Home KRYESORE Avokati i Popullit rrëfen të vërtetën për varfërinë në Shqipëri

Avokati i Popullit rrëfen të vërtetën për varfërinë në Shqipëri

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë shpreh shqetësimin se shumë familje shqiptare vazhdojnë të jetojnë në kushte varfërie ekstreme, ndërkohë që nuk ka asnjë zhvillim për llogaritjen dhe shpalljen e minimumit jetik nga ana e strukturave qeveritare, të ngarkuara me këtë detyrim ligjor.

Në këto kushte, pas insistimit të vazhdueshëm 5-vjeçar pa rezultate konkrete, Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me ekspertë të pavarur të fushës ka nisur punën për shpalljen e këtij minimumi jetik në Shqipëri. Ky angazhim mbështetet në një studim të thelluar, realizuar nga ekspertë të ekonomisë, mbi bazë të një metodologjie bashkëhorore dhe të dhënave të siguruara nga institucionet shtetërore. Shpallja dhe njohja e këtij minimumi jetik nga ana e strukturave qeveritare përgjegjëse do të ndihmonte shtresat më të varfra, si dhe të gjitha kategoritë e personave vulnerabël për të arritur një standard dinjitoz jetese.

Sipas të dhënave zyrtare të treguesve të nivelit të varfërisë rezulton se rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë) si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).

Aktualisht rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.

Në 17 tetor të vitit 1987, mbi 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë, dhunës e urisë. Që atëherë 17 tetori rikujtohet për angazhimin që t’i jepet fund varfërisë. 17 tetori u njoh si ditë zyrtare në 1993 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por kjo ditë përkujtohet që nga viti 1987 në shumë vende.

Share: