Home KRYESORE AKIP: Qeveria të mos mjaftohet me tërheqjen e ligjit, të pastrojë Shqipërinë

AKIP: Qeveria të mos mjaftohet me tërheqjen e ligjit, të pastrojë Shqipërinë

Aleanca Kundër Importit të Plehrave deklaroi sot pas mosdekretimit dhe kthimit për shqyrtim të ligjit që lejon importin e plehrave nga ana e Presidentit Nishani se ky kthim është një mundësi që Presidenti i dha deputetëve si dhe nxiti deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ta përdorin këtë mundësi për të tërhequr ligjin dhe për të shmangur një përplasje të vazhdueshme me vullnetin e qytetarëve.

AKIP i kërkon gjithashtu qeverisë dhe Kryeministrit Rama që të mos mjaftohet me tërheqjen e ligjit, por të shfrytëzojë energjitë e akumuluara në këtë çështje për të zgjidhur problemin në themel, duke vënë në zbatim efektiv Ligjin Për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, duke krijuar infrastrukturën bazë dhe institucionet e nevojshme për të garantuar pastrimin e Shqipërisë në vijimësi si dhe për të ndërmarrë një fushatë kombëtare të pastrimit fillestar nga ndotja e akumuluar e 25 viteve të fundit.

AKIP kërkon që në përputhje me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian, krijimi i institucioneve, hartimi dhe zbatimi i politikave të pastrimit dhe të riciklimit të kryhen në bazë të transparencës, informimit dhe konsultimit publik me të gjitha palët, përfshirë qytetarët, aktivistët dhe industrinë ricikluese.

Në fund, AKIP i kërkon qeverisë të ndërpresë menjëherë keqtrajtimin e qytetarëve të varfër që jetojnë duke ricikluar mbetje si dhe të ashpërsojë masat ndëshkuese për operatorët ekonomikë, të cilët shkelin ligjet e sigurisë në punë apo shkelin rregullat mbi limitet e ndotjes së ajrit dhe ujërave.

AKIP beson se qeveria i ka mjetet ekonomike dhe mbështetjen e popullit për të garantuar një Shqipëri të pastër, me rregulla dhe të drejtë.

AKIP falënderon të gjithë qytetarët për protestën e shprehur në të gjitha mënyrat në Shqipëri dhe mes komuniteteve të emigrantëve si dhe garanton se aktivistët e AKIP do të jenë gjithmonë gati për të kundërshtuar çfarëdolloj përpjekjeje për të lejuar importin e plehrave, pavarësisht se cila forcë politike do të jetë në pushtet Shqipëri.

Share: