Mendoj se është e trishtueshme dhe tejet e gabuar teksa dëgjon që ata mendojnë se ne jemi terroristë. Ne nuk jemi aspak të tillë”, thotë Chilla, një nxënëse shumë e zgjuar dhe elekuente në vitin e fundit të shkollës së mesme, e cila studion në një nga shkollat më elitare të vendit të saj, në kolegjin “Kharisma Bangsa” në afërsi të Xhakartës, kryeqytetin e Indonezisë.
Deri në mes të korrikut të këtij vitit, shqetësimi i vetëm i saj ishte arritja e rezultateve të shkëlqyera, për të vazhduar më pas studimet e larta për mjekësi.
Tani Chilla dhe bashkëmosharatët e saj të të njëjtës klasë përballen me akuzat e autoriteteve turke, të cilat shkollën e tyre e lidhin me një organizatë terroriste.
Kolegji “Kharisma Bangsa” është vetëm njëri nga qindra shkollat simotra në të gjithë botën, të cilat autoritetet turke po përpiqen që t’i mbyllin për shkak se ato janë të lidhur me, Fethullah Gylen, klerikun mysliman që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qeveria e Ankarasë akuzon klerikun mysliman si organizator të tentativës së dështuar të grushtit të shtetit të korrikut të këtij viti, ku humbën jetën më shumë se 270 persona.
Turqia pretendon se shkollat janë pjesë e një strategjie për të minuar shtetin. Por, nxënësit, mësuesit dhe prindërit e intervistuar në disa vende të ndryshme të botës, thonë se nuk kanë asnjë lidhje me aktivite të dyshimta apo terrorizmin.
Rrjet i fshehtë apo lidhje të ngushta?
Turqia thotë se shkollat janë pjesë e një rrjeti të gjerë dhe të fshehtë, të cilat lëvizja “Gulen” i ka përdorur për të ngritur themelet e pushtetit të saj dhe për të depërtuar më pas në institucionet shtetërore.
Autoritetet turke akuzojnë të gjitha shkollat që kanë lidhje me Turqinë, në më shumë se 100 vende të ndryshme të votës, që nga Gjermania deri në Afganistan dhe kjo ka bërë që mijëra nxënës të moshave të ndryshme, të përballen me pasiguri serioze për arsimimin e tyre.
Mbështetësit e këtyre shkollave thonë se këta shkolla janë thjesht një rrjet institucionesh arsimore, të cilat ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të angazhuar për të ofruar një arsim cilësor dhe kurrikula akademike “par excellence”.
Nga intervistat e shumta të “BBC World Service” në më shumë se dhjetë vende në tre kontinente të ndryshme, është e qartë se këto shkolla kanë shumë të përbashkëta, megjithatë operojnë të pavarura nga njëra-tjetra.
Por, të gjithë këto institucionet arsimore e ndiejnë presionin që ushtrohet ndaj tyre.
Çfarë është një shkollë e lëvizjes “Gylen”?
Nuk ekziston një markë e vetme për këto shkolla. Në Pakistan ato janë quajtur “Liceu Pak-Turk”, në Kirgistan ato njihen si shkollat “Sebat” (Këmbëngulje), dhe në Kenia, njihen me emrin “Akademitë e Dritës”. Shumica e këtyre shkollave janë themeluar në partneritet ndërmjet bizneseve dhe organizatave jo fitimprurëse turke dhe atyre vendase. Por në shumë vende, si në Indonezi dhe Kirgistan, partnerët turq nuk janë më të përfshirë direkt në administrimin e këtyre institucioneve.
Partnerët lokalë dhe ato turq thonë se ata janë admirues të klerikut mysliman, Fethullah Gulen, por jo të lidhur zyrtarisht me të. “Një shkollë e lëvizjes Gylen, një biznes apo gazetë në përgjithësi është etiketuar jozyrtarisht si e tillë, pasi pronari ose menaxheri i tyre e konsideron Fethullah Gylenin si një udhëheqës shpirtëror apo burim frymëzimi”, shprehet akademiku Bajram Ballxhë.
Alp Aslandogan, i cili flet në emër të shkollave të lidhura më lëvizjen Gylen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë se ka shumë rrjete të shumta sociale të lidhura me lëvizjen. “Shkollat, të cilat shihen si të lidhura me lëvizjen janë themeluar nga njerëz, të cilët i përkasin këtyre rrjeteve”.
Shkollë e fokusuar tek disiplina
Ndjekësit e Fethullah Gylen shpesh i referohen lëvizjes së tyre me emrin “Hizmet” (Lëvizja për Shërbim), dhe të gjitha shkollat e kësaj lëvizjeje ndajnë të njëjta vlera dhe të njëjtën etikë. “Mësuesit i kushtojnë rëndësi të veçantë formimit të karakterit, moralit dhe disiplinës së nxënësve”, thotë Rosi, nëna e një nxënësi në Kharisma Bangsa.
Gjithashtu ata kanë dhe një fokus të veçantë për mësimin e lëndëve shkencore.
Nga Nairobi në Kandahar, në faqet e internetit të shkollave, nxënësit e këtyre shkollave janë të veshur me uniforma të rregullta, studiojnë në laboratorë shkencorë modern dhe laboratorë kompjuterikë modern. “Fëmijët studiojnë çdo ditë deri në ora 15:00 dhe më pas kanë dhe kurse të tjera jashtë shkollore, aktivitete të klubeve të nxënësve dhe bëjnë detyrat e shtëpisë”, thotë Baktigul, vajza e së cilës ndjek një shkollë turke në Kirgistan. “Në ora 9 të darkë, të gjithë nxënësit ulen bashkë për të pirë një çaj dhe në orën 10 të darkës të gjithë përgatiten për të fjetur”.
Për Maxim Urazaev, një nga nxënësit që kanë ndjekur studimet në një lice turk në qytetin rus të Kazan dhe që është diplomuar në vitin 2009, eksperienca në këto shkolla është më e “vështirë se ushtria”.
Sa të afërta janë me Gylenin këto shkolla?
Mësuesit kryesorë i thanë BBC se shkollat nuk janë pjesë e një strukture formale. Drejtori i 21 shkollave “Sebat” të Kirgistanit, Nurlan Kudaberdiev, thotë se të gjitha shkollat janë të lidhura me Fethullah Gulen në mënyrë joformale, sepse këto shkolla janë themeluar pikërisht nga idetë e tij. “Por, nuk ka një ndikim të drejtpërdrejtë ose financim nga ana e tij më”, këmbëngul ai.
Shumë kohë përpara se qeveria turke të përpiqej që të mbyllte këto shkolla, vende të tjera kanë marrë masat e tyre pas dyshimeve për lidhjeve të këtyre rrjeteve me jashtë.
Në vitin 2000, Uzbekistani mbylli të gjitha shkollat e lidhura me Gylen, në vendin e tyre dhe hapa të ngjashëm janë ndërmarrë në Rusi, ku kanë mbetur vetëm shtatë shkolla nga 50 shkolla që ushtronin aktivitetin e tyre deri në vitin 2008. Të gjithë tani janë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit në turqisht folës të rajonit musliman e Tatarstanit.
A janë shkolla sekulariste apo fetare?
Shkollat e përshkruajnë veten si laike, promovuese të tolerancës dhe dialogut ndërfetar. “Gjatë pesë viteve të studimeve të mia në shkollë kurrë nuk kam parë një Kur’an apo Bilbël”, thotë Maksim Urazaev, nga Kazani i Rusisë. Por, në Rusi dhe gjetkë shkollat janë akuzuar për përfshirjen e lëndëve ekstra-kurrikulare dhe të fshehta fetare. Shumë vende ish-sovjetike janë thellësisht dyshuese ndaj veprimtarisë fetare përtej kontrollit shtetëror. Një ish-mësues në Tataristan hodhi poshtë idenë e “tubime të fshehta”, por tha për BBC se nxënësit të cilët kishin dëshirë, mund të luteshin dhe të kryenin faljet me mësuesit e tyre dhe bisedonin me ta rreth fesë.
Në Kenia, ish-nxënësit dhe mësuesit na treguan libra të Fethullah Gulen që u ishin dhënë. Në Kirgistan, Zainal, një nxënës 15-vjeçari tha se nxënësve ndonjëherë u janë treguar video për Islamin. Por, nëna e saj, Bakhtigul, tha se ishte i kënaqur që nuk ishte problem për të. “Unë i kam kontrolluar librat në bibliotekën e tyre për të parë nëse ata kishin ndonjë literaturë ose ndonjë libër të klerikut Gylen, por nuk kam gjetur asnjë të tillë”.
Si janë përhapur shkollat e Gylen
Shkollat e lidhura me lëvizjen Gylen kanë ekzistuar në Turqi që nga viti 1970 dhe u përhapën në vende të ndryshme të votës përgjatë 20 viteve të fundit. Ky zgjerim u rrit ndjeshëm pas afrimitetit që Gylen krijoi me Rexhep Tajjip Erdogan, partia AKP e të cilit kishte kishte baza fetare dhe erdhi në pushtet në vitin 2002.
Duke mësuar gjuhën turke dhe duke promovuar kulturën turke, shkollat ndihmuan në forcimin e pozitave dhe ndikimit të Turqisë në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik, Lindjen e Largët dhe në Afrikë. Në vitin 2015 Turqia ka investuar 6.2 miliardë dollarë në të gjithë Afrikën.
Somalia ishte një nga vendet kryesore të ndihmave dhe investimeve turke, me tre shkolla të lëvizjes Gylen, të cilat ndihmonin më shumë se 1 mijë fëmijë.
Mundësitë dhe lidhjet
Edhe pse shkollat janë me pagesë dhe tërheqin kryesisht fëmijët e elitave, ato gjithashtu ofrojnë bursa studimi për fëmijët e familjeve të varfra dhe në nevojë. Në Pakistan 25 për qind fëmijëve studiojnë me bursë dhe në Afganistan 30 % e nxënësve janë me bursë studimi. Pavarësisht nga mundësitë për arsim cilësor, shkollat gjithashtu ofrojnë mundësi për pjesmarrje në konkurse të ndryshme ndërkombëtare, të cilat ndryshe njihen dhe si “olimpiadat”.
Nxënësit me rezultate të shkëlqyera nga Kabuli kanë konkurruar në matematikë dhe konkurse të ndryshme në gjuhën turke në Ugandë, ndërsa fëmijët nga Mogadishu kanë testuar aftësitë e tyre në Kazakistan. Shkollat thonë se konkurset janë një mënyrë për të bërë ndërtuar një rrjet global e miqve. Por, Turqia autoritetet turke pretendojnë se lëvizja është përgjegjëse për rekrutimin e vazhdueshëm të anëtarëve të rinj në mbarë botën. “Studioj në këtë shkollë prej 11 vitesh”, thotë Musukan, një maturant në shkollën “Pak-Turk”, në Islamabad. “Kjo ka qenë periudha më e mirë e jetës time. E duam shkollën dhe na pëlqen jeta që bëjmë këtu”.
“Nuk na intereson nëse Turqia ka problemet e saj”, thotë Salva, një maturante indoneziane. “Ne jemi këtu për të studiuar dhe për të ndjekur ëndrrat tona”./BBC