Janë të dyja bashki në veri të vendit, por njëra është e “njerkës”, tjetra e “nënës”. Njëra etiketohet kryeqendra e veriut, por drejtohet nga një kryebashkiake e opozitës, tjetra deri dje ishte fare pa kryetar, por kishte zgjedhje të cilat kryeministri dhe “Rilindja” i trajtuan si decizive për fatin e tyre të ardhshëm. Bëhet fjalë për paratë që ka hedhur qeveria në Shkodër dhe Dibër gjatë dy muajve të fundit të kësaj vere.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka bër një vëzhgim të thjeshtë në Agjencinë e Prokurimit Publik nga rezulton se bashkia e Shkodrës, përgjatë këtyre dy muajve, ka marrë në total rreth 750 milionë lekë të vjetra. Gjithsej, kjo bashki ka hapur tre tendera. Ka marrë nga buxheti i shtetit 638 milionë për rregullimin e bllokut të pallateve në lagjen “Xhabije”. Nga këto, ka përdorur 387 milionë.
Po kjo njësi e rëndësishme administrative me shtrirjen dhe numrin më të madh të banorëve në veri të Shqipërisë, ka marrë nga buxheti i shtetit edhe 50 milionë lekë të vjetra për pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese. Tenderi i tretë ka qenë për blerjen e artikujve të ndryshëm ushqimor, ku ka marrë 74 milionë lekë. Kaq ka marrë bashkia që drejtohet nga Voltana Ademi dhe duket se edhe këto i ka shumë, pas kërcënimit që i bëri ballas kryeministri, se nuk do ketë asnjë kacidhe, nëse ajo nuk bën si do ai.
Nga ana tjetër kemi edhe bashkinë e Dibrës, në të cilën do të zhvilloheshin zgjedhjet lokale të pjesshme, të cilat Rama i konsideroi si “jetë e vdekje” dhe për këtë qëllim vendosi të përdorë çdo mënyrë për të arritur atë që siç deklaroi mbrëmë edhe vetë, “rëndësi ka vetëm rezultati, të tjerat janë llafe”. Kështu sipas këtij vëzhgimi rezulton se kjo bashki, ku e ku më e vogël se ajo e Shkodrës “demokrate”, ka bërë mbi 30 tenderë, ku nga këta 10 me paratë e buxhetit të shtetit. Vetëm përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, duket se qeveria nuk ka zgjidhur qesen, por ka shqyer thesin dhe i ka akorduar, një fond prej 4.6 miliard lekësh brenda 60 ditëve.
Qeveria ka financuar 1.7 miliard lekë të vjetra, vetëm për përmirësimin e një pjese, asaj më të dukshme të infrastrukturës vendore. Fituesi i tenderit, i cili njëkohësisht ishte edhe pjesë kryesore e shtabit elektoral të kandidatit Muharrem Rama është shpallur që në muajin gusht, disa javë para zgjedhjeve. Por loja që u bë me dibranët, ishte duke ju thënë, se këto investime në infrastrukturë do të kryheshin nëse fitonte kandidati i qeverisë dhe u proklamuan me të madhe si premtime elektorale. Në fakt pavarësisht se kush fitonte, tenderi ishte mbyllur dhe firma fituese e kishte siguruar fondin duke qenë kështu e detyruar me ligj të vazhdonte punën me Ramën apo Shehun në krye të bashkisë.
Një nga premtimet e tjera bujëmëdha të kandidatit të PS-së që faktikisht fitoi ishte rinovimi dhe bërja me standard modern i bulevardit qendror në Peshkopi “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rinovimi i “rrugës së Muzeut”. Edhe për këto u premtua se do të bëheshin nga bashkia pas fitores së Muharrem Ramës, por në fakt tenderi është bërë që në muajin gusht dhe me lekët e firmosura nga vetë kryeministri, në shumën 922 milionë.
Edhe në Maqellarë, aty ku kandidati i majtë, kishte më pak shpresa se kudo për të triumfuar, përveç të tjerave u përdor e njëjta skemë. U premtua, se nëse i jepnin votat, ai do të zgjidhte një nga gangrenat e kësaj zone, çështjen e shkollës së mesme, e cila ishte lënë këto tre vite “Rilindje” në gjendje katastrofike. Tenderi në fakt ishte kryer dhe qeveria kishte akorduar me kohë që në muajt korrik-gusht 800 milion lekë të vjetra për këtë çështje.
Mësohet gjithashtu se nga buxheti i shtetit është financuar në Dibër edhe për asfaltimin e rrugës Borde-Peshkopi, me fond prej 540 milionë lekësh. Ndërkohë, janë edhe shumë tender të tjerë të cilët në fakt duhet ti zhvillonte bashkia, por të gjithë janë bërë me fond “special” nga paratë e buxhetit të shtetit.
Në ato dalje publike nga qyteti i Peshkopisë kryeministri jua bëri të qartë Dibranëve; nëse nuk votonin kandidatin e tij do të kishin fatin e Shkodrës, asnjë kacidhe për atë zonë nga qeveria. Ndoshta dibranët kanë pyetur vetveten, se të kujt i ka këto miliarda Edi Rama që i përdor si të dojë dhe për kë të dojë? Janë trashëgimi nga babai i tij skulptor Kristaqi, apo para të mbledhura edhe më kërbaç, nga gjithë taksapaguesit shqiptar?
Pavarësisht nga kjo, ky kërcënim që ashtu si në Shkodër është bërë realitet, në Dibër funksionoi më së miri./Opinion.al