Kryeministri i Shqipërisë ka shkuar në Beograd për të bërë biznes, me afaristët nga Shqipëria dhe ata nga Serbia. Kjo është krejtësisht në rregull. Por është jomorale, jopatriotike, që tregtinë ta kontrabandosh si patriotizëm. Është naivitet ekstrem ta citosh Ivo Andricin në kontekst pozitiv. Rama nuk e njeh as Kosovën, e as Shqipërinë.
Edi Rama dhe Aleksandar Vucic, mund ta shijojnë sa herë që duan sallatën shqiptare, e cila u shërbye sot në Nish, kur politikanë, biznesmenë shqiptarë dhe serbë, zbarkuan atje për t’i çuar përpara si asnjëherë më parë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kjo është diçka shumë legjitime dhe pozitive, kur dy vende të Ballkanit të dominuar nga armiqësitë prodhojnë lajme të tilla.
Shqipëria dhe Serbia mund ta kenë edhe odën e përbashkët ekonomike dhe tregtare sikur që bënë sot në Nish, edhe pse një të tillë Shqipëria nuk e ka me Kosovën.
Edi Rama mund ta shfrytëzojë praninë në Beograd edhe për agjenda personale, siç është promovimi i librit të tij, ose të hapë ndonjë ekspozitë artistike.
Rama mund ta takojë edhe Goran Bregovicin, të cilët dikur ia kishte dhuruar edhe çelësin e Tiranës. Ose Beogradin mund ta përdorë si një vend ku garon me Vucicin për t’i pëlqyer Merkelit. Në rregull jemi. Deri këtu gjithçka është legjitime.
Tashmë është bërë e qartë se Rama dhe Vucic kanë vendosur të hapin siç zakonisht thuhet një kapitull të ri në raportet Beograd –Tiranë.
Atë që Vucic nuk ka arritur ta bëjë me vendet tjera po përpiqet ta bëjë me Shqipërinë, duke i shndërruar raportet Shqipëri –Serbi në model të rajonit. Për këtë ai ka gjetur si duket një partner të gatshëm dhe të shkëlqyeshëm në Tiranë. Vucic do të marrë nota pozitive në Bruksel, Berlin dhe Washington (ndoshta), për përpjekjet e tij. Kjo është diçka e mirë edhe për Shqipërinë.
Por çka duhet të dijë dhe çfarë nuk guxon të bëjë Kryeministri i Shqipërisë?
Rama nuk guxon ta përziejë fare Kosovën, ose të shtiret se kinse Kosova është një hendek i pakapërcyeshëm në marrëdhëniet me Serbinë. Nuk guxon t’i referohet si “Prishtinë” Kosovës për ta kënaqur Vucicin, siç bëri sot në Nish, sepse kështu bëjnë vetëm në Beograd. E as të bëjë pazare për autostradën Nish – Prishtinë – Durrës, duke e injoruar Qeverinë e Kosovës.
Edi Rama duhet të tregojë qartë se për çfarë ka shkuar atje. Tregtinë të mos e shesë si patriotizëm. Shqipëria dhe Serbia nuk janë as vende fqinje, e nuk kanë qenë as në lufta me njëra-tjetrën. Për çfarë paqe po flasin, atëherë? Edi Rama nuk i ka përjetuar vrasjet as në familjen e tij, e as në rrethin e tij.
Kësaj here udhëtimi i delegacionit të madh të Shqipërisë në Beograd dhe Nish, ishte thjesht për qëllime biznesore. Shqipëria ka të drejtë të bëjë biznes me Serbinë.
Rreziku që u shfaq dy muaj më parë që në këto aktivitete të përfshihet edhe një delegacion i nivelit të ulët të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës fatmirësisht u eliminua.
Kryeministi shqiptar duhet ta ketë parasysh që sa herë Vucic flet për raportet e shqiptarëve dhe serbëve në mendje e ka Kosovën si pjesë të Serbisë dhe për këtë duhet edhe t’i reagojë homologut të tij.
Në Kosovë nuk ka xhelozi për raportet e reja Shqipëri – Serbi. Vetëm se Kosova duhet të jetë plotësisht jashtë kësaj agjende.
Ishte naive, për të mos thënë diçka më të rëndë, kur Edi Rama në kontekst pozitiv e citon Ivo Andricin. Ky i fundit mund të jetë nobelist, por vetëm për botën. Për shqiptarët e Kosovës ai është vetëm njëri prej anëtarëve të elitës serbe, për shfarosjen e shqiptarëve. Kjo është edhe më ekstreme se rasti i Vagnerit me Izraelin. Muzika e këtij të fundit është përdorur nga nazistës për qëllime shfarosëse edhe torturuese ndonëse ai ka vdekur 70 vjet para Luftës së Dytë Botërorë. Izraeli edhe sot e kësaj dite ka problem me këtë kompozitor, pa njohurinë e të cilit janë kryer miliona vrasje.
Prandaj, ne themi që Edi Rama nuk e njeh as Kosovën, e as Serbinë. Ai është futur në ketë lojë në mënyrë të verbër dhe pa kurrfarë ideje. Ai po i sheh raportet në Ballkan si një performancë abstrakte./ Gazeta Express