Home KRYESORE Roland Keta “paralajmëron” : Pas Dibrës, ja fati i Bregut dhe Selamit

Roland Keta “paralajmëron” : Pas Dibrës, ja fati i Bregut dhe Selamit

Zoti Keta, çfarë ka ndikuar në humbjen aq të thellë të opozitës në Dibër?

Siç edhe jeni informuar prej ditësh, një nga arsyet për humbjen e thellë në Dibër është blerja e votës atje. Sikur të mos e kisha parë nga afër situatën atje dhe mund të isha skeptik, por nga ajo që pamë në terren shanset që ne të Òtonim ishin minimale.

Pse nuk i keni denoncuar më përpara?

Informacione ka pasur edhe më përpara. Janë denoncuar edhe më parë nga qytetarët. Personalisht sipas informacioneve që na kanë ardhur nga zonat e thella, Partia Demokratike nuk i denoncoi vetëm ditët e fundit, por gjatë gjithë fushatës.

Kur e patë që fushatën e kishte gllabëruar “hashashi”, përse në fund nuk u tërhoq nga zgjedhjet PD-ja? Ose më saktë si duhet të ishte sjellë Partia Demokratike?

Për këtë pyetje nuk mund të them dot gjë, pasi merren vendime Grupi. Nuk mund të komentoj unë, por gjithsesi një deputet në Grup është shprehur se në këtë gjendje duhet të bojkotojmë zgjedhjet, ose nuk duhet të futemi në zgjedhje. Unë personalisht mendoj se kandidati ynë ishte shumë i mirë. Figurë kombëtare, bir i Dibrës. Edhe kandidati i PS-së ishte djalë Dibre, por në fund ai zgjodhi që të merrte votat nga presioni i administratës, nga presionet e ndryshme. Të gjitha këto janë të faktuara dhe të konfirmuara nga njerëz. Infermierë, ata me ndihmë ekonomike, me aftësi të kufizuar.

Ç’duhet të bënte ndryshe Partia Demokratike në zgjedhjet e Dibrës?

Kryetari i Partisë zoti Basha dhe i gjithë grupi parlamentar ishin në Dibër. Të gjithë u angazhuan. Kjo nuk ndikoi negativisht në kampin demokrat. Nga eksperienca e viteve të mëparshme, kur ka zgjedhje në një njësi vendore dhe pushteti është qendror, fiton ai që ka qeverisjen.

Cili është leksioni që morët nga Dibra dhe që duhet ta korrigjoni në zgjedhjet e 2017-ës?

Nëse nuk bashkohemi të gjithë bashkë, të majtë e të djathtë për shitblerjen e votës, si në 2013, 2015, atëherë e ardhmja e votës dhe e zgjedhjeve është e mbyllur. Nuk do të ketë zgjedhje të lira. Ky është mesazhi që personalisht jap. Partitë politike duhet të shpëtojnë reformën zgjedhore. Zgjedhjet e 2017-ës erdhën. Ajo që ndodhi në Dibër të mos ndodhë në 2017-ën. Vjedhja e votes është kthyer në një sistem, sëmundje që rrezikon të ardhmen e Shqipërisë sepse nuk ka liri.

Në analizën e zgjedhjeve të PDsë për zgjedhjet ka pasur përplasje në mbledhjen e grupit parlamentar. Ju keni qenë kritik për disa individë. Pse?

Nga ana e kryetarit Lulzim Basha do të ketë një analizë të plotë. Unë po ashtu kam kërkuar që të jetë një analizë e hollësishme dhe e thellë për këto zgjedhje. Kam rezervat e mia për organizimin. Por, unë besoj se humbja nuk erdhi nga organizimi, por nuk duhen nënvlerësuar degët lokale, struktura e partisë në bazë. PD-ja në shumë degë është në riorganizim dhe kjo është lidhur edhe me Dibrën. Për ne ishte e papritur, sepse u largua zoti Xhelili, kryetari i Bashkisë. Organizimi duhet të jetë efiçent, i shpejtë të japë informacionet e duhura. Një riorganizim kaq i gjatë nuk është i vlefshëm dhe duhet të shpejtohet, nuk duhet të zgjasë me muaj por në një kohë të shkurtër.

Zonja Bregu ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar për riorganizimin e strukturave. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Nuk jap komente për kolegët e mi. Kryetari Basha ka qenë i hapur me të gjithë anëtarët e grupit parlamentar. Të gjithë deputetët janë të lirë të flasin dhe të japin mendimet e tyre. Nuk besoj se çalon problemi tek Këshilli Kombëtar.

A ka nevojë për ndryshim strukturash në qendër zoti Keta?

Edhe një familje ka probleme, jo më një parti, madje edhe në Dibër. Shumë degë të reja të partisë janë në fazën e përzgjedhjes. Partia ka nevojë të hapet dhe të ofrojë më shumë figura të rëndësishme në bazë, por dhe në qendër.

Në korridoret e PD-së flitet për një përjashtim të mundshëm të zonjës Bregu dhe zotit Selami. Si është e vërteta?

Absolutisht nuk ndodhin kështu gjërash në Partinë Demokratike. Nëse ka një njeri të hapur ai është zoti Basha. Kam eksperiencë edhe në vitet e mëparshme. Ai është i hapur për debat dhe nuk ka armiq. E përsëris organizimi duhet të jetë më i mirë.

Sa është e vërtetë zoti Keta, që tashmë në PD ka filuar një “luftë” të ftohtë mes deputetëve për të pasur emrin në listën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?

Nuk mendoj se debatet po bëhen për listat, por për të mirën e Partisë. Debatet i bëjnë mirë PDsë dhe kështu mendojnë dhe drejtuesit, duke përfshirë dhe zotin Basha.

Ju thoni se deputetët që kanë dalë kundër zotit Basha, nuk rrezikojnë të mbesin jashtë listave?

Unë mendoj që jo. Zoti Basha është i hapur për sugjerime dhe që nga ardhja e tij në krye të PD-së ka mirëpritur çdo lloj kritike. Ai është treguar një lider model në këtë drejtim. Në mbledhjet e grupit të PD-së zoti Basha ka pranuar dhe e ka toleruar çdo lloj diskutimi. /Koha Jone

Share: