Dy bashkëpunëtorë të Emiljano Shullazit u arrestuan mesditën e sotme, 13 tetor 2016 me vendim gjykate.
Ndaj Endrit Qyqja dhe Endrit Zela mekërkesëtë Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” si të dyshuar për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda informon: “Dy të arrestuarit e sotëm, në bashkëpunim me shtetasit Emiljan Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike”
Prokuroria për Krime të Rënda informon se është duke zhvilluar hetime për një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për “gjobvënie”.
Roli i te arrestuarve- “Gjatë këtij hetimi, fillimisht janë arrestuar shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmano Dani dhe Blerim Shullazi.Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasit Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela”vijon njoftimi i prokurorisë
Biznesmenit i moren çek me porosi te Shullazit
“Po në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qënë të pranishëm në disa momente kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare. Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit. Në rastet e të dyshuarve Qyqja dhe Zela, rezulton se ndërmjet tyre dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale. Për këtë arsye, kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, si edhe duke përdorur dhunën fizike dhe verbale”vijon njoftimi i prokurorisë
Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet e arsyeshme, bazuar në prova, se shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shtrëngimit me anën të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 109/b, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Qyqja dhe Zela, të cilat janë miratuar nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda. Vendimi u ekzekutua mesditën e së enjtes 13 tetor 2016/Droni.al