Aktori e regjisori Laert Vasili ka treguar momentin kur është dhunuar nga një person i panjohur. Sipas tij, ai që e sulmoi iku me vrap, ndërkohë që aktori kishte parkuar makinën dhe po merrte kostumin e rolit nga bagazhi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” mes të tjerash ai rrefehet edhe për incidentin.
– Natën e fundit, pas shfaqjes keni pasur një incident. Çfarë ndodhi, kush ju sulmoi?
Duke dalë nga shfaqja, morëm kostumet që t’i lanim në shtëpi e t’i kishim gati për të premten. Parkova makinën dhe duke hapur bagazhin për të nxjerrë rrobat që mora për të larë, ndjeva një hije që m’u afrua. Sipas hamendësimeve të patrullës së policisë, duhet të ketë qenë ndonjë nga këta që ruajnë rrugicat e vjedhin. Duke më parë me flokë të gjatë, mbase ka menduar se jam femër. Më kapi nga dora, e kur u ktheva të shihja çfarë po ndodhte, ai u tmerrua sepse pa mashkull. Mbase më ka njohur, s’e di. Më shtyu, më përplasi te bagazhi i makinës dhe iku me vrap. Kaloi patrulla e policisë dhe më thanë “bëj një kallëzim, që të kërkojmë kamerat e bizneseve përreth për të parë kush ishte”.
– Pra, nuk është konflikt personal, nuk e njihnit personin që ju ka sulmuar?
Jo jo, fare! Madje duhet të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike dhe alkoolit, sepse mbante erë. Nuk besoj se ka shqetësuar njeri shfaqja dhe të ketë ardhur të më ketë sulmuar mua. Nuk kam konflikt me njeri. Salla ka qenë plot tri net dhe ka pasur duartrokitje.
– Si iu përgjigjeni atyre reagimeve se ky sulm, ose lajmi për këtë sulm e kallëzimi janë bërë për marketing?
Marketing për çfarë? E vetmja përgjigje që mund të jap, është se ai që ka menduar këtë, është një mendje shumë e sëmurë. Të bësh marketing për një shfaqje duke bërë kallëzim, duke thënë se “më sulmuan”, është mendje e sëmurë. Ai, ose më ka ngatërruar me njeri, ose ka menduar që jam femër. Unë nuk e njihja dhe nuk kam konflikte të tjera.