Ish-deputeti i PS-së, Ben Blushi ka folur në emisionin “Studio e Hapur” e Eni Vasilit për largimin nga PS-ja dhe projetin e ri politik te tij. Ai tha se shkaku kryesor që u largua nga PS-ja ishte mohimi i të drejtës për të kandiduar në garë për zgjedhjet për kreun e PS-së.
Ben Blushi iu përgjigj kryeministrit Rama, i cili në të njëjtën studio e cilësoi Ben Blushin si shkrimtar që s’ka bërë asnjë punë.
“Edi Rama s’ka kapacitet të vlerësojë punët që kam bërë unë. Një nga punët që unë kam bërë në jetë i ka prirë si të thuash Edi Ramës, sepse edhe për shkakun tim është aty ku është edhe në politikë edhe si kryetari i PS. Nuk ka kapacitet për të vlerësuar këtë gjë dhe unë nuk dua t’i hyj këtij debati. Nuk kam asnjë interes të bëj debat me anëtarët e Rilindjes, por diçka sigurisht mund ta them. Dikur kur e pashë thashë me vetë çfarë sovjetiku është ky, që mendon edhe se librat e një shkrimtari janë produkt i partisë. Se këtë mendon. Vetëm në kohën e Partisë së Punës ata që drejtonin këto idiotësira thoshin shkrimtarët janë produkt i partisë. Kështu foli edhe Edi Rama, sigurisht është një njeri shumë i vjetër. Unë kam dalë për ta mundur atë dhe të gjithë ata që janë si ai. Është tmerrësisht i vjetër ka 18 vite në politikë dhe kam përshtypjen është duke na lodhur të gjithëve” –tha Blushi.
Blushi tha se tani është në opozitë me qeverinë, por kjo nuk do të thotë se do të rreshtohet në krah të PD-së.
“Jam në opozitë, por opozita nuk është Basha. Unë jam në opozitë me qeverinë. E nuk ka lidhje me Bashën. Opozita nuk barazohet me Bashën” – tha ai.