Home KRYESORE Kush duhet ta qoj Projektin e shtendërtimit më tej, nacionalistët apo demokratët?

Kush duhet ta qoj Projektin e shtendërtimit më tej, nacionalistët apo demokratët?

Nga Fadil Maloku

1.Është e ditur që koncepti apo doktrina nacionaliste, mbështetet ekskluzivisht në parimin e pavarësisë së popullit të vetë jo vetëm nga popujt tjerë, por edhe nga vetë sovrani, pra sundimtari që qeverisë qoftë me votën e qytetarit (në demokraci) apo me “të drejtën e votës”së trashëgimisë (në monarki). Të parët që e definuan ideologjinë nacionaliste si ”sovranitet të tërësishëm të popullit”ndajë sundimtarit ishin jakobinët të cilët shtetin dhe pushtetin e identifikonin me nocionin e popullit. Por, nëse i adresohemi kuptimit bashkëkohor të këtij termi, kuptojmë se nacionalistët e globalizmit në fakt më shumë i japin rëndësi çështjes së rendit të drejtë shoqërorë i cili dosido duhet të shkojë në favor para së gjithash: individit, familjes, pra edhe shtetit se sa çështjes së lirisë apo barazisë qoftë ajo sociale apo politike. Nga ky këndvështrim koncepti i nacionalizmit duket që është në një konflikt të ngrirë me demokracisë edhe për shkak se të parët mendojnë që liria e individit duhet të limitohet apo kufizohet (në disa raste edhe të viktimizohet?!) për hir të lirisë dhe interesit të përgjithshëm

2.Gjithashtu gjykojë, se nëse u adresohemi përvojave të gjertanishme të vendeve dhe shteteve që më xhelozi dhe afsh të paparë e kultivuan këtë koncept dhe këtë doktrinë, kuptojmë se është evident një disfavor i theksuar i tezës së mësipërme. Gjermanët p.sh. në periudhën e qeverisjes së Bismarkut, ishin të parët që praktikuan nacionalizmin ekonomik me vendet dhe shtetet për rreth, pastaj Italia dhe Spanja gjithashtu në fillim te shek. XX bënë të njëjtën gjë, por edhe Evropa perëndimore, e sidomos Japonia pas luftës së dyte botërore. Ndërsa, sot me fanatizëm dhe xhelozi ende të paparë po e praktikojnë sidomos Kinezët, të njohur edhe si kërcënuesit apo konkurrentet kryesor për lidership në botën e sundimit neoliberal, gjithashtu nuk janë larg as bie fjala shtetet tjera, siç janë: Venezuela, Koreja e Jugut, Tajvani, Malezia, Singapori , Rusia e Putinit, etj.

3. Shumicës së njerëzve, ne vendet e tranzicionit ngandonjëherë u duket edhe kthim prapa apo edhe ide e demoduar, çështja e mbijetimit apo eventualisht edhe rikthimit kah nacionalizmi ekonomik, në kohën kur doktrina tjetër neoliberale po bënë kërdi pothuajse në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se: idetë e lirisë së qarkullimit, tregtisë, …duken shumë më shumë joshëse se sa ato të kujdestarit të shtetit për të fuqizuar ekonomitë e vendit.

Duket që tani për tani, ndjenja dhe interesi individual, platformë kjo e neoliberalëve (që në truallin e Kosovës mbahen herë si djathtist e herë si qendër liberale) tash për tash po na del si më e fuqishme se sa ndjenja kolektive e nacionalisteve bashkëkohor ekonomik, por duke analizuar në faza afatgjata problemet që edhe sot janë evidente në ekonomit botërore, ku gjithnjë e më shumë po shtohen diferencat sociale (shkalla e varfërisë asnjëherë s’ka qenë më enorme?!), e sidomos ato ekonomike, mendojë që ky dominim nuk do të jetë edhe gjithaq i gjatë dhe pa pasoja: si të natyrës politike, ekonomike, sociale, e mbi të gjitha edhe sosh kulturore! Gjerë atëherë ne do mbesim vërtetë rast sui generis (pa thojza?!)

Share: