Nga Kasem Seferi
Që në fillimet e hershme të demokracisë, në fushën e veprimit politik në Shqipëri u shfaq domosdoshmëria politike për të nëpërkëmbur normat e moralit ose detyrimet; pra, veprime imorale të politikanëve me pushtet të tillë si degradimi dhe eleminimi i kundërshtarëve politikë brenda dhe jashtë formacionit politik, shpërdorimi i pushtetit politik për përfitime personale, etj, veprime që as duhet të miratoheshin dhe as duhet të shfajësoheshin.
E ashtuquajtura domosdoshmëri politike në vetvete është një koncept që është përdorur herët në strategjinë e lojës së pushtetit politik dhe në qoftë se koncepti i domosdoshmërisë politike mund të ketë funksionin e legjitimimit për ato veprime që moralisht janë të dënueshëm, ky koncept duhet të lidhet me konceptin e përgjegjësisë dhe detyrimit politik; liderët politikë e kanë për detyrë që konceptin e një komuniteti politik ta përkthejnë në qëllime politike konkrete dhe në mjete për realizimin e tyre; si faktorë shkakësorë ndërmjet mjeteve dhe qëllimeve, domosdoshmëritë politike janë në vetvete pjesë e këtyre përkthimeve dhe politikanët duhet t’i mendojnë këto kategori të qëllimeve politike, mjeteve dhe domosdoshmërive në mënyrë preçize.
Shumë teori politike e konsiderojnë detyrimin politik si detyrim të qytetarëve për t’iu bindur ligjeve dhe urdhëresave të shtetit dhe, ndën rrethana normale, të gjithë qytetarët duhet të sillen në përputhje me interpretimin e tyre të ndërgjegjshëm të ligjit, detyrim për t’u bindur ky që mund të kuptohet si detyrë morale, shpjegimi i së cilës nuk ka nevojë për një konceptim të veçantë të detyrimit politik, si dallim nga detyrimi ligjor ose etik. Kjo duket e vërtetë për aq kohë sa shteti nuk u kërkon qytetarëve të tij një gadishmëri të jashtëzakonshme për të bërë sakrifica ose për të marrë përgjegjësi.
Për të bërë një dallim ndërmjet detyrimit ligjor dhe etik të qytetarëve për t’iu bindur legjislacionit, në njërën anë dhe, detyrimit politik në një kuptim më strikt dhe të veçantë, në anën tjetër, në fushën e veprimit politik, duket se ka nevojë për detyrime që nuk mund t’i lihen sferës së brendshme të ndërgjegjes së personave privatë. Një arsye e dukshme është problemi se, jashtë një sistemi ekzistues politik të legjitimuar, nuk ka të drejtë ligjore për të detyruar me forcë zbatimin e legjislacionit; në këto situata, gjithashtu, kjo duhet të bëhet e mundur që, hap pas hapi me forcë, të vendoset një sistem ligjor dhe rregull politik.
Por koncepti i detyrimit ligjor me masa shtrënguese siguron vetëm një përcaktim zyrtar të ligjit publik dhe kjo nuk thotë ndonjë gjë mbi atë se cili e ka të drejtën për ta detyruar zbatimin e ligjit me masa shtrënguese. Mund të imagjinohen shumë sisteme rregullash që mund ta detyronin zbatimin e ligjit nga jashtë me masa shtrënguese në një mënyrë të përgjithshme, prandaj, vetëm koncepti i detyrimit ligjor as mund ta mbrojë shoqërinë kundrejt mosmarrëveshjes politike, despotizmit dhe autoritarizmit as mund të sigurojë një koncept më të rëndësishëm të interesit publik; ka një domosdoshmëri për të krijuar struktura politike që lejojnë në lidhje me vendimet shoqërore normative dhe që mbrojnë lirinë e qytetarëve, një domosdoshmëri që nuk mund të konceptohet si një sistem i detyrimit në mënyrë totale me masa shtrënguese nga jashtë.
Zgjidhja e këtij problemi, se si të vendoset një rregull politik i legjitimuar, nuk mund t’i lihet vullnetit të moralit privat të liderëve politikë, sepse krijimi ose rindërtimi i një sistemi politik të drejtë është një detyrim që gjithashtu nuk mund të detyrohet ligjërisht me masa shtrënguese; prapëseprapë, kjo duket se lejon disa lloje të tjera të masave shtrënguese, të cilat quhen vullnet i popullit; vullneti i njerëzve si i tillë, pa struktura politike demokratike, është vetëm një koncept mitologjik.
Njerëzit kanë një detyrim kolektiv për t’iu bashkuar një komuniteti politik në të cilin ata e bëjnë veten subjekt të ligjit publik pa humbur lirinë e tyre; për individët e izoluar si të tillë, kjo nuk mund të jetë më shumë se sa një detyrim etik për të qenë të gatshëm të pranojnë një autoritet të jashtëm që vendos rregulla ligjore. Brenda një rregulli të dhënë ligjor publik, ky detyrim etik është transformuar në detyrim ligjor për të respektuar ligjin pozitiv. Kjo është e sigurt vetëm se nuk mundet të parandalohet institucioni i një rregulli publik, ose që e bën sistemin ekzistues ligjor totalisht të pafuqishëm; sipas këtyre rrethanave të jashtëzakonshme, detyra kolektive, e cila nënkupton vetëm një detyrim etik për individin, u jep një të drejtë disa individëve të marrin nismën për të vendosur një rregull publik mbi të tjerët ose, pa mbështetjen e ligjit të vlefshëm, për të detyruar me masa shtrënguese disa ndryshime në rregull publik të dhënë, por të padrejtë.
Në një shtet të padrejtësisë publike, individë të veçantë, që ndjejnë përgjegjësinë për përfitimin publik kanë të drejtën të ushtrojnë formën e dhunës politike që nuk është prapë, ose jo për një kohë të gjatë, në përputhje me metodën zyrtare të përkufizuar dhe monopolizuar ligjërisht të ushtrimit të pushtetit politik. Nuk është ky rasti i detyrimit etik vetëm sepse detyra e cila është objekt i detyrimit politik në njëfarë mënyre mund të detyrohet me masa shtrënguese nga njerëzit me mjete ligjore, ose veçanërisht politike të tilla si refuzimi, rezistenca dhe madje revolta.
Prandaj, përgjegjësia politike kërkon jo vetëm kryerjen e veprimeve të sakta, por gjithashtu një vullnet për mbajtur lart dhe përmirësuar sistemin politik dhe një dëshirë për t’i kryer në mënyrë të suksesshme ato atje ku veprimi i drejtë nuk përshkruhet nga ligji. Kjo kërkesë për qëndrime politike të veçanta lidh konceptin e përgjegjësisë politike me atë të detyrimit moral dhe virtutin; zakonisht, thuhet se, në një sistem politik të lirë demokratik, qytetarët kanë, edhe pse nuk ka një detyrim ligjor, një detyrim politik për të votuar ose për të shprehur në mënyra të tjera kënaqësinë ose pakënaqësinë e tyre në lidhje me politikën e qeverisë së tyre. Qenia qytetar në një vend demokratik është një privilegj që, njësoj si fisnikëria, e detyron personin të zhvillojë virtutin politik dhe gadishmërinë për të marrë me mend, në njëfarë shkalle, përgjegjësinë politike.
Një lider politik me një kuptim të gjërë të përgjegjësisë për interesat kombëtare dhe sigurinë e shtetit do të ndihet i detyruar t’i bëjë gjërat që të shkojnë përtej detyrave morale dhe të drejtave të personave privatë në jetën e përditëshme. Duke marrë përgjegjësi shumë më të mëdha është një gjë e lavdërueshme për njerëzit që kanë kapacitetet për t’i marrë ato.
Merita politike presupozon njëfarë mendjemprehtësie në ndarjen e qëllimeve politike dhe mjeteve dhe gjithashtu aftësinë dhe kurajën për t’i venë në jetë ato, por ndën rrethana komplekse dhe të pasigurta, rezultatet reale të vendimeve politike dhe veprimet shpesh janë të paprashikueshme; politikani duhet të marrë risqe dhe ai do të vlerësohet kur fati e favorizon atë dhe e fajëson kur është kundër tij. Pjesa më e madhe e politikanëve shijojnë status dhe pushtet të veçantë lidhur me përgjegjësinë e tyre; shumë politikanë duket se janë munduar për pozicione politike për shkak të këtyre përparësive personale; pushteti politik, statusi dhe privilegjet në Shqipëri janë shfrytëzuar lehtësisht për përfitime personale të miqve dhe të familjes se sa për të shmangur korrupsionin dhe përfitimin e pandershëm, për arsye se detyrimet e zyrave publike nuk janë përkufizuar qartësisht.
Punonjësit e shërbimit publik kanë një detyrë zyrtare për të bërë atë çfarë kërkon sistemi politik ligjor dhe këtë detyrë ata e kanë deri në atë kohë sa ata vetë janë pjesë funksionale e sistemit; kjo marrëdhënie funksionale është karakterizuar nga ajo që një e drejtë ligjore e detyrimit politik është përdorur për të përfituar pasuri.
Detyra për kryer detyrat e tij në një mënyrë zyrtarisht të përshkruar në mënyrë të papërcaktuar dhe të shkëputur i ka lehtësuar punonjësit e shërbimit civil gjithashtu prej shumë shqetësimeve morale me detyrime të mëdha; një përkushtim i tepërt për detyrën zyrtare shpesh i ka bërë gjithashtu zyrtarët të verbër për kërkesa të tjera morale; natyrisht korrupsioni është i kundërshtueshëm, por fokusi mbi korrupsionin ka bërë të mundur që të harrohet fakti se shteti ka bërë padrejtësi nëpërmjet punonjësve të tij të shërbimit civil.
Punonjësi i shërbimit civil lidhet me detyrimin politik kur, si qytetar përgjegjës, ai duhet të vendosë sa shumë ai duhet të adaptohet me ekzekutimin e detyrave zyrtare të tij për qëllime të veçanta të partisë në pushtet. Punonjësit e shërbimit publik në të tilla pozicione janë politikisht përgjegjës për zgjedhjet që ata bëjnë ose që nuk bëjnë; siç u përmend më parë, detyrimi politik lidhet me nocionin e “detyrimit fisnik”, prandaj, duket e arsyeshme që zyrtarët në pozicione drejtuese mund të quhen politikisht përgjegjës për efektet e zgjedhjeve politike që ata kanë bërë ose kanë refuzuar për të bërë.
Liderët dhe elita qytetare kanë përgjegjësi politike që shkojnë përtej sigurisë dhe mirëqenies së tyre; ata kanë përgjegjësitë për t’i përkthyer detyrimet etike për drejtësi në rregulla ligjore dhe masa ekonomike në përputhje me kërkesat e kohës; nuk është e padrejtë që njerëzit e zakonshëm përpiqen të gjejnë mjete politike me anë të cilave ata i nxisin elitat e shoqërisë së tyre të marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre.
Të mësuarit e procedurave të vendimit demokratik kërkon gadishmëri të vazhdueshme; lidershipi luan një rol të rëndësishëm në demokraci, por kjo nuk mund të justifikojë formalizimin e sistemit të komandimit me anë të rregullit që varet nga nënshtrimi si në ushtri; lideri demokratik jo vetëm që duhet të justifikojë veprimet dhe qëllimet e tij politike për qytetarët e tij, por ai duhet të marrë gjithashtu përgjegjësinë politike për të promovuar kuptimin moral të vlerës së përgjegjësisë politike.
Konceptime utopike të lidershipit dhe heroizmi politik ngjallin alergji për virtutin politik demokratik, prandaj demokracia i detyron si liderët politikë ashtu si dhe qytetarët të zhvillojnë virtute politike më komunikuese dhe të jenë krijues në kërkim të mjeteve të tjera politike më saktë se sa dhuna dhe forma e tjera të saj, por injorimi i kufijve kushtetues në lidhje me pushtetin e tyre, privimi i qytetarëve nga liritë dhe të drejtat bazë në gjithë këto vite ka dëshmuar se demokracia iliberale në Shqipëri është produkt i krijimit të formave të qeverisjes që kanë përzier shkallë thelbësore të demokracisë populiste me lidërshipin e njeriut të fortë.