Nga Suzana Tahiri
Vizita e fundit në Beograd e kryeministrit shqiptar Edi Rama, ndryshe nga ç’mendohej, është pritur me reagime dhe zëra kundër në Tiranë dhe në Prishtinë. Natyrisht është thjesht një keqkuptim.
Rama ka bërë detyrën e vet në Beograd duke i mëshuar më shumë bashkëpunimit me projekte rajonale, përfshi këtu edhe Kosovën. Ai atje ka qenë përfaqësues i Qeverisë së Shqipërisë dhe jo i Qeverisë së Kosovës apo i opozitës së saj.
Fakti që Tirana dhe Prishtina i shikojnë aspiratat mbarëshqiptare te aleatët e tyre strategjikë, SHBA dhe BE, tregon se ata janë në rrugë të mbarë. Është tjetër gjë pastaj mënyra se si qeverisin këto dy kabinete në dy shtete shqiptare. Në këtë aspekt ka shumë probleme, siç ka të tilla edhe në forcimin e institucioneve, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në mënjanimin e mjaft dukurive të tjera negative.
Gjithashtu që ka mjaft hapësirë midis bashkëpunimit të dy sheteve shqiptarë edhe, kjo është mjaft e vërtetë. Për ne shqiptarët Kosova është Shqipëri dhe Shqipëria është Kosovë dhe bëhet afërmendsh e kuptueshme që këto dy shtete kanë një raport krejt të veçantë në krahasim me shtetet e tjera.
Mendje të ndritura shqiptare, ato që shpesh janë edhe udhërrëfyes dhe shembuj të popujve të civilizuar, kanë pohuar se ky shekull punon për shqiptarët, për shqiptarët euroatlantistë, për ata që kontrobuojnë për paqen europiane dhe më gjerë.
Matrapazët nacionalistë, zërat kundër që shpesh dalin si “kërpudhat pas shiut”, asgjë të mirë nuk i sjellin as Shqipërisë, as Kosovës, as shqiptarëve të Maqedonisë e Malit të Zi dhe as çështjes shqiptare të Çamërisë.