiptarëve përsëri në ndihmë, na bën të ndjehemi krenarë, na bën që bota të na shohë mje një sy tjetër, për të mirë. Jo për bëmat tona, jo për sukseset dhe konkurencën tonë si komb në politikë, në kulturë, në ekonomi, në ceshtjet e sigurisë, apo në fusha të tjera.

Ne konkurojmë më botën që na rrethon vetëm me fjalë, Nënë Tereza sfidoi e vetme gjithë planetin. Ne jemi të parët në grindjet mes veti, në luftën politike e me mjete të dhunëshme kundër njëri-tjetrit, Nënë Tereza ishte dhe mbetet unike në botë për harmoninë njerëzore dhe humanizmin që promovoi. Ne jemi bërë gazi i botës, sepse na vjen era hashash dhe tym prej granatave me gazlotësjellës. Nënë Tereza e sfidoi botën dhe na promovoi ne ndryshe, si njerëz, si element i përparuar në botën e qytetëruar.

Nënë Tereza na ka ardhur në ndihmë kur e kemi merituar e kur nuk e kemi merituar. Na ka qëndruar pranë dhe na ka mbrojtur sic i mbrojnë engjujt njerëzit e tyre të dashur. Duke u shenjtëruar, ajo tashmë shndërrohet përgjithmonë në një engjëll mbrojtës për të varfërit për kombin shqiptar. Nënë Tereza duhej e duhet të jetë shembëlltyra jonë, me qëllim që të bëhemi njësh me njëri-tjetrin. Ky është mesazhi i saj, kjo është rruga që ajo na mësoi.
Por Nënën Terezën ne e duam pa zemër. Ka shumë prej atyre që e thërrasin me zë të lartë emrin e saj dhe janë e kundërta e shpirtit të saj. Mos të përmend faktin se ka shqiptarë trutharë që shtrojnë pyetjen: “Kush është kjo? Cfarë ka bërë ajo për kombin shqiptar?”. Këtyre trutharëve e trudrurëve u duhet thënë se në botën e civilizuar dy veta e mbrojtën kombin shqiptar: Papa Gjon Pali II dhe presidenti amerikan Bill Clinton. Të dy miqtë dhe amanetzbatuesit e dëshirës dhe vullnetit të Nënë Terezës! Mjafton kjo, që ajo të mbahet në piedestalin e në zemrën e cdo shqiptari.

Por fatkeqësisht në Shqipëri ka pak jehonë kjo ngjarje madhore, më e madhja për ne sa i përket nderimit të ndonjë shqiptari në historinë tonë. As institucionet e shtetit, as qeveria, as institucionet që mbajnë emrin e saj nuk kanë ndërmarrë asgjë për të promovuar dhe përkujtuar Nënë Terezën dhe veprën e saj madhore, të pashëmbullt në historinë e njerëzimit. Aq madhore sa në mediat botërore ajo konsiderohet gruaja më e fuqishme e të gjitha kohërave që prej lindjes së Krishtit para dy mijë vitesh.

Share: