Prokuroria e Dibrës ka nisur hetimet për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve vendore të së dielës, pas publikimit të disa materialeve filmike në edicionin e lajmeve në Televizionin Klan, në emisionin “STOP” dhe në disa media të tjera.
Burime të prokurorisë thanë se hetimet po kryhen për veprën penale të “dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve” për blerjen e votave.
Një video e shfaqur një ditë më parë në emisionin “STOP” në Televizionin Klan, tregonte individë te ndryshëm që pranonin se janë paguar për dhënien e votës kandidatit të majtë.
Regjistrimi i procedimit penal është pa emra të personave konkretë, por me vepër penale, e cila parashikon një dënim vetëm me gjobë. Burimet thonë se me nisjen e hetimeve, prokuroria do të kërkojë nga mediat sekuestrimin e pamjeve filmike.
Personat që shfaqen në video pritet të identifikohen dhe të merren në pyetje për llogari të kësaj dosje hetimore. Pjesë e hetimeve do të jenë edhe deklaratat dhe provat e ndryshme të publikuara nga Partia Demokratike.
Opozita ka bërë një kallëzim para ditës se votimit për persona konkretë, përfaqësues të mazhorancës dhe drejtues institucionesh e të policisë së Dibrës dhe pritet të bëjë edhe një kallëzim tjetër, që përfshin materiale filmike./Tv Klan