Kjo pyetje mund të mos ngjajë aspak fine. E di, por është e nevojshme karshi gjuhës së disave, që në rrethana të caktuara u bie të menaxhojnë pjesë të rëndësishme të aseteve publike të një komuniteti. Gjuha e përdorur nga këta individ, përvec se jashtë cdo standarti etik që përmban disiplina protokollare, është tregues i një varfërie në koncepte e formim që shpërfill krejtësisht kulturën e njësuar për qindra vjet civilizim e shtet. Këta drejtues,nëse mund të quhen kështu, në vend të ngrejnë një problem të qenësishëm që shqetëson komunitetin, më shumë e shqetësojnë atë vetë. Si bretkosa të acaruara nga thatësira, shkaktojnë më shumë ndotje akustike se kërkojnë zgjidhje për hallin e tyre.
Po’bretkosave apo qënjeve të tjera jo inteligjente u lejohet ta shikojnë hallin e tyre si fatal sepse këtë ua imponon zinxhiri evolutiv, ndërsa te njerëzit kjo s’ka pse ndodh. Dhe në fakt ky është qëllimi i këtij shkrimi; kundërvënje ndaj një mentaliteti fatalist dhe jo ndaj një personi apo grupi të vecantë, se do kisha zgjedhur ta bëja me kohë. Jam e detyruar të marr Shkodrën si shembull sepse fatkeqësisht vetëm në Shkodër materializohet me zë e figurë, banalisht e dhimbshëm, ky mentalitet. Vetëm në Shkodër mund të ekzistojë një kryetar bashkie që të dali para kamerave, të deklarojë zi-në e bukës duke u zgërdhi dhe menjëherë pas kësaj të marr bicikletën me kambës të shtrembët dhe të niset me ble bukën e më pas me fjet në zheg.
Pse flejnë në zheg e jo vetëm në zheg, do e shohim më tej. Tani le të rrimë edhe pak te ligjerata e drejtë: “s’kena bukë me hangër”, të cilës s’i përcaktoj dot një shenjë pikësimi, sepse nuk e kuptoj në është konstatim, habi, revoltë apo panik i një kryetareje bashkie nën efektin e urisë, tamam sic deklaronte dikur një filozof gjerman, Ludwig Feuerbach;- “Ne jemi ajo cfarë hamë”. Pavarësisht se nuk bie dakord me këndvështrimin e Z.Ludwig dhe mendoj se Z. Freud do ishte më i përshtatshëm për të trajtuar deklaratat e zonjës në fjalë, duke parë se cfarë mund të ketë shkaktuar mosngirja me bukë te zonja në fjalë, them që një farë të drejte edhe mund ta ketë patur Ludwigu. Megjithatë ajo që më intereson mua, po besoj dhe shumë qytetarëve të tjerë, është se cili mund të ketë qenë qëllimi i një kryetareje bashkie që përsërit e ripërsërit vetëm 3 fjalë “s’kena bukë me hangër” ndërsa i jepet rasti jo fort i shpeshtë për një përballje live me kryeministrin e vendit? Thua të ketë qenë një taktikë viktimizimi për t’iu dhimbsur kryeministrit dhe ai si për gjynah t’i sillte fonde? S’besoj. Të paktën toni i zërit fliste për krejtësisht të kundërtën. Ateherë i bie të ketë qenë një revoltë. Kuptohet ashtu sic Voltana di të revoltohet…
Dhe pikërisht këtu e shoh të arsyeshme të ndalem.
Pas kësaj “revolte” alla Voltana qëndron një filozofi e rrezikshme mase, më saktë një mentalitet dement, të cilin, ajo vetëm sa ka pozicionin, naivitetin dhe fodullëkun e duhur për ta konkretizuar. Ky mentalitet ka ekzistuar pothuajse gjithmonë, pavarësisht se jo deri në këto përmasa të frikshme dhe pothuajse gjithmonë ka frymëzuar një model dështues, të mbizotëruar nga pasiviteti që në mënyrën e të menduarit e deri te instiktet për mbijetesë të qenjes, duke i përcjellur shoqërisë një frymë mosbegenisëse, të tipit unë s’dua të mendoj, s’dua as të vrapoj dhe ti ma ke për borxh të më ushqesh, ndryshe unë vdes për bukë. Kjo shkollë e mendimit dembelhan “s’kena bukë me hangër” ndiqet kryesisht nga ajo masë njerëzish që s’duan të bëjnë asgjë për të ndryshuar realitetin e tyre dhe ngelet karekteristikë e vendeve historikisht të varfra. Ndaj e përsëris edhe një herë që nuk ka fare rëndësi emri i përvecëm që mund ta konkretizojë një moment X me zë e figurë, rëndësi ka analiza shkak pasoje e filozofisë pabukse dhe që njerëzit të sensibilizohen për kostot social ekonomike që ajo sjell kur kthehet në moto të një shoqërie…
Duke e marrë literalisht, pa asnjë nuancë shprehjen: “s’kena bukë me hangër”, natyrshëm lind pyetja:”Që kur?” Buka e një shtëpie, lagjeje, fshati, qyteti apo edhe vendi vështirë të mbarojë për 2-3 vjet, vetëm po patì faktorë të jashtëzakonshëm si luftra e fatkeqësi natyrore etj, që mund të ndërhyjnë në nivel makro, në të kundërt economia e një vendi tenton të përmirësohet apo përkeqësohet shumë ngadalë dhe në këtë pikë i bie që kryetarja e bashkisë Shkodër të mos e kishte vetëm me kryeministrin e 3 viteve të fundit, por me gjithë kryeministrat e tjerë që s’i kanë dhënë bukë me hangër. Pyetja e dytë që të vjen në mend është se mirë që kryeministrat s’ të kanë dhënë bukë se ndoshta se dinin që kryeministrat duhet të blinin bukën e ta sillnin në shtëpi, po ti cfarë bën për ta siguruar bukën tënde për sa kohë nuk je nën rrethim ?!
Dhe këtu qëndron thelbi i mentalitetit pabuks, të cilit i ka dhënë një përgjigje mjaft shteruese z.Gëzim Galiqi, mjek kirurg në spitalin e Shkodrës si dhe anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës. Z.Galiqi pas një pune hulumtuese në disa ministri, ka arritur të sigurojë projekte të dorëzuara nga bashkia Shkodër, si dhe nga disa bashki të vogla si ajo e Memaliaj dhe e Tropojës në 3 vitet e fundit. Këtë e ka bërë për të krahasuar profesionalizmin dhe seriozitetin me të cilin stafet e bashkive respektive i janë drejtuar qeverisë dhe diferenca është llahtaritëse. Sado të mundohem unë ta paraqes me foto, kur i shikon më sy këto projekte vë re papërgjegjësinë dhe disinteresimin e stafit të bashkisë Shkodër për t’i dhënë rëndësinë minimale thithjes së projekteve. Do shikoni se si Bashkia Shkodër pretendon te fitojë një fond 800mijë euro me tre rreshta preventiv dhe se si për një fond të përafërt bashkia Tropojë dhe ajo Memaliaj kanë pajtuar ekspertizë të mirëfilltë dhe projektet e tyre vetëm preventivin e kanë me nga 30 faqe (praktikisht i pamundur pasqyrimi me foto për shkak të nr të stërmadh të faqeve përshkruese për cdo zë të preventivit). Pra që në paraqitje të parë vihet re një diferencë e theksuar… Projekti i bashkisë Shkodër ngjan si fletore keqeshkronje para projektit të bashkisë Tropojë e Memaliaj… dhe të dashur lexues mos harroni se po’ flasim për Shkodrën e kulturës.
Kur këshilltari socialist Z.Gëzim Galiqi ka debatuar në mbledhjen rradhes së këshillit bashkiak Shkodër në lidhje me këtë të vërtetë të hidhur duke dhënë fakte për papërgjegjësinë e stafit drejtues të bashkisë Shkodër në vlerësimin e nevojave që ka Shkodra dhe adresimin e tyre me profesionalizëm përmes projekteve serioze, kryetarja e bashkisë i ka kthyer një përgjigje si në rradhë të bukës duke mbyllur cdo mundësi për debat produktiv, me të njëjtin fodullëk që veproi dhe në krah të kryeministrit të vendit. Me pak fjalë, sipas fodullëkut të Voltanës e jo vetëm, i bie që shkodranët ta pranojnë që u ra për hise të qënurit pabuks dhe për pasoje të mos lëvizin as gishtin e vogël por vetëm të qahen nga mjesi deri në darkë, sëbashku me Voltanën se skanë bukë me hangër. Kjo është e rëndë. Këtyre pseudo-drejtuesve u intereson ta shtyjnë kështu dhe të ndikojnë që ta përhapin sa më shumë tek masat më pak të emancipuara këtë frymë si për të gjetur shokë në hall dhe dekurajuar të tjerët. Por unë jam e bindur që nuk do zgjasë edhe shumë. Një shoqëri, qoftë edhe më pak e emancipuar, zotëron mekanizmat për të reaguar ndaj apatisë së stimuluar nga filozofia pabukse dhe mekanizmi më i rëndësishëm për ta luftuar është drejtësia, ajo që vë ekuilibëra të rinj në shoqëri të tipit rron i zgjuari, mbijeton budallai dhe jo e kundërta sic shpesh ka funksionuar këtyre anëve. (Më poshtë do gjeni me foto krahasimin e projekteve të bashkisë Tropojë e Memaliaj të cilët janë nga 200 faqe secili me projektin 10 faqe të bashkisë Shkodër për pothuajse të njëjtin fond si dhe preventivët respektive ku kulmi qëndron te preventivi i bashkisë Shkodër, që përbëhet vetëm prej 3 rreshtash).