Home KRYESORE Topi:Rezultati në Dibër paradoksal

Topi:Rezultati në Dibër paradoksal

Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi i ftuar në emisionin ’45 minuta’ në Report Tv ka folur për zgjedhjet e pjesshme në Dibër, rolin e të djathtës shqiptare si dhe atë të partisë së tij në skenën politike.

Sipas Bamir Topit rezultati i Dibrës është një rezultat tërësisht paradoksal pavarësisht se Muharem Rama e meritoi fitoren. Duke marrë parasysh rezultatin pas skandalit seksual them se është paradoksal 10-fishimi i votave për kandidatin socialist theksoi Topi.

Duke folur për përgjegjësinë e PD Bamir Topi tha se Basha ende nuk është lideri që vendos vetë në këtë parti dhe se influenca e Berishës mbi të vijon të jetë e madhe. Sipas ish presidentit, Berisha vijon të jetë një faktor pengues edhe për të djathtën e cila nuk jep shpresë për të ardhmen.

Kreu i FRD shprehu shqetësimin pasi nga njëra anë një krah ka të gjithë pushtetin ndërsa pala tjetër është shumë e dobët. Sipas Bamir Topit ky rezultat nuk duhet të kënaqë as kryeministrin, pasi tregon që nuk njeh realitetin shqiptar. Mesa duket është një popull në dëshpërim që predispozon t’i marrë premtimet për të vërteta- theksoi Topi.

Ai shtoi se politika shqiptare ka nevojë për një zë të tretë që të bëjë balancimin mes dy palëve. I pyetur se pse presidenti Nishani po heziton të dekretojë ligjin për Vetingun , ish kreu i shtetit tha se ai është brenda afateve kushtetuese megjithëse shtoi se një qëndrim i tillë i tij pritej pasi presidenti Nishani i përket një krahu politik.

Përsa i përket reformës zgjedhore Kreu i FRD tha se partia e tij dëshiron që sistemi proporcional të korrektohet në nivel kombëtar në mënyrë që çdo votë të shkojë tek i zoti./shqiptarja.com/

Share: