Duket se Partia Socialiste do të ketë një grup drejtues bërthamë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare i cili do të caktohet brenda 15 nëntorit dhe do të ketë rreth 5850 persona.
Ndersa Edi Rama mblodhi dje në mesditë kryesinë e partisë, për të miratuar kriteret se si do të funksionojë kjo strukturë drejtuese, kush do ta zgjedhë atë dhe cilët do të jenë kriteret që duhet të plotësojnë personat që do të bëhen pjesë e ekipit drejtues shkruan shqiptarja.com.
Skema
Me propozim të Sekretares për Koordinimin Elektoral, Blerina Gjylameti, skema e ndjekur për ngritjen e shtabit drejtues të partisë do të jetë një ndërthurje e ndarjes administrative me atë të zonave zgjedhore. Në krye të këtij ekipi do të jetë Edi Rama dhe Kryesia e PS-së.
Pastaj skema do të ndahet në drejtuesit politikë të 6 rajoneve: Vlorë-Gjirokastër; Fier-Berat; Durrës-Tiranë; Elbasan-Korçë; Shkodër-Kukës dhe Dibër-Lezhë sikundërse deri më tani ka funksionuar me koordinatorë përkatësisht: Mimi Kodheli dhe Bledi Çuçi, Bledi Klosi, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Ditmir Bushati dhe Lindita Nikolla.
Pas kësaj ndarjeje, do të zgjidhet një koordinator për çdo qark, ku do të zgjidhen 12 drejtues politikë të qarkut. Më pas, do të zgjidhen edhe 61 koordinatorë për çdo bashki sipas ndarjes së re administrativ. Në rend zbritës, struktura do të zbërthehet dhe do të jenë 386 koordinatorë sipas çdo njësie administrative (ish-komuna dhe bashki që u shkrinë). Për çdo Zonë të Administrimit Zgjedhor, do të zgjidhet nga një drejtues politik ZAZ-je, që përbëjnë 90 të tillë.
Më pas, ndarja në qelizë, do të jetë zgjedhja e 5301 koordinatorëve për çdo qendër votimi. Në këtë aspekt, PS do të operojë me të njëjtën skemë edhe për përzgjedhjen e koordinatorit dixhital. Nga kjo ndarje klasike referuar ndarjes zgjedhore, mund të bëhet përjashtim për ndonjë zonë, për arsye të veçanta, ku një person mund të mbulojë më shumë se një njësi, ose brenda një njësie mund të bashkëdrejtojnë dy a më shumë persona.
Përzgjedhja
Po si do të zgjidhet ky ekip? Sekretarja për Koordinimin Elektoral, Blerina Gjylameti do të jetë përgjegjëse për mbledhjen e kandidaturave të mundshme. Ky proces do të bëhet në rang qarku nga shtabi politik.
Emrat propozohen nga një grup i përbashkët i përbërë nga: i deleguari i kryesisë për qarkun, deputetët e PS-së në atë qark, kryetari i PS-së në atë bashki, kryetari i bashkisë (aty ku ai është socialist), kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste dhe kryetari i FRESSH-it në atë njësi. Propozimet e mbledhura nga ky grup konsultativ do t’i dërgohen për vendim kryesisë së PS-së.
Kriteret
Të gjithë kandidatët e propozuar për Koordinator Elektoral, duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret si me poshtë:
1.Të mos jenë dënuar për kryerjen e një vepre penale dhe të mos jenë në hetim nga organet ligj-zbatuese;
2.Të kenë integritet të lartë moral dhe profesional si dhe të transmetojnë etikë në sjellje;
3.Të jetë figurë e njohur shoqërore në zonën përkatëse, të ketë njohje të mirë të komunitetit, (kulturës, njohjes së familjeve, fiseve, përkatësive fetare, etnike, etj.)
4.Të ketë aftësi komunikuese në transmetimin e bindjeve të tij;
5.Koordinatori elektoral, mund edhe të mos jetë anëtar i partisë;
6.Kandidati duhet të ketë aftësitë dhe mundësitë e nevojshme (përvojën, njohjen komunitare, kohën, mjetet materiale e financiare, etj.) për të përmbushur misionin;
7.Preferohet të mos jetë i punësuar në institucione publike;
8.Arsimi i lartë përveç Koordinatorëve Elektoral të QV-ve është i detyrueshëm.
Struktura
Kryetari i Partisë
Kryesia e PS-së
6 drejtuesit e rajoneve
12 drejtuesit e qarqeve
61 drejtuesit e bashkive
90 drejtuesit e ZAZ-ve
396 drejtuesit e njësive administrative
5301 drejtuesit e Qendrave të Votimit/lapsi.al