Home KRYESORE RRËFIMI/ ISH-SEKRETARJA E NANOS: BISEDA ME FATOSIN KUR I ERDHI FLETA E...

RRËFIMI/ ISH-SEKRETARJA E NANOS: BISEDA ME FATOSIN KUR I ERDHI FLETA E ARRESTIT NË ZYRË

Ish-anëtari i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues në PS, Ylli Polovina në librin e tij, “Të jesh apo të mos jesh”, sjell fakte reale nga jeta politike që zhvillohej në këtë parti gjatë kohës që Fatos Nano ishte në burgun e Bënçës.

Debati kulmor në këtë parti që pas krijimit të saj në 1991, ishte mocioni i dërguar nga burgu i Bënçës që kërkonte reformimin e PS dhe largimin e disa figurave në drejtimin e saj. Kristina Çupi, ish-sekretarja personale e Nanos, tregon në një nga kapitujt e librit të Polovinës, njohjen me kryesocialistin, lidhjet e tij me PPSH-në, filozofinë e tij për partinë e re socialiste, por dhe momentet kur Nano u thirr në Prokurori e më pas u arrestua dhe u dënua.

Zonja Kristina, si jeni njohur me Fatos Nanon, me të cilin më pas keni ndarë disa vite pune dhe bashkëpunimi?

Me të nuk kisha njohje fare. Rasti ra në vitin 1990, kur u tha se Nano ishte takuar me një ekonomist europian, ndoshta ka qenë italian. Biseda ishte incizuar në shirit dhe mua më dhanë urdhër që ta zbërtheja. Më thanë se të dy shqiptarët, të cilët merrnin pjesë në bisedë, kishin këtë dhe atë emër. Aty për herë të parë, kam njohur në mikrofon zërin e tij. Ndërsa hidhja në letër bisedën që ishte bërë, menjëherë thashë: Fatosi i paska fjalitë e gjata. (Qesh) Kjo është edhe puna ime profesionale. Por thashë me vete se edhe qenka njeri i thellë.

Në atë kohë të pyesje se çfarë donte të thoshte ky apo ai me mendimet e tij, ishte e pamundur, sepse nuk lejohej. Shiritin ia besova atij që ma dha. Edhe materialin, kur vjen Fatosi dhe më thotë se a mund ta shihte çfarë ishte shkruar? Ia kam dorëzuar, iu përgjigja, të gjitha i kam dorë- zuar. Ajo që më ka mbetur në mendje ishte një “takim” si quhej atëherë, kur sekretari i Komitetit Qendror thërriste specialistë dhe intelektualë të ndryshëm.

Me një fjalë një rast i tillë ishte, kur unë kaloj aty afër dhe dëgjoj njërin nga të aparatit të thotë me atë zërin e tij të hollë: “Ai djali i Thanasit ka thënë se ekonomia shqiptare është në buzë të greminës”. “Po, more, po”, iu përgjigj një tjetër, “në buzë të greminës është. Djali i Thanasit thoni ju, por ai ka edhe emër”.

Më vonë unë e kam kërkuar atë shirit. Nuk e gjeta, nuk e di ku do të jetë.

Kur ka ndodhur kjo ngjarje?

Pasi ia ka folur në “Zëri i Amerikës”. Mbaj mend atëherë edhe nga shokët se këtë gjë ia shtruan edhe në organizatë. Nuk e di çfarë u tha në atë mbledhje, por edhe në mbrojtje të Fatosit duhej të kishte njerëz. Edhe pse kishte kundër shefin e tij, i cili i tha “i biri i Thanasit”. Prandaj them se të gjitha ato që thuhen se ai ka lidhje apo kishte lidhje me Nexhmije Hoxhën, nuk janë të vërteta. Këtë e vërtetoj unë, sepse po flas. Sepse unë nuk flas, di shumë gjëra dhe nuk flas, ato që nuk duhet, nuk i them, këtë gjë po e them: ai nuk ka qenë i pëlqyer për Nexhmijen.

Sepse ajo të tjerët nuk i linte të ngriheshin. Material nga Fatosi, material me emrin e tij nuk ka ardhur kurrë aty te ne për t’u daktilografuar. Zyra jonë punonte për të gjithë Komitetin Qendror. Ndoshta mund të ketë ardhur material i shkruar nga ai, por me emër asnjëherë.

As në Byro, as në Sekretariat. Nuk shkonin lart, ato mbeteshin anonimë. Kishte shumë të tjerë që u dilte emri, por atij asnjëherë. Ato ditë u mor vesh nga shumë veta se Fatos Nano kishte folur keq për ekonominë shqiptare dhe për këtë gjë diskutohej. U ngrit dikush në një takim ditor, tha që “po e kërkon ai”.

Ngriti zërin dhe shtoi: “Po vazhdon të flasë akoma, thotë “çfarë Perestrojke, nuk bëhet më me Perestrojkë, u bënë kaq vjet, këtu të gjitha duhen përmbysur”. Nuk iu përgjigj kush, pothuaj të gjithë e dinin tanimë se ekonomia shqiptare ishte keq.

Bashkëpunimi juaj nisi pas Kongresit të PS-së dhe zgjedhjes së tij kryetar?

Erdhi Kongresi. I dhjeti, ai i Partisë së Punës. Deri në atë çast e kam takuar në rrugë si gjithë të tjerët, e kam takuar si çdo njeri tjetër, pra si njeri të largët. Njerëzit e atij Kongresi, pavarësisht si u zhvillua, patën shpresë. Ata patën shpresën se Fatosi mund të bënte diçka për ta. Dhe në atë Kongres Fatosi ka mbajtur një fjalim, të cilin unë nuk kam për ta harruar kurrë. E zbardha atë fjalë. Por jo vetëm kur e zbardha, edhe kur e dëgjova. Ai tha: “do të krijojmë Partinë e re Socialiste”.

E ka thënë tri herë “Partinë e re Socialiste”. Askujt nga ata aty nuk i ra në sy kjo gjë. Ishte njëri në presidium, i cili po i thoshte shokut me ironi: “E dëgjon çfarë po thotë? Do që të krijojë Partinë e re Socialiste”. Ky ishte një dikush i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste që hiqej si shoku i Fatosit, por tani shqetësohej: “Po thotë parti e re! E dëgjon apo nuk e dëgjon”? Pasi zbardha fjalimin, i thashë: “A ju duhet?” Tundi kokën. Unë kisha nënvizuar fjalët e tij “Parti e re Socialiste”.

Ai e vuri re dhe qeshi. Edhe më tha: “Këto ditë do të punosh me mua, sepse radhën e parë nuk më dhe materialin, kurse kësaj radhe e ke shënuar idenë time: Partia e re Socialiste. Sepse ajo parti që ishte, e mbaroi misionin e saj. Ajo dihet. Por njerëzit e ndershëm të asaj partie do të dinë ta krijojnë edhe partinë e re…Do flasim, do flasim më pas”. Kaluan disa ditë të tjera. Nuk dija se ç’do të bëhej me mua. Kur vjen një çast dhe më thotë vetë Fatosi: “Do të të kem sekretare po jo këtu, është tjetër gjë. Tani për tani do të rrish”.

Unë do të kisha menduar se do të ikja si gjithë te tjerët. “Do è të zbardhësh materialet, mbledhjet e bisedat që janë bërë”, kështu më tha dhe filluam këtë punë, zbardhëm gjithçka që ishte e nevojshme.

Si sillej Nano me ju dhe me stafin tjetër të aparatit në Partinë Socialiste?

Më pas vazhduam dhe të them të drejtën unë kam fluturuar me Fatos Nanon. Sepse ai sa vinte në mëngjes, puna e parë që bënte pyeste si isha me shëndet dhe pastaj me radhë të gjithë familjen. Asnjëherë për shembull: Si jeni nga shtë- pia, por me emër për të gjithë deri edhe për babanë tim. Deri edhe për Rudinën, vajzën.

Çdo mëngjes kjo punë, edhe të vinte vetëm, edhe i shoqëruar me njerëz të tjerë. Gjithnjë do të më jepte dorën. Gjatë ditës vazhdimisht do të më thoshte: “ulu moj motër, u lodhe moj motër”. Ishte një mënyrë trajtimi krejt ndryshe nga ajo që ishim mësuar në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Atëherë askush nga shefat nuk të thoshte mirëmëngjes apo mirëdita.

Atje siç ishte tavolina ashtu isha edhe unë. Unë zbardhja materiale, por në korridor nuk kishe të drejtë të dilje për sa kohë do të ishin ata, askush nuk dilte nga ne, nuk kishin të drejtë. Iknin shefat, më thërrisnin zyrat e tjera dhe unë shkoja. Më në fund e kaloja atë korridor, shkoja në zyrën tjetër edhe pse ajo ishte dy dyer më larg.

Siç duket paskeni qenë stenografe?

Po, kam qenë stenografe. Mbaja shënim të gjitha mbledhjet, nga fillimi gjer në fund. Po jua them vetëm juve, por unë kam qenë nxënëse e shkëlqyer dhe mësuese kam qenë nga më të mirat. Pata kënaqësi kur më thirrën në Komitetin Qendror, të them të drejtën. Stenografiste duket një punë fare e rëndomtë, por në të vërtetë është një punë që të ngre, të lartë- son.

Veç punën që kisha pasion, arkeologjinë, nuk e arrita dot. Pra, unë a i kuptoja ata të dikurshmit dhe bëja dallimin mes tyre dhe Fatos Nanos? Unë them që po. Pra, pranë Fatos Nanos unë kam ndjerë se çdo të thotë njeri që di të drejtojë. Unë i njoh të gjithë këtu, në zyrat e Partisë Socialiste. Prandaj them se Fatos Nano kishte autoritet. Autoritetin e kishte nga dija, nga koka që e ka plot. Vetëm nga kjo u imponohej të tjerëve. Edhe po të ishte jashtë burgut, shumë nga ato gjëra që i tha lidhur me mocionin, mundej të mos i thoshte.

Se do të shihte vetë njerëzit në sy. Edhe këta të tjerët do t’ia thoshin në sy. Ai është për mua njeriu numër një, është politikani numër një, është edhe ironik. Ironia i ka lezet. I ka shumë lezet ironia, sepse di ta thotë, di tamam kur ta thotë dhe nuk ka nevojë të flasë shumë. Nuk i përdorte më ato fjalitë e gjatë të fillimit dhe nisi të bëhej i kuptueshëm për të gjithë. Sepse ai ishte shumë studiues dhe u bë mjaft popullor.

Si tani e kam parasysh kur u kthye nga Tropoja, pasi pa atje minat, pa shkrepjen e automatikut, megjithatë nuk e dha veten. Unë e kam parë kur u kthye nga Lushnja, ku nuk e lanë të futej. Unë e kam parë të kthehej nga Shkodra, ku i ngritën pritë njerëzit e Berishës. Buzëqeshjen nuk e hoqi ndonjëherë nga buza. Asnjëherë nuk u dëshpërua.

Kur u arrestua nga Berisha ju ishit në punë?

Ditën kur do të ikte, më 30 korrik, më është thyer filxhani. Ishte mëngjes. Njoftimi me shkrim, një pusullë thirrëse, erdhi nga Prokuroria e Tiranës. Ishte ora tetë. Mirëpo Fatosi duhej të shkonte patjetër në mbledhjen e socialistëve të kryeqytetit, që mbahej në Teatrin e Operës dhe i thashë se kishte për të shkuar edhe … Më dridhet zëri kur e them. Ai tha: “Do vete njëherë në mbledhjen e Tiranës”. Shkoi.

Kur erdhi këtu, ishte me një grup njerëzish. Një mik i tij, një afarist, i tha se duhet të blinin “Fanta”. I blemë ato dhe Fatosi tha: “Tani duam edhe një kafe”. Ia bëra kafet te një nga zyrat. Kur ia solla të tijën, më pa në sy (se si po më shihte) dhe tha: “Mund të mos kthehem”. E dëgjuan edhe të tjerët. Mbetëm. Sepse shtoi: “Ata do të bëjnë shpejt atë që kanë ndër mend ta bëjnë”.

Aty m’u thye filxhani.

Mos u mërzit i thashë, mos u mërzit se kam shenjë të mirë.

Pastaj iku. E pritëm, e pritëm. Dikush vajti. Vajtën të tjerë. Prisnim para Prokurorisë. Disa druheshin të pyetnin (siç e kemi ne që ndonjëherë kemi frikë). E kishin arrestuar. Morëm porosinë se duhet të hiqnim ato që duheshin hequr nga zyra. E ç’duheshin hequr? Asgjë nuk kishte që e fajësonte, por hoqëm shkresa më kot. Më shumë nga turbullira.

Nuk patët asnjë mundësi që ta takonit kur ishte në burg?

E takuam më 12 gusht. U nisa me dy shoqe të tjera. Ato hiqeshin sikur ishin kunatat e Fatosit, unë si kushërira. Pritëm përjashta. Ishte zheg. E kam tani si në ëndërr. Si një njeri që sheh syhapur e nuk lëviz dot nga vendi. E pashë nga larg: ishte veshur me kanotiere, rruar dhe rregulluar. Erdhi dhe kemi ndenjur në oborr. “Të paskan futur në formalinë, Kristina”, më tha. Më parë kishim bërë shaka se ai duhet të merrte një sekretare të re e ajo të ishte brune. Pata kënaqësi, folëm, unë i thashë për bashkëjetesën. Nejse, për kohën bashkëjetesa është normale, por unë për çupën time nuk do ta dëshiroja kurrë. Fatosi iu përgjigj merakut tim, duke thënë: “Ç’ke ti Kristina?

Le të bashkëjetojnë të rinjtë”. Atëherë ia ktheva se kjo nuk ndikon mirë për ne. “Rri, tha, mos fol më”. E mori vesh për kë e kisha, ato dy shoqet e tjera nuk e kuptuan. Biseda vazhdoi me çështje të tjera. I thashë se isha miqë- suar me shumë sekretare ambasadash, se ambasadori, ky apo ai, kishin pyetur për të. Pastaj më pyeti ai për shumë gjëra. Më porositi për ruajtjen e letrave, për përgatitjen e Kongresit që do të bëhej, se duheshin materialet e kancelarisë. Ky ishte edhe takimi i fundit me të.

Ndërkohë, çfarë debati zhvillohej në PS për mocionin e Nanos?

Për mocionin më kanë akuzuar disa sikur nuk jam angazhuar. Unë nuk jam në gjendje të gjykoj mocionet e Fatosit. Dhe kurrë nuk kam qenë në kuptimin ‘tralala’ dhe nuk kam duartrokitur në kor as dje, po as dhe tani. I kam ndjekur të gjitha mbledhjet, por unë kam qenë për institucionet. Jashtë nuk më kanë pëlqyer kurrë llafet. Siç duket ia kanë çuar këtë haber, se Kristina nuk ‘duartroket’.

E di. Por nuk është hera e parë dhe nuk më bën përshtypje. Sepse edhe dikush tjetër vajti dhe i tha në burg. “Kristina nuk më lajmëroi që erdhi filan ambasador. Ia dërgoi llafin Bënçës, se sa halle të tjera ka Bënça”. Fatosi ishte përgjigjur: “I thoni Kristinës që të ketë kujdes herë tjetër e të lajmërojë”. Vetëm kaq kishte thënë. Nuk donte ambasadori ta takonte more vëlla, nuk donte. Ç’të bëja unë? E mora vetë përsipër sikur harrova ta lajmëroja. Megjithatë le t’i lemë këto. Disa çojnë llafe për qëllimet e tyre, disa i çojnë për mirë.

Kur erdhi mocioni, unë jam tronditur jo nga mbledhja, as edhe nga vetë mocioni, por nga reagimi i disa njerëzve. Sepse nuk mund ta mendoj kurrë që shokët e tij të thonë: “Është në vete?” Nuk mund ta duroj dot kurrë. Nuk mund ta duroj dot që një njeri që hiqet shok i tij, (edhe tani i bëhet shok), të thotë atje fjalë të pamenduara, të shajë. Nuk është aspak mirë, nuk është njerëzore.

Fatosin e do koha, kaq di të them. Dhe kur thotë se dikush duhet të lëvizte, për të mirën e partisë, duhet të ikë. Aq shumë e donte atë Gramoz Ruçin dhe po aq shumë e desh edhe ai, nuk ka fjalë ta përshkruash. Nuk e donte më koha Gramozin, jo Fatosi, se ky linte kokën. /Panorama/

Share: